Të gjithë kapitujt

1 e Korintasve · Kapitulli 3

Edukimi i njerëzve për Hyjin

23 vargje

Edukimi i njerëzve për Hyjin

1E vetë, vëllezër, nuk munda t’ju predikoj porsi njerëzve shpirtërorë, por porsi qenësve tokësorë, porsi foshnjave në Krishtin.

2Ju dhashë të pini qumësht e jo ushqime të forta, sepse ende nuk mund i bluanit. Po, madje as tani s’jeni në gjendje,

3sepse ende jeni tokësorë. Dhe, njëmend, derisa në mes jush të ketë smirë e grindje, a thua nuk jeni tokësorë, a thua nuk silleni në mënyrë të njeriut thjesht lëndor?

4Sepse, kur ndonjëri thotë: »Unë jam i Palit« e një tjetër: »Unë jam i Apolit«, a nuk jeni vetëm njerëz thjesht natyrorë?

5Po çka është Apoli? Çka është Pali? Shërbëtorë, me anë të të cilëve ju e pranuat fenë. Secili veproi sipas dhuratave që Hyji i dha:

6Unë mbolla, Apoli lagu, por Hyji bëri që të rritet.

7Kështu: nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet.

8Ai që mbjell e ai që lag janë të barabartë. Secili sipas mundit që të ketë bërë, do ta marrë shpërblimin.

9Sepse ne punojmë së bashku në punën e Hyjit; e ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.

10Sipas hirit që Hyji ma ka dhënë, unë, porsi arkitekt i mirë, vura themelin, një tjetër vazhdon me mur mbi të; por secili t’ia vërë mendjen si mbimuron.

11Sepse, askush nuk mund të vërë tjetër themel, përveç atij që është vënë, e ai është Jezu Krishti.

12Si kush të ndërtojë mbi këtë themel me ar, me argjend, me gur të paçmueshëm, me dru, me sanë, me kashtë -

13vepra e secilit do të dalë në dritë. Ajo Ditë do ta tregojë, sepse do të vijë me zjarr, e zjarri do ta provojë cilësinë e veprës të secilit.

14Ai, vepra e të cilit do të qendrojë, do të marrë shpërblimin.

15Po iu dogj vepra ndokujt, ai do të pësojë dëm; njëmend do të shëlbohet, por si ai që shpëton nëpër zjarr.

16Po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju?

17Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë - e ky Tempull jeni ju!

18Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë.

19Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.’

20dhe përsëri: ‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve, e di se janë të kota.’

21Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja:

22Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhshmja! Gjithçka është juaja,

23ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!