Të gjithë kapitujt

1 i Makabenjve · Kapitulli 3

III. JUDA MAKABE KRYETARI I JUDENJVE, Lavdërim Judës Makabe, etj.

60 vargje

III. JUDA MAKABE KRYETARI I JUDENJVE

/166 - 160. PARA Kr./

Lavdërim Judës Makabe

1Në vend të tij u vu i biri, Juda që quhet Makabé.

2I ndihmonin të gjithë vëllezërit e tij si edhe të gjithë ata që i ishin mbështetur babës së tij. Me gëzim luftonin luftën e Izraelit.

3Zërin e mirë ia hapi popullit të vet, si vigan në pancir u vesh, armët e luftës në ijë i ngjeshi e në luftime të ashpra ra duke mbrojtur me shpatë fushimin!

4Në luftëra qe porsi luani, zog luani kur në gjoje ulëron!

5I ndoqi të këqijtë duke i gjurmuar, i dogj përndjekësit e popullit të vet.

6Prej frikës së tij u strukën të mbrapshtët, të turpëruar bakëqijtë mbetën, përparoi në dorë të tij shpëtimi!

7Shumë mbretërve u shkaktoi kokëçarje e Jakobin me vepra e kënaqte; për jetë të jetës do të jetë i bekuar kujtimi i tij.

8I përshkoi qytetet e Judës, i shpërndau të patenzonët prej tij e ia hoq Izraelit hidhërimin.

9I shkoi zëri deri në skajet të tokës, i bashkoi ata që kishin tretur.

Arritjet e para të Judës

10Apoloni bashkoi disa paganë dhe një ushtri të madhe nga Samaria për të luftuar kundër Izraelit.

11E mori vesh Juda dhe i doli para ta ndeshë. E mundi dhe e vrau. Shumë mbetën të plagosur për vdekje e të tjerët morën ikjen.

12Morën pre prej tyre. Juda e mori shpatën e Apolonit. E përdoroi në luftë gjatë gjithë jetës së vet.

13Kur Seroni, komandanti i ushtrisë së Sirisë, mori vesh se Juda kishte bashkuar rreth vetes njerëz besimtarë e të gatshëm për luftë,

14tha: »Do t’i qes zërin vetes e do të nderohem me lavdi në mbretëri. Do ta mundi Judën dhe ata që janë me të, dhe e përbuzin urdhrin e mbretit.«

15U nis, pra, ai e me të një ushtri shumë e fortë të patenzonësh si ndihmë e tij për t’iu ahmarrë izraelitëve.

16U afrua deri në tatpjetën e Betoronit e Juda i doli para me pak njerëz.

17Kur e panë ushtrinë, duke u afruar përballë tyre, njerëzit i thanë Judës: »Si do të mundemi ne kaq pak të luftojmë kundër një ushtrie kaq të madhe? Për më tepër jemi të këputur se sot s’kemi ngrënë asgjë!«

18Juda u përgjigji: »Është punë e lehtë që shumica të bjerë në duar të pakicës. S’ka dallim për Qiellin të shpëtojë me anë të shumicës ose të pakicës,

19sepse fitorja në luftë nuk varet nga ushtria e madhe, por fuqia që vjen nga Qielli.

20Këta vijnë kundër nesh plot kreni e bakeqësi për të na zhbirë ne, gratë tona e bijtë tanë e për të na plaçkitur,

21kurse ne luftojmë për të shpëtuar jetën e ligjet tona.

22Vetë Zoti do t’i asgjësojë para syve tanë! Mos ua kini aspak frikën!«

23Si foli kështu, u sul papritmas kundër tyre. Para Judës u shpartallua Seroni e ushtria e tij.

24I ndoqi shpatit të Betoronit deri në fushë. Prej tyre mbetën të vrarë tetëqind burra, kurse të tjerët ikën në krahinën e filistenjve.

25Kështu zuri të përhapet frika e Judës dhe e vëllezërve të tij dhe paganët përreth i pushtoi tmerri.

26Zëri i tij arriti deri te mbreti e të gjithë popujt flisnin për luftërat e Judës.

Përgatitjet e Antiokut kundër Persisë e Judës. Lizja qeveritar

27Kur Antioku i dëgjoi këto fjalë, u zemërua në shpirt. Dha urdhër dhe e bashkoi ushtrinë e mbarë mbretërisë së vet, ushtri veç ashtu të fortë.

28E hapi vishtarin e vet dhe e pagoi ushtrinë për një vjet dhe urdhëroi të jetë gati për çdo rast.

29E hetoi se po mungonin paratë në vishtarët e tij, sepse të marrat e krahinës ishin të vogla për shkak të dasive e të rrënimeve që kishte sjellë në vend shi pse kishte dashur t’i çrrënjosë doket që ishin në fuqi qysh nga kohët e lashta.

30U tremb se s’do të ketë me çka t’i mbulojë shpenzimet e të ndante dhurata, si ia kishte dalë të bëjë më se një herë më përpara pa e rrudhur dorën duke ua kaluar në këtë gjë mbretërve, paraardhësve të tij.

