Të gjithë kapitujt

Zanafilla · Kapitulli 7

Bijtë e Hyjit e bijat e njerëzve, 2. Përmbytja, etj. (2)

24 vargje

1Atëherë Zoti i tha Noehit: »Hyr në arkë ti dhe gjithë familja jote, sepse ty të gjeta të drejtë para syve të mi në këtë brezni.

2Prej të gjitha kafshëve të pastra merr nga shtatë e shtatë - mashkull e femër - kurse prej të papastrave dy nga dy - mashkull e femër.

3Po ashtu edhe prej shpendëve të qiellit shtatë e shtatë - mashkull e femër, që të shpëtojë fara mbi mbarë sipërfaqen e tokës.

4Sepse, edhe shtatë ditë e do të bëj të bjerë shi përmbi tokë për dyzet ditë e dyzet net dhe do të zhbij çdo gjë të gjallë që krijova mbi sipërfaqen e tokës.«

5Noehi bëri krejt ashtu si i urdhëroi Zoti.

6Noehi kishte gjashtëqind vjet kur ujërat e përmbytjes vërshuan mbi sipërfaqen e tokës.

7Noehi hyri në arkë me të bijtë e tij, gruan e tij dhe gratë e bijve të tij për shkak të ujërave të përmbytjes.

8Prej kafshëve të gjalla të pastra e të papastra, prej shpendëve dhe prej çdo gjallese që lëviz përmbi tokë,

9hynë dy nga dy me Noehin në arkë - mashkull e femër, sikurse kishte urdhëruar Zoti.

10Si kaluan shtatë ditë, ujërat e përmbytjes vërshuan mbi tokë.

11Të gjashtëqindin vit të jetës së Noehit, në muajin e dytë, të shtatëmbëdhjetën ditë të muajit, plasën të gjitha burimet e humnerës së madhe e u hapën pendat e qiellit.

12Përmbi tokë ra shi për dyzet ditë e dyzet net.

13Po atë ditë hynë në arkë Noehi, Semi, Kami e Jafeti, bijtë e tij, gruaja e tij dhe me ta tri gratë e bijve të tij,

14ata dhe çdo frymor, sipas llojit të vet, çdo lloj kafshe, sipas llojit të vet dhe çdo zvarranik që lëviz përmbi tokë, sipas llojit që i përket, e çdo fluturues sipas llojit, të gjithë shpendët dhe të gjithë kafshët që fluturojnë,

15hynë me Noehin në arkë dy e dy nga çdo qenës në të cilin ishte fryma e jetës.

16Ata që kanë hyrë, hynë mashkull e femër prej të gjithë qenësve të gjallë sikurse Hyji i kishte urdhëruar Noehit. Zoti nga jashtë ia mbylli derën.

17Atëherë u bë përmbytje mbi tokë gjatë dyzet ditëve e ujërat u shumuan dhe e ngritën arkën lart nga toka.

18Sepse u rritën shumë dhe mbuluan gjithçka mbi sipërfaqen e tokës, kurse arka notonte përmbi ujë.

19Ujërat u bënë gjithnjë e më të furishme mbi tokë, dhe u mbuluan të gjitha malet e larta nën qiell.

20Ujët qe më i lartë pesëmbëdhjetë kutë përmbi malet që kishte mbuluar.

21Mbaruan të gjithë frymorët që lëvizin përmbi tokë: shpendët, kafshët, egërsirat, si dhe të gjithë zvarranikët që hiqen zvarrë përmbi tokë dhe të gjithë njerëzit;

22gjithçka në tokë që kishte frymën e jetës sharroi.

23Shfarosi çdo gjallesë që ishte përmbi tokë: prej njeriut deri në bagëti, deri në zvarranikë edhe në shpendët e ajrit; u shqimën nga faqja e dheut. Mbetën gjallë vetëm Noehi edhe ata që ishin me të në arkë.

24Ujërat e pushtuan tokën njëqind e pesëdhjetë ditë.