Të gjithë kapitujt

1 e Korintasve · Kapitulli 9

Pali heq dorë nga të drejtat që i takojnë si apostull

27 vargje

Pali heq dorë nga të drejtat që i takojnë si apostull

1Po unë, a nuk jam i lirë? A nuk jam apostull? Po a nuk e pashë unë Jezusin, Zotin tonë? Po a nuk jeni ju vepra ime në Zotin?

2Në qoftë se për tjerët nuk jam apostull, për ju jam patjetër, sepse vula që më bën apostull jeni ju në Zotin.

3Përgjegjja ime atyre që më padisin është kjo:

4A thua nuk kemi të drejtë të hamë e të pijmë (në barrën tuaj)?

5A thua nuk kemi të drejtë të marrim me vete një femër të krishterë, sikurse edhe apostujt tjerë, vëllezërit e Zotit e Kefa?

6A thua se vetëm unë e Barnaba nuk e kemi të drejtën të mos punojmë?

7Po kush shërbeu ndonjë herë në ushtri në shpenzime të veta? Kush e mbjell vreshtin e nuk ha fryt prej saj? Kush e ruan grigjën e nuk pi nga qumështi i grigjës?

8A mos po flas unë kështu në mënyrë vetëm njerëzore? Pse, a nuk e thotë po të njëjtën gjë edhe Ligji?

9Sepse në Ligjin e Moisiut shkruan: ‘Mos ia lidh gojën kaut që shin!’ A mos trazohet Hyji për qe?

10Po a nuk flet për ne? Vërtet, për ne u shkrua, sepse kush lëvron, në shpresë duhet të lëvrojë dhe kush shin, duhet të shpresojë se do ta marrë pjesën.

11Nëse, pra, mbollëm në ju të mirat shpirtërore, a thua është punë e madhe nëse u korrim të mira materiale?

12Nëse tjerët e ushtrojnë këtë të drejtë mbi ju, pse nuk do ta ushtronim edhe ne, madje më tepër? Por, ne nuk e përdorëm këtë të drejtë. Përkundrazi, ne i durojmë të gjitha për të mos i vënë ndonjë pengim Ungjillit të Krishtit.

13Po, a nuk e dini se ata që kryejnë shërbesën në Tempull, ushqehen prej të ardhurave të Tempullit dhe ata që i shërbejnë lterit, kanë pjesën e vet në kushte të lterit?

14Kështu Zoti ka caktuar që ata, të cilët shpallin Ungjillin, të jetojnë prej Ungjillit.

15E unë nuk e përdora asnjërën prej këtyre; dhe tani nuk po ju shkruaj me qëllim që tash të silleni me mua kështu: më parë vdes se… Këtë lavdi nuk do të ma marrë askush!

16Sepse, të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua, është detyrë që më duhet ta kryej: i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin!

17Nëse e bëj këtë me nisiativën time, atëherë më takon paga, por, nëse jo prej nisiativës sime - është detyrë që më është besuar.

18Cila atëherë është paga ime? Që, duke predikuar Ungjillin, ta jap falas, pa i përdoruar të drejtat që m’i jep Ungjilli.

19Sepse, edhe pse unë jam i lirë prej të gjithëve, vetveten e bëra skllavin e të gjithëve që të fitoj për fe sa më shumë njerëz.

20Prandaj, për judenj u bëra jude, që t’i fitoj judenjtë për fe; për ata nën Ligj, sikurse të isha nën Ligj - edhe pse më nuk jam nën Ligj - që t’i fitoja për fe ata që janë nën Ligj;

21për ata që janë pa Ligj sikurse të isha pa ligj - edhe pse nuk jam pa Ligjin e Hyjit, pse jam në Ligjin e Krishtit - që t’i fitoja për fe ata që janë pa Ligj;

22u bëra i ligshtë për të ligshtit. Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin.

23E të gjitha këto i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të.

24Po a nuk e dini se ata që vrapojnë në fushë vrapimi, ndonse të gjithë vrapojnë, vetëm njëri e fiton shpërblimin? Ashtu vraponi që të fitoni!

25Të gjithë atletët i bëjnë vetes shtrëngime të mëdha; ata për të fituar kurorën e shkatërrueshme e ne kurorën që nuk shkatërrohet.

26Unë, prandaj, ashtu vrapoj - jo si pa qëllim, ashtu grushtoj - jo si të gjuaja ajrin,

27por e marr me të keq trupin tim dhe e mbaj nën sundim që, duke u pasë predikuar të tjerëve, të mos jem i përjashtuar vetë.