31Në një ngushticë të tillë shpirtërore, vendosi të shkojë në Persi për të bashkuar tatimet e krahinave e për të grumbulluar sa më shumë para.

32E la Lizjen, njeri bujar nga shtëpia mbretërore, t’i kryeushtrojë punët e shtetit nga lumi Eufrat deri në kufijtë e Egjiptit

33e ia la në kujdes Antiokun, të birin, deri që të kthehej.

34Ia la edhe gjysmën e ushtrisë me elefantë, i dha urdhrat lidhur me gjithçka kishte synuar sidomos që kishte të bëjë me banorët e Judesë e të Jerusalemit:

35i urdhëroi të çonte kundër tyre ushtri për ta zhdukur e çrrënjosur fuqinë e Izraelit e Tepricat e Jerusalemit, ta zhdukte kujtimin e tyre nga vendi,

36ta banojë mbarë vendin me njerëz të huaj dhe tokën t’ua ndajë me short.

37Mbreti mandej mori gjysmën tjetër të ushtrisë dhe e lëshoi Antiokinë, kryeqytetin e mbretërisë së vet, në vjetin njëqind e dyzet e shtatë; kaloi lumin Eufrat e vazhdoi të përshkojë krahinat e larta.

Gorgia e Nikanori i prijnë ushtrisë siriane në Jude

38Atëherë Lizja zgjodhi Ptolemeun, birin e Dorimenit, edhe Nikanorin e Gorginë, trima të zgjedhur për guxim ndër miqtë e mbretit

39dhe i nisi me ta dyzet mijë njerëz e shtatë mijë kalorës në Jude për ta shkretuar sipas urdhrit të mbretit.

40Këta u nisën me mbarë ushtrinë, arritën afër Emausit dhe aty në rrafshinë ngulën fushimin.

41Tregtarët e krahinës morën vesh për këtë gjë, morën argjend e ar me shumicë të madhe edhe vargje dhe erdhën në fushim të ushtrisë për t’i blerë si skllevër bijtë e Izraelit. Kësaj ushtrie iu shtua edhe ushtria e Sirisë dhe e vendeve të tjera.

42Juda e vëllezërit e tij panë se ishin shumuar të këqijat, se ushtria nguli fushimin në vendin e tyre, dëgjuan edhe për urdhrin e mbretit që e kishte dhënë të zhbihet populli e të shfaroset.

43Atëherë i thanë njëri-tjetrit: »Ta ngritin nga rrënimi popullin tonë, të luftojmë për popullin tonë e për tokat tona të shenjta!«

44Bashkuan kuvendin për t’u përgatitur për luftim, për t’u lutur e për të kërkuar hir dhe mëshirë.

45Pa banorë shkretë mbeti Ruzalemi, prej bijsh të tij kush s’hynte as s’dilte. Shenjtërorja me këmbë shqelmohej Bijtë e huaj në Fortesë qëndronin, për paganët erdhi e u bë han! Për Jakobin meni gëzimi, shuajti fyelli e citara!

Bashkimi i çifutëve në Masfë

46Izraelitët u bashkuan në Masfë, përballë Jerusalemit, sepse në Masfë më përpara e ka pasur Izraeli vendin e uratës.

47Atë ditë agjëruan, u veshën me grathore, kresë i qitën hi, i shqyen petkat e veta,

48hapën Librin e Ligjit për të kërkuar në të çka kërkojnë paganët prej idhujve.

49I sollën petkat priftërore, frutat e para e të dhjetat, i qitën përpara nazarenjtë që i kishim kryer ditët e kushtimit

50dhe klithën me zë të lartë drejt Qiellit: »Çfarë do të bëjmë me këta e ku do t’i çojmë,

51pasi Shenjtërorja jote është e shqelmuar dhe e përdhosur e priftërinjtë e tu janë në zi e të përvujtëruar?

52Paganët janë bashkuar e erdhën për të na zhdukur: e di mirë se çka na mendojnë!

53Si do të mund t’u bëjmë ballë nëse ti nuk do të na vijsh në ndihmë?«

54U ranë borive e bërtitën me zë të lartë.

55Pas këtyre Juda caktoi prijësit e popullit: prijësit e një mijëve, të qindëve, të pesëdhjetëve e të dhjetëve

56e u tha atyre që po ndërtonin shtëpitë, që po martoheshin, që po mbëltisnin vreshta e frikacakëve të kthehej secili në shtëpinë e vet sikurse urdhëron Ligji.

57E çuan fushimin e shkuan e ngulën në jug të Emausit.

58Atëherë Juda u tha: »Ngjeshuni e jini burra të fortë! Jini të gatshëm për nesër në agim të luftoni kundër këtyre kombeve që u bashkuan për të luftuar kundër nesh e për të na zhbirë ne dhe vendet tona të shenjta!

59Është më mirë për ne të vdesim në luftë se ta shikojmë të keqen e popullit tonë e të vendit tonë të shenjtë.

60Do të ndodhë ashtu si e ka vendosur Qielli!«