Të gjithë kapitujt

1 e Korintasve · Kapitulli 10

Qortim rreth idhujtarisë, Gjithçka për nderin e Hyjit

33 vargje

Qortim rreth idhujtarisë

1Vëllezër, dua që patjetër ta dini: etërit tanë të gjithë qenë nën re, të gjithë kaluan nëpër det

2dhe të gjithë qenë pagëzuar në Moisiun me re e me det

3dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror,

4dhe të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti.

5Por shumica nuk i pëlqeu Hyjit, mbasi qenë vrarë në shkreti.

6Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos i lakmojmë të së keqes, sikurse i lakmuan ata.

7As mos u bëni idhujtarë, sikurse disa prej tyre, si është në Shkrim shenjt: ‘U ul populli të hajë e të pijë, pastaj u ngritën të lozin.’

8As mos të jepemi mbas fëlligështisë, sikurse u dhanë disa prej tyre, e mbaruan në një ditë njëzet e tri mijë vetë.

9As mos ta vëmë në provë Zotin, sikurse disa prej tyre e sprovuan dhe sharruan prej gjarpërinjsh.

10As mos nynykatni si nynykatën disa prej tyre dhe ëngjëlli Shfarues i vrau.

11Të gjitha këto u ndodhën atyre që të shërbejnë si shembull e u shkruan për mësimin tonë, për të cilët arriti mbarimi i kohës.

12Kush, pra, mendon se qëndron, të ruhet të mos rrëzohet!

13Vështirësitë në të cilat qetë vënë, nuk ishin jashtë masës njerëzore. Hyji është besnik. Ai nuk do të lejojë t’u shtroheni provave që i tejkalojnë fuqitë tuaja e, bashkë me prova, do t’ju japë rrugëdalje e forcë për t’u qëndruar.

14Prandaj, o të dashurit e mi, ikni nga idhujtaria!

15Flas me ju si me njerëz të arsyeshëm: gjykoni vetë çka po them:

16Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit? Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit?

17Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke.

18Shikoni Izraelin thjesht si popull: ata që hanë nga flitë a thua nuk janë pjesëmarrës të lterit?

19Çka, pra, dua të them: se flia kushtuar idhullit është diçka? Ose idhulli është diçka?

20Mu, të kundërtën! Porse [paganët] u flijojnë djajve e jo Hyjit; e unë nuk dua të bëheni pjesëtarë të djajve.

21Nuk dua ta pini gotën e Zotit dhe gotën e djajve. Nuk mund të jeni pjesëtarë të tryezës së Hyjit dhe të tryezës së djajve.

22A mos mendojmë ta nxisim xhelozinë e Zotit? A mos jemi më të zotët se Ai?

Gjithçka për nderin e Hyjit

23»Gjithçka është e lejueshme!« »Por gjithçka nuk ka hije!« »Gjithçka është e lejueshme!« »Por gjithçka nuk ndërton!«

24Askush të mos e kërkojë interesin e vet, por interesin e tjetrit.

25Gjithçka shitet në treg, hane lirisht pa bërë pyetje sa i përket ndërgjegjes,

26‘Sepse e Zotit është toka dhe gjithçka është në të.’

27Po ndodhi e ju thirri ndonjë i pafe dhe ju pranoni të shkoni, hani çka t’ju vihet para duke mos pyetur gjë sa për arsye të ndërgjegjes.

28Nëse ndokush ju thotë: »Është mish i flijuar idhujve!« - mos e hani për arsye të atij që ju përkujtoi dhe të ndërgjegjes

29- të ndërgjegjes, mendoj, të atij që të përkujtoi e jo të ndërgjegjes sate. E njëmend, pse ta gjykojë lirinë time ndërgjegjja e huaj?

30Në qoftë se unë marr pjesë me falënderim, përse të prozhmohem për atë gjë, për të cilën falënderoj?

31Pra, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit.

32Mos jini, veç rast shkandulli as për hebrenj, as për grekë, as për Kishën e Hyjit,

33sikurse edhe vetë mundohem t’u pëlqej të gjithëve pa kërkuar dobinë time, por dobinë e të gjithëve, që të mund të shëlbohen.