Të gjithë kapitujt

1 e Korintasve · Kapitulli 14

Gjuhët dhe profecitë, Rregulla praktike si duhen përdorur dhuratat

40 vargje

Gjuhët dhe profecitë

1Kërkoni të fitoni dashurinë. Dëshironi edhe dhuratat e Shpirtit Shenjt, sidomos atë të profecisë.

2Sepse, ai që flet gjuhë të huaj, flet me Hyjin e jo me njerëz: askush nuk e merr vesh, sepse me anë të Shpirtit flet sende të fshehura.

3Kurse, ai që profetizon u flet njerëzve: edukon, qorton, ngushëllon.

4Ai që flet në gjuhë të huaj edukon veten, kurse ai që profetizon, edukon bashkësinë.

5Dëshiroj që të gjithë ju të flisni në gjuhë të ndryshme, por më tepër dëshiroj të profetizoni, sepse më i madh është ai që profetizon se ai që flet në gjuhë të ndryshme, përveç se në shtjelloftë për edukimin e Kishës.

6Zini tani, vëllezër, se unë po vij te ju e po ju flas në gjuhë të ndryshme. Çka do t’ju vlente, po të mos ju tregoja ndonjë zbulesë, ose ndonjë njohuri, o profeci apo mësim?

7Nëse, pra, veglat muzikore, që nuk janë të gjalla - flauti ose cetra, nuk japin tinguj të qartë, si do të mund të merret vesh çka ekzekutohet me flaut ose me cetër?

8Po edhe boria, nëse jep tingull jo të qartë, kush do të bëhej gati për luftim?

9Po kështu edhe ju, nëse gjuha juaj nuk flet fjalë të kuptueshme, si do të merret vesh çka thoni? Fjalë në erë!

10E në botë ka, kush e di se sa lloj fjalësh - e secila e ka vështrimin e vet.

11Tashti, nëse nuk ia di vështrimin fjalës, unë do të jem i huaj për atë që flet dhe ai që flet, i huaj për mua.

12Kështu edhe ju, pasi dëshironi me gjithë zemër t’i keni dhuratat e Shpirtit Shenjt, bëni çmos t’i keni me begati për edukimin e Kishës.

13Prandaj, ai që flet në gjuhë të ndryshme, le të lutet për ta fituar dhuratën e shtjellimit.

14Në qoftë se lutem në gjuhë të huaj, shpirti im lutet, por mendja ime nuk sjell fryt.

15Çka të bëj, pra? Do të lutem me shpirt, por do të lutem edhe me kuptim. Do të këndoj me shpirt, por do të këndoj edhe me kuptim.

16Sepse, në qoftë se e bekon Hyjin me shpirt, si do të përgjigjë: »Amen« në falënderimin tënd, ai që është pjesëtar i dëgjuesve të thjeshtë pasi ai nuk di çka thua ti?

17Ti, njëmend, falënderohesh një bukuri, por tjetri nuk ndërtohet.

18Faleminderit Hyjit, unë flas në gjuhë të huaja më tepër se ju të gjithë,

19porse, në një mbledhje më tepër dëshiroj të them vetëm pesë fjalë që merren vesh për mësim të tjerëve, se sa dhjetë mijë fjalë në gjuhë të huaja.

20Vëllezër, mos jini më fëmijë përkah kuptimi, por të jeni fëmijë përkah e keqja, kurse të rritur përkah kuptimi.

21Në Ligj është shkruar: ‘Unë do t’i flas këtij populli - thotë Zoti - në gjuhë të huaja e me buzë të huaja dhe as ashtu nuk do të më dëgjojnë.’

22Këndej, gjuhët e huaja nuk janë shenjë për besimtarët, por janë shenjë për ata që nuk besojnë, e përkundrazi, profecia është shenjë për besimtarët e jo për ata që nuk besojnë.

23Po e zëmë, se, për shembull, bashkohet mbarë Kisha dhe të gjithë flasin në gjuhë të huaja e, ndërkaq hyjnë asish që s’kanë njohuri ose nuk besojnë, a thua se nuk do të mendojnë se jeni marruar?

24Kurse, në qoftë se të gjithë profetizojnë, i pafeu ose dëgjuesi i thjeshtë që hyn, për të çdo gjë bëhet qortim dhe dënim.

25Atëherë zbulohen fshehtësitë e zemrës së tij. Kështu ai do të bjerë përmbys dhe do ta adhurojë Hyjin duke pranuar: »Hyji është me të vërtetë midis jush!«

Rregulla praktike si duhen përdorur dhuratat

26Çka të bëhet atëherë, vëllezër? Kur të bashkoheni, ndonjëri mund të këndojë një psalm, tjetri ka një mësim, ka një zbulesë, ka një fjalim në gjuhë, ka sqarim gjuhësh - le të bëhen të gjitha për ndërtimin e përbashkët.

27Nëse flitet në gjuhë të huaja, le të flasin dy - më së shumti tre - por edhe këta me rend, dhe njëri le të shpjegojë.

28Pra, nuk ka kush të përkthejë, ai që di gjuhë të huaj le të heshtojë në bashkësi, le të meditojë e të flasë me Hyjin.

29Lidhur me profetët, le të flasin dy ose tre e tjerët le të gjykojnë.

30Por, po qe se ai afër tij ka ndonjë zbulesë, atëherë i pari le të heshtojë.

31Një nga një, të gjithë mund të profetizoni, në mënyrë që të gjithë të mësojnë e të nxiten kah e mira.

32Profetët zotërojnë me shpirtin frymëzues të vetin,

33sepse Hyji nuk është shkaktues shrregullimesh, por i paqes. Sikurse edhe në të gjitha kishat e shenjtërve,

34gratë le të heshtojnë në Mbledhje: nuk është e lejueshme të flasin; por, sikurse edhe Ligji thotë, le të dëgjojnë.

35Po dëshiruan të mësojnë ndonjë send, le t’i pyesin burrat e vet në shtëpi, sepse nuk i ka hije gruas të flasë në Mbledhje.

36A thua ndoshta fjala e Hyjit ka rrjedhur prej jush ose ka arritur vetëm te ju?

37Në qoftë se ndokush mendon se është profet ose i frymëzuar, le ta dijë: çka po ju shkruaj është urdhër i Zotit.

38Kush nuk e pranon, as ai të mos pranohet.

39Prandaj, o vëllezër [të mi], dëshironi dhuratën e profecisë, por mos pengoni të flasin në gjuhë të huaja,

40e gjithçka le të bëhet në mënyrë të ndershme e rregullisht.