Të gjithë kapitujt

1 i Makabenjve · Kapitulli 8

Lavdërim romakëve, Lidhja e judenjve me romakë

32 vargje

Lavdërim romakëve

1Juda dëgjoi për zërin e romakëve se janë të fuqishëm me ushtri, se janë të gatshëm t’u ndihmojnë të gjithëve për çka u kërkonin ndihmë, dhe se bënin miqësi me të gjithë ata që u drejtoheshin atyre.

2Vërtet ishin shumë të fuqishëm. I treguan luftërat e tyre e fitoret e mëdha që i arritën në Galaci, si i pushtuan dhe i vunë nën të dhjeta

3dhe sa bënë në krahinën e Hispanisë, se si i pushtuan minierat e arit e të argjendit që janë atje;

4se si e pushtuan atë vend me urtësi e me durim - vendi ishte shumë larg prej tyre-; se si i zhdukën dhe i goditën keqas fort mbretërit që kishin ardhur kundër tyre nga skajet e tokës dhe se si disa u sjellin tatime për çdo vit.

5I kishin mandej mundur në luftë e nënshtruar Filipin e Perseun, mbretin e citinjve, si edhe të gjithë ata që kishin marrë armët kundër tyre: të gjithë i kishin mundur në luftë e i kishin pushtuar.

6Edhe Antiokun, mbretin e madh të Azisë, që u kishte shpallur luftë e kishte njëqind e njëzet elefantë e kalorësi e karroca lufte e ushtri tejet të madhe: mori vesh se e kishin thyer.

7Madje e kishin zënë gjallë dhe se i kishin urdhëruar të paguajë ai e pasardhësit e tij tatime të rënda, të japë pengje e të pranojë marrëveshjen,

8i mori krahinën e Indisë, Medinë, Lidinë dhe disa nga më të bukurat krahina të tyre e ia dha mbretit Eumen.

9Mori vesh se si grekët kishin pasë vendosur të shkojnë e t’i asgjësojnë. Romakët e morën vesh,

10dërguan kundër tyre vetëm një prijës ushtarak. Luftuan kundër tyre e prej grekëve ranë të vrarë një shumicë e madhe, gratë e fëmijët e tyre ua morën skllevër, i plaçkitën, ua pushtuan vendin, ua rrënuan fortesat dhe i kthyen në robëri deri në ditën e sotme.

11Po ashtu edhe mbretëritë e tjera dhe ishujt që u kundërshtuan, i shfarosën dhe i shtruan nën sundim.

12Lidhur me miqtë e tyre, me ata që mbështeten në ta, e kishin ruajtur miqësinë. Kishin pushtuar mbretër të afërm e të largët e, kushdo e dëgjonte emrin e tyre, i kishte frikë.

13I ndihmojnë kujt duan. Mbretërojnë ata që i çmojnë të denjë të mbretërojnë, të tjerët i flakin nga froni. Janë në kulmin e pushtetit!

14E me të gjitha këto asnjë s’mbante kurorë, s’veshte purpur për t’u madhështuar me të.

15Kanë themeluar këshillin, në të cilin këshillohen çdo ditë treqind e njëzet anëtarë duke peshuar vazhdimisht punët e popullit që gjithçka të shkojë mbarë.

16Njërit prej tyre i besojnë për një vjet sundimin e drejtimin e krejt mbretërisë së vet. Të gjithë e dëgjojnë njërin e ndërmejt tyre s’ka as smirë as zili.

Lidhja e judenjve me romakë

17Juda e zgjodhi Eupolemin, birin e Gjonit të Akosit edhe Jasonin, birin e Eleazarit, e i dërgoi në Romë të bëjnë me ta miqësi e lidhje

18që të çlirohen nga zgjedha, sepse e shihnin se mbretëria e grekëve izraelitët i kishte bërë skllevër.

19Ata - pas një udhëtimi shumë të gjatë - arritën në Romë, hynë në senat, morën fjalën e thanë:

20»Juda Makabe e vëllezërit e tij dhe populli judeas na kanë dërguar te ju të bëjmë lidhje e paqe me ju, e që të jemi të shkruar në numrin e aleatëve e të miqve tuaj.«

21Kjo kërkesë u pëlqeu senatorëve.

22Ja dysheritja e letrës që e shkruan mbi pllaka të bronzta dhe e dërguan në Jerusalem, që t’u jetë atryre si dokument paqeje e besëlidhjeje:

23»Paçin romakët e populli judeas fat të mbarë në det e në terik gjithherë! Shpatë e armik qofshin larg tyre!

24Nëse do të ketë luftë, më parë kundër Romës ose edhe kundër çdo aleati të tij në mbarë perandorinë e saj,

25populli i judenjve do të sjellë ndihmë me plot zemër ashtu si ta kërkojnë rrethanat.

26Armiqve nuk do t’u japë as s’do t’i furnizojë me drithë, armë, argjend e anije: kështu ka vendosur Roma dhe do t’i zbatojnë detyrimet e veta pa pritur farë shpërblimi.

27Gjithashtu, po qe se populli i judenjve do të bjerë më parë në luftë, romakët do t’u ndihmojnë me gjithë shpirt aq sa t’iu lejojnë rrethanat.

28Ndihmësve nuk do t’u jepet drithë, armë, argjend as anije. Kështu vendosi Roma. Do t’i mbaj këto detyrime pa farë dredhie.

29Me këto fjalë romakët kanë lidhur marrëveshjen me popullin e judenjve.

30Në qoftë se pas këtyre vendimeve njëra ose tjetra palë do të dëshirojë të shtojë ose edhe të mungojë ndonjë send, do ta bëjnë me përkim të përbashkët dhe, çdo gjë që të shtojnë ose të heqin, do t’i detyrojë.

31Lidhur me të këqija që ua bëri mbreti Demetër, kështu i kemi shkruar: ‘Pse e rëndove zgjedhën tënde mbi miqtë tanë, besëlidhësit tanë judenjtë?

32Nëse edhe një herë do të ankohen kundër teje, do t’i mbrojmë të drejtat e tyre e do të luftojmë kundër teje në det e në tokë.’«