Të gjithë kapitujt

1 i Makabenjve · Kapitulli 4

Lufta e Emausit, Fushata e parë e Lizjes, etj.

61 vargje

Lufta e Emausit

1Gorgia mori me vete pesë mijë këmbësorë e një mijë kalorës të spikatur dhe e çoi llogorin natën

2me qëllim që ta befasojë fushimin e judenjve e t’i godasë papritmas. Udhën i tregonin njerëzit që banonin në Qytezë.

3Por, edhe Juda ia doli ta marrë vesh këtë gjë, u çua edhe ai me trimat e vet të zgjedhur e shkuan për ta goditur ushtrinë e mbretit që ishte në Emaus,

4ndërkohë që ushtria ishte ende e shpërndarë jashtë llogorit.

5Natën Gorgia arriti në fushimin e Judës, por s’gjeti askënd. Shkoi atëherë t’i kërkojë në male, sepse i thoshte mendja: »Këta po ikin prej nesh!«

6Posa agoi drita Juda u duk në fushë me tri mijë njerëz. Por këta nuk kishin armë e shpata si kishin dëshiruar.

7E panë fushimin e paganëve të fuqishëm e të fortifikuar, kalorësinë përreth tyre, njerëz të stërvitur mirë për luftë.

8Atëherë Juda u tha njerëzve që kishte me vete: »Mos u trembni nga numri i tyre i madh as mos kini frikë nga sulmet e tyre!

9Le t’ju bjerë në mend se si shpëtuan etërit tanë në Detin e Kuq, kur i ndoqi faraoni me ushtri.

10Le ta thërrasim në ndihmë Qiellin që të ketë dhimbë për ne, t’i bjerë ndër mend Besëlidhja e etërve tanë e para syve tanë ta shtypë sot këtë ushtri.

11Le ta dinë të gjitha kombet se është Ai që e shpëton edhe e libron Izraelin!«

12Të huajt i ngritën sytë dhe i panë këta duke ardhur kundër tyre,

13dolën nga llogori për t’u kacafytur. Ata që ishin me Judën i ranë borisë.

14Krisi lufta! U thyen paganët dhe morën të ikin fushës.

15Të sprasmit ranë të gjithë nga shpata. I ndoqën deri në Gazeron, deri në fusha të Idumesë e të Azotit e të Jamnisë: prej paganëve mbetën të vrarë rreth tri mijë vetë.

16Atëherë u kthye nga ndjekja e tyre Juda me ushtrinë e vet,

17e i tha popullit: »Mos t’ju habisë dëshira e presë, sepse e kemi kundër nesh edhe një luftim:

18Gorgia me ushtirnë e vet është këtu afër nesh në mal, tash njëherë qëndroni kundër armiqve tanë, luftoni ata e pastaj bashkoni në qetësi prenë!«

19Ndërsa Juda ende po fliste kështu, kur qe, një njësi që po vezhgonte nga kreshta e malit.

20Pa se të vetët kishin marrë ikjen e se të tjerët i kishin dhënë zjarr fushimit: sepse tymi që shihej tregonte se ç’kishte ndodhur.

21Kur i panë këto, i pushtoi frikë e madhe, e, kur e panë ushtirnë e Judës në fushim të gatshëm për luftë,

22ikën të gjithë në dheun e të huajve.

23Juda atëherë u kthye në fushim për të mbledhur prenë. Morën shumë ar, argjend, pëlhura ngjyrë vjollcë e të kuqe bojëgjake e pasuri të tjera të mëdha.

24Në kthim këndonin e i lartësonin këngë Qiellit dhe e bekonin: »Ai është i mirë dhe e amshueshme është dashuria e tij!«

25Ishte ajo ditë ditë fitoreje e madhe për Izraelin!

26Të gjithë ata, prej të huajve, që kishin shpëtuar, shkuan te Lizja dhe i treguan krejt ç’kishte ndodhur.

27Kur ky i dëgjoi, u trazua dhe u prish në zemër, pse s’kishte ecur puna ashtu si kishte dashur në Izrael dhe pse shkoi huq urdhri që i kishte dhënë mbreti.

Fushata e parë e Lizjes

28Prandaj, një vit pas bashkoi gjashtëdhjetë mijë ushtarë të zgjedhur dhe pesë mijë kalorës për të luftuar kundër Izraelit.

29Erdhën në Idume dhe e ngulën fushimin në Betsurë. Juda doli kundër tyre me dhjetë mijë ushtarë.

30E pa ushtrinë e madhe e u lut kështu: »I bekuar je ti, o Shpëtues i Izraelit, që e theve sulmin e luftëtarit të fuqishëm me dorën e shërbëtorit tënd Davidit dhe ia dorëzove llogoret e të huajve Jonatës, birit të Saulit, e armbajtësit të tij.

