Të gjithë kapitujt

1 e Korintasve · Kapitulli 4

Shërbesa e apostujve

21 vargje

Shërbesa e apostujve

1Prandaj, gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit.

2Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik.

3Sa për mua, aspak nuk jam në kujdes se më gjykoni ju apo çfardo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten.

4Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti.

5Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t’i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.

6Me këto fjalë, vëllezër, e mora për shembull veten e Apolin për mësimin tuaj, që në ne ta kuptoni fjalën. ‘Jo përtej se çka është e shkruar!’ që të mos krenoheni me njërin kundër tjetrit.

7E njëmend, kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh kinse s’e ke marrë?

8Tani u ngitë! Tani u bëtë të pasur! Pa ne u bëtë mbretër! Ku të merrej ai fat, se vërtetë u bëtë mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju!

9E pra, unë mendoj se Hyji ne, apostujve, na ka vënë në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje: lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit;

10ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin, - ne të dobët, ju të fortë, ju të nderuar e ne të përbuzur,

11deri tani s’ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplang e të pashtëpi,

12lodhemi duke punuar me duart tona. Na shajnë e ne flasim mirë për ta, na salvojnë e ne durojmë;

13na shpifen e ne ngushëllojmë. U bëmë deri në sot porsi plehrat e botës, porsi të fshirat e gjithkujt!

14Nuk po jua shkruaj këto që t’ju turpëroj, por që t’ju qortoj si fëmijët e mi të dashur.

15Sepse, edhe po t’i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin.

16Prandaj, ju përbej: më përngjani!

17Po për këtë punë jua dërgova Timoteun, që e kam bir të dashur dhe besnik në Zotin. Ky do t’ju përkujtojë udhëzimet e mia në Krishtin (Jezus): gjithçka ashtu sikurse mësoj gjithkund, në çdo kishë.

18Tani disa, duke menduar se unë nuk do të vij atje te ju, çuan krye e po shesin mendjemadhësi!

19Por, ja, nuk do të vonoj, në dashtë Zoti, e do të vij te ju dhe do të shqyrtoj, jo fjalët e atyre mendjemëdhenjve, por veprat e tyre,

20sepse Mbretëria e Hyjit nuk qëndron në fjalë, por në virtyt.

21Çka më tepër dëshironi: të vij te ju me thupër apo me dashuri e me shpirt butësie?