Të gjithë kapitujt

1 e Korintasve · Kapitulli 11

Si duhet të rrijë burri e gruaja në praninë e Hyjit, Shpërdorimi i Darkës së Zotit, etj.

34 vargje

1Më përngjani mua, sikurse unë i përngjaj Krishtit.

Si duhet të rrijë burri e gruaja në praninë e Hyjit

2Ju lavdëroj që më kujtoni në gjithçka dhe që i ruani traditat ashtu si jua kam pasë mësuar.

3Por dua që ta dini: kryetari i çdo njeriu është Krishti, kryetari i gruas është burri e kryetari i Krishtit është Hyji.

4Çdo burrë që lutet apo profetizon me krye të mbuluar, turpëron kryetarin e vet.

5Çdo grua që lutet apo profetizon me krye të zbuluar, turpëron kryetarin e vet: sepse është njënjë sikurse t’i kishte qethur flokët.

6E po ndodhi që ndonjë grua nuk do ta mbulojë kryet, le të qethet; por, në qoftë se është turp për grua ta qethë e ta rruajë kryet, atëherë le të mbulohet.

7Përkundrazi, burri nuk ka nevojë ta mbulojë kryet sepse është shëmbëlltyra e lavdisë së Hyjit; ndërsa gruaja është nderi i burrit.

8Sepse nuk është burri prej gruas, por gruaja prej burrit.

9Dhe burri nuk u krijua për arsye të gruas, por gruaja për arsye të burrit.

10Prandaj, gruaja duhet ta mbartë mbi krye shenjën e »varshmërisë«, për shkak të engjëjve.

11Megjithëse, në Zotin, as s’është burri i pavarur nga gruaja e as gruaja nga burri.

12Sepse, sikurse gruaja që është prej burrit, ashtu edhe burri lind prej gruas: e gjithçka vjen prej Hyjit.

13Gjykoni ju vetë: a ka hije që gruaja të lutet para Hyjit me krye të zbuluar?

14Po a nuk ju mëson edhe vetë natyra, se nuk i ka hije mashkullit t’i lëshojë flokët e gjatë,

15kurse për femër flokët e gjatë janë nder, sepse [asaj] i qenë dhënë si mbulesë.

16Por, në qoftë se ndokush mendon se ka të drejtë të kundërshtojë, le ta dijë se kjo doke nuk është ndër ne as në kishat e Hyjit.

Shpërdorimi i Darkës së Zotit

17E, pasi jam duke i dhënë këto vërejtje, nuk mund t’ju lavdëroj: bashkimet tuaja nuk po ju sjellin dobi shpirtërore, por më tepër dëm.

18Më së pari po dëgjoj - e pjesërisht e besoj - se kur bashkoheni në Mbledhje po paska midis jush mosmarrëveshje.

19Njëmend, duhet të jenë ndër ju dasi, në mënyrë që të dalin në shesh [edhe] ata që ndër ju janë të krishterë të vërtetë.

20Kur ju, pra, mblidheni së bashku kështu, kjo gjë nuk do të thotë se hani Darkën e Zotit,

21pasi, secili, kur merr pjesë në Darkë, kërkon të hajë një herë ushqimin që ka sjellë me vete, kështu që, dikush mbetet i uritur e tjetri dehet.

22Po a thua nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? A mos doni të përbuzni Kishën e Hyjit e t’i turpëroni ata që nuk kanë? Çka t’ju them? T’ju lavdëroj? Në këtë gjë s’ju lavdëroj.

Themelimi i Darkës së Zotit

23Verevërtet atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve ua mësova, d.m.th. se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën,

24u falënderua, e theu dhe tha: »Ky është Korpi im - për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!«

25Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: »Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!«

26Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e të pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, deri që Ai të vijë.

Pjesëmarrja e padenjë në Darkën e Zotit

27Prandaj, kushdo ha bukën ose pi kelkun e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i Korpit e i Gjakut të Zotit.

28Për këtë arsye secili më së pari ta shqyrtojë mirë veten e veç atëherë të hajë prej kësaj Buke e të pijë prej këtij Kelku.

29Sepse, kushdo ha e pi - në qoftë se nuk e dallon Korpin e Zotit prej ushqimeve të tjera - ha e pi dënimin e vet.

30Ja, pra, arsyeja pse shumë prej jush janë të dobët, shumë të sëmurë, madje shumë edhe vdesin.

31E pra, po ta shqyrtonim mirë veten, nuk do të dënoheshim.

32E kur na gjykon Hyji, na edukon, që të mos dënohemi bashkë me botën.

33Prandaj, vëllezërit e mi, kur të bashkoheni në Darkë, pritne njëri-tjetrin.

34E, nëse ndokush është i uritur, le të hajë në shtëpi, në mënyrë që të mos bashkoheni për dënim. Të tjerat do t’i rregulloj kur të vij.