Të gjithë kapitujt

1 e Selanikasve · Kapitulli 5

Qortimet dhe përshëndetjet e fundit

28 vargje

1Dhe përsa i përket kohës dhe momentit, vëllezër, as nuk është nevoja t’ju shkruaj,

2sepse vetë e dini mirë se Dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën.

3Ndërsa njerëzit do të thonë: »Ç’paqe dhe ç’siguri!«, shi atëherë, porsi dhimbjet e lindjes të gruas shtatzënë do të vijë papritmas mbi ta rrënimi dhe nuk do të mund të shpëtojnë.

4Porse ju, o vëllezër, nuk jeni në terr që Dita e Zotit t’ju vijë me befasi porsi vjedhësi:

5sepse ju të gjithë jeni bijtë e dritës e të ditës! Pra, nuk jemi të natës e të territ!

6Atëherë të mos flejmë porsi tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të përkormë!

7Sepse ata që flejnë, flejnë natën dhe ata që dehen, dehen natën,

8ndërsa ne që jemi të ditës, të jemi të përkormë, të veshim për pancir fenë dhe dashurinë, kurse për përkrenare që na shpëton ta vëmë shpresën!

9Sepse Hyji nuk na ka caktuar për të qenë ndëshkuar me drejtësinë hakmarrëse të tijën, por që ta fitojmë shpërblimin nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin,

10i cili vdiq për ne që - ende të gjallë ose të vdekur - të jetojmë bashkë me Të.

11Prandaj, ngushëlloni njëri-tjetrin, ndërtoni njëri-tjetrin, ashtu siç jeni duke bërë.

Qortimet dhe përshëndetjet e fundit

12Ju bëjmë lutje, vëllezër, dëgjoni ata që veprojnë ndër ju, që kujdesen për ju në Zotin dhe që ju qortojnë;

13çmoni dhe nderoni me dashuri për arsye të veprimtarisë që kryejnë ndër ju! Jetoni në paqe me shoqi-shoqin!

14Ju nxisim, vëllezër, t’i qortoni ata që nuk jetojnë në rregull, jepnu zemër frikacakëve, ndihmoni të ligshtët, jini bujarë me të gjithë!

15Viniani mendjen që askush të mos ia kthejë askujt të keqen me të keqe, por gjithmonë bëni të përparojë e mira ndër ju dhe kundrejt gjithkujt!

16Gëzohuni gjithmonë!

17Lutuni pa pushim!

18Për gjithçka falënderohuni! Sepse, në lidhje me ju, ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin!

19Mos e pengoni Shpirtin Shenjt të veprojë në ju!

20Profecitë mos i përbuzni!

21Çdo gjë shqyrtoni me kujdes: mbani të mirën!

22Çdo lloji të keqeje rrini larg!

23Dhe Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj - shpirti, jeta dhe trupi - u ruajtë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit!

24Besnik është Ai që ju thërret: Ai do të bëjë ashtu!

25Lutuni edhe për ne, o vëllezër!

26Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë!

27Ju përbetoj me Zotin: kjo letër le t’ju lexohet të gjithë vëllezërve.

28Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me ju!