Të gjithë kapitujt

1 e Selanikasve · Kapitulli 3

Veprimtaria e Palit në Selanik, Dëshira e Palit të vizitojë përsëri Kishën (2)

13 vargje

1Prandaj, kur s’mundëm më të durojmë, vendosëm të qendrojmë vetëm në Athinë

2dhe dërguam Timoteun, vëllanë tonë dhe bashkëpunëtorin e Hyjit në përhapjen e Ungjillit të Krishtit, që t’ju forcojë dhe t’ju japë zemër në fe,

3në mënyrë që askush prej jush të mos lëkundet në këto vështirësi. Sepse edhe ju vetë e dini se jemi të caktuar për këtë:

4vërtet, kur ishim ndër ju, ju kemi parakallëzuar se do të na ndodhin këso vështirësish, gjë që, sikurse e dini, edhe ndodhën.

5Prandaj edhe vetë, duke mos mundur të duroj më, e dërgova që të mund ta di gjendjen e fesë suaj, prej frikës se mos ju ka tunduar Tunduesi dhe mos na ka shkuar mundi hupës.

6Por tani, kur u kthye Timoteu prej jush ndër ne dhe na solli lajmin e gëzueshëm të fesë dhe të dashurisë suaj dhe se na mbani në kujtim të mirë dhe dëshironi të na shihni - sikurse edhe ne ju,

7këndej, o vëllezër, në midis të këtyre vështirësive dhe provave që kemi, gjetëm në ju ngushëllim në saje të fesë suaj.

8Jo, po, tani rijetojmë, mbasi ju jeni të qëndrueshëm në Zotin!

9Dhe, me ç’falënderje do të mund ta falënderojmë Hyjin për ju, për të gjithë këtë gëzim me të cilin galdojmë për shkak tuaj para Hyjit tonë.

10Natë e ditë lutemi me gjithë afsh të zemrës që të mund ta shohim fytyrën tuaj dhe të plotësojmë çka ende i mungon fesë suaj.

11Dhe Hyji vetë, Ati ynë, dhe Jezusi, Zoti ynë, e drejtoftë udhën tonë kah ju!

12Bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të gjithë njerëzve siç është dashuria jonë ndaj juve!

13Ai i forcoftë zemrat tuaja në shenjtëri të patëmetë para Hyjit dhe Atit tonë për Ardhjen e Zotit tonë Jezusit me të gjithë shenjtërit e tij.