Të gjithë kapitujt

1 e Pjetrit · Kapitulli 3

Gratë e burrat, Vuajtjet për hir të drejtësisë

22 vargje

Gratë e burrat

1Gjithashtu edhe ju, gra, dëgjojini burrat tuaj në mënyrë që, nëse ndoshta disa nuk e dëgjojnë fjalën e Ungjillit, të mund të fitohen pa nevojën e fjalës me anë të sjelljes së mirë të grave të veta,

2duke vërejtur sjelljen tuaj të pastër e të ndershme.

3Stolia juaj të mos jetë e jashtme - flokë të gërshetuar, stolisje me ar, veshje petkash luksi -

4por mundohuni të stolisni zemrën me shpirt bukurie të pakalueshme, të butë e të ëmbël, që është e çmueshme para Hyjit.

5Sepse kështu dikur u stolisën gratë e shenjta që shpresonin në Hyjin. Ato i dëgjonin burrat e tyre.

6Sara aq iu bind Abrahamit sa që e quante »zotëri«. Jeni bijat e saja në qoftë se veproni mirë pa u trazuar nga asnjë frikë.

7Kështu, edhe ju burra, bashkëjetoni në mënyrë të njerëzishme me gratë tuaja duke pasur parasysh natyrën më delikate të femrës; kini nderim për to, sepse edhe ato bashkë me ju, do ta trashëgojnë hirin e Jetës, në mënyrë që të mos pengohen lutjet tuaja.

Vuajtjet për hir të drejtësisë

8Më në fund, jini të gjithë një mendimi, të dhimbshëm, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm, të përvuajtur.

9Mos e ktheni të keqen me të keqe, as fyerjen me fyerje! Por përkundrazi, bekoni, sepse për këtë edhe u grishët: që të trashëgoni bekimin.

10E njëmend: »Kush dëshiron ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gjuhën nga e keqja dhe buzët nga fjalët gënjyese,

11ti ikë të keqes e të bëjë të mirën, ta kërkojë paqen e të shkojë pas saj«.

12Sepse: »Sytë e Zotit priren mbi të drejtët dhe veshët e tij dëgjojnë me vëmendje lutjet e tyre, kurse fytyra e Zotit sillet kundër atyre që bëjnë të keqen«.

13Kush do t’iu bëjë keq nëse do të jeni të zellshëm të bëni të mirën?

14por, edhe nëse ndoshta do t’iu duhet të vuani për shkak të drejtësisë, të lumët ju! Frikësimin e tyre aspak mos e druani as mos u trazoni,

15veçse adhuroni në shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm ti jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju,

16por me butësi dhe me nderimin e duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, pikërisht në atë pikë, në të cilën juve ju shpifen, të mbesin të turpëruar.

17Përnjëmend është më mirë të hiqni keq - nëse është vullneti i Hyjit - duke bërë mirë se duke bërë keq.

18E njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkate (tona), i Drejti për të padrejtët që t’iu shpiente te Hyji - njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit

19Në të edhe shkoi tu predikojë shpritrave në burg,

20që nuk u bindën dikur, kur duresa e Hyjit priste gjatë, në kohën e Noehit ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën pak vetë - vetëm tetë frymë shpëtuan me ujë.

21Ky ujë - shëmbëllesë e pagëzimit që tani ju shëlbon: ky nuk është pastrim ndyrësie të trupit, por lutje e drejtuar Hyjit për ndërgjegje të pastër, nëpër ngjalljen e Jezu Krishtit,

22që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit pasi i nënshtroi Engjëjt, Pushtetet dhe Fuqitë.