31Dorëzoja edhe këtë ushtri popullit tënd Izraelit! Bëj të bjerë çnderimi mbi ushtrinë e tij e mbi kalorësit e tij!

32Shtiju frikën e shuaje guximin e fuqisë që kanë e le të plandosen në rrënimin e tyre!

33Rrafshoj me shpatën e të gjithë atyre që të duan, të gjithë atyre që me këngë të lavdërojnë dhe të të gjithë atyre që ta njohin emrin!«

34E krisi lufta e njërit kundër tjetrit. Prej ushtrisë së Lizjes u vranë pesë mijë ushtarë e ranë para përballë judenjve.

35Kur e pa shpartallimin e ushtrisë së vet e guximin e judenjve si ishin të gatshëm o të jetojnë ose të vdesin trimërisht, Lizja iku në Antioki. Atje bashkoi ushtarë me pagesë që me një shumicë më të madhe ta sulmonte përsëri Judenë.

Pastrimi dhe kushtimi i Tempullit

36Atëherë Juda dhe vëllezërit e tij thanë: »Ja, i shpartalluam armiqtë tanë: ejani ta pastrojmë Shenjtëroren e ta shugurojmë!«

37U bashkua mbarë ushtria dhe u ngjitën në malin Sion.

38Gjetën shenjtëroren e shkretuar, lterin e dhunuar, dyert e djegura, në treme ishte rritur shkorreti si në pyll ose në ndonjë mal e dhomat e shenjta të rrënuara.

39I shqyen petkat e veta, zunë të bëjnë gjëmë të madhe, i qitën kresë hi,

40ranë me fytyrë përdhe e, në shenjë të borisë, klithën drejt Qiellit.

41Atëherë Juda u urdhëroi disa njerëzve t’i luftojnë ata që ishin në Qytezë derisa ai ta pastronte Shenjtëroren.

42Mandej zgjodhi priftërinj të patëmetë e që e zbatonin Ligjin.

43Këta e pastruan Shenjtëroren e gurët e dhunuar i çuan në vend të papastërt.

44Pastaj bënë këshillim përkitazi me lterin e flive të shkrumbimit që kishte qenë dhunuar, çfarë të bënin me të.

45Urtisht vendosën ta rrënojnë që kurrë të mos u jetë për turp, sepse paganët e kishin dhunuar. E rrënuan lterin.

46Gurët i vunë në një vend të përshtatshëm në Malin e Shtëpisë së Zotit derisa të mos vijë ndonjë profet e të vendosë për ta.

47Atëherë morën gurë të palatuar, siç kërkon Ligji, dhe ndërtuan një lter të ri krejt si ai që kishte qenë më parë.

48E ndreqën Shenjtëroren edhe Banesën përbrenda dhe i shuguruan tremet.

49I punuan enët e shenjta të reja dhe i shtinë në Tempull shandanin, lterin e kemimit dhe tryezën.

50Dogjën kem mbi lter e i ndezën dritat në shandan që e ndriçonin Tempullin.

51Mbi tryezë vunë bukët, i vunë kultrinat dhe i kryen të gjitha përmirësimet që kishin ndërmarrë.

52Më njëzet e pesë të nëntit muaj - që është muaji Kasleu - të vitit njëqindedyzetetetë, u ngritën herët në agim

53dhe e kushtuan flinë ashtu si e kërkon Ligji mbi lterin e ri të shkrumbimit që e kishin punuar:

54po në atë kohë e në atë ditë, në të cilën e kishin dhunuar paganët, e rishuguruan me këngë të përcjella me citarë, me cetër e me cimbale.

55Mbarë populli ra me fytyrë përdhe, adhuruan dhe e bekuan Atë që është në qiell, që aq fatbardhësisht u kishte prirë.

56Kremtuan shugurimin e lterit tetë ditë, kushtuan fli shkrumbimi me gëzim e kushtuan fli kungimi e falënderimi

57dhe e stolisën ballanikun e Tempullit me keza të arta e me shqyta. I shuguruan dyert dhe dhomat e shenjta e u vunë dyert.

58Një gëzim i madh e pushtoi mbarë popullin dhe u shlye turpi i sjellë prej paganëve.

59Juda me vëllezërit e vet e me mbarë bashkësinë e Izraelit, caktuan që të festohen me gëzim e hare ditët e shugurimit të lterit në kohën e tyre, vit për vit, për tetë ditë, qysh më njëzet e pesë të muajit Kasleu.

60Në këtë kohë rreth malit Sion ndërtuan mure të larta e pirgje të forta që, nëse vijnë paganët, të mos e shqelmojnë, siç bënë më parë.

61Juda aty vendosi një numër ushtarësh për ta mbrojtur. Fortifikoi edhe Betsurën për ta mbrojtur, që populli të kishte fortesë përballë Idumesë.