Të gjithë kapitujt

Zbulesa · Kapitulli 1

Hyrje dhe përshëndetje, Gjoni sheh Krishtin

20 vargje

Hyrje dhe përshëndetje

1Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën ia dha Hyji Atij për t’i vënë në dijeni shërbëtorët e vet lidhur me ato që për së shpejti do të ndodhin. Ai bëri të dihen duke ia dërguar engjëllin e vet Gjonit, shërbëtorit të vet,

2i cili dëshmon gjithçka ka parë është fjalë e Hyjit dhe dëshmi e Jezu Krishtit:

3I lumi ai që i lexon edhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie dhe zbatojnë ato që janë të shkruara në të. Sepse, koha e caktuar është afër!

4Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi: paçi hir dhe paqe prej Atij që është, që ishte dhe që po vjen dhe prej shtatë shpirtrave që janë para fronit të Tij

5dhe prej Jezu Krishtit, Dëshmitarit besnik, të Parëlindurit ndër të vdekur, Sunduesit të mbretërve të tokës! Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet,

6që na bëri Mbretëri, priftërinj për Hyjin, Atin e vet, - Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj [të shekujve]. Amen

7Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy edhe ata që e shporuan dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij. Po! Amen!

8Unë jam Alfa dhe Omega - thotë Zoti Hyj, - Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithpushtetshmi.

Gjoni sheh Krishtin

9Unë Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri dhe në qëndresë në Jezusin: isha për shkak të fjalës së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit në ishullin që quhet Patmos.

10Një ditë të Diel pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete,

11që më thoshte: »Çka po sheh, shkruaj në libër dhe dërgojau shtatë kishave: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice!«

12U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandana të artë

13dhe në midis të shandanave dikënd si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës,

14kryet e tij dhe flokët i kishte të bardhë porsi leshi i bardhë, porsi bora e sytë e tij porsi flaka e zjarrit;

15këmbët e tija ishin porsi bronzi i lëmuar, i skuqur në furrë; zëri i tij porsi ushtima e ujërave të mëdha;

16në dorën e djathtë mbante shtatë yje, nga goja e tij dilte një shpatë dy tehesh, e mprehtë, fytyra e tij porsi dielli kur ndriçon me plot fuqinë e vet.

17Kur e pashë, rashë para këmbëve të tija porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: »Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Sprapsmi,

18i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!

19Shkruaj, pra, çka pe: çka është dhe çka do të ndodhë më vonë!

20Lidhur me fshehtësinë e shtatë yjeve që i pe në të djathën time dhe lidhur me shtatë shandanat e artë: shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, kurse shtatë shandanat janë shtatë kishat.