Të gjithë kapitujt

1 i Mbretërve · Kapitulli 22

5. Lufta e re e sirianëve, Akabi ndërmerr një fushatë kundër Ramotit të Galaadit, etj.

54 vargje

5. Lufta e re e sirianëve

Akabi ndërmerr një fushatë kundër Ramotit të Galaadit

1Kaluan tre vjet pa luftë ndërmjet Sirisë e Izraelit.

2Të tretin vit zbriti Jozafati, mbreti i Judës, te mbreti i Izraelit.

3Mbreti i Izraelit u tha shërbëtorëve të vet: »A nuk e dini se Ramoti i Galaadit është yni? E ne nuk bëmë asgjë për ta marrë prej dorës së mbretit të Sirisë.«

4Atëherë i tha Jozafatit: »A do të vish me mua për të luftuar në Ramotin e Galaadit?« Jozafati iu përgjigj mbretit të Izraelit:

5»Ç’do të ndodhë me mua, do të ndodhë me ty: populli im e populli yt janë një, kuajt e mi janë kuajt e tu!.«

Profetët e rrejshëm parakallëzojnë sukses

Jozafati i tha mbretit të Izraelit: »Kërkoje mu sot fjalën e Zotit!«

6Prandaj edhe i bashkoi mbreti i Izraelit profetët, rreth katërqind, e u tha: »A mund të shkoj të bëj luftë në Ramotin e Galaadit, apo të mos shkoj?« Ata iu përgjigjën: »Shko! Zoti e lëshon në dorën e mbretit!«

7Por Jozafati pyeti: »A mos ka këtu edhe ndonjë profet tjetër të Zotit që ta pyesim?«

8Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: »Është vetëm edhe një njeri, me anën e të cilit do të mund ta pyesnim Zotin, por unë atë nuk e duroj, sepse ai nuk më parakallëzon të mirën, por të keqen: është Mikeja, biri i Jemlës.« E Jozafati i tha: »Mos fol ashtu, o mbret!«

9Kështu, pra, mbreti i Izraelit thirri një nëpunës e i tha: »Shpejto e bjere këtu Mikenë, birin e Jemlës.«

10Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbreti i Judës, rrinin secili në fronin e vet, të veshur me veshje mbretërore, në shesh afër hyrjes së qytetit të Samarisë dhe të gjithë profetët profetizonin para tyre.

11Sedecia, biri i Kanaanës, punoi për vete brirë hekuri e tha: »Kështu thotë Zoti: Me këta brirë do ta shporosh Sirinë derisa ta qesësh fare.«

12Po në këtë mënyrë profetizonin edhe të gjithë profetët e tjerë e thoshin: »Ngjitu në Ramotin e Galaadit e t’u priftë e mbara! Zoti do ta lëshojë në dorë të mbretit.«

Mikeja profet parakallëzon dështim

13Lajmëtari që shkoi ta ftojë Mikenë, i tha: »Ja, fjalët e profetëve: të gjithë njëzëri i parakallëzojnë mbretit mirë. Tashti edhe fjala jote le të jetë e mirë dhe parakallëzo sukses!«

14Por Mikeja iu përgjigj: »Pasha Zotin e gjallë, do të flas vetëm gjithçka të më thotë Zoti!«

15Erdhi, pra, te mbreti e mbreti i tha: »Mikè, a të shkojmë, a të mos shkojmë në Ramotin e Galaadit për të luftuar?« Ai iu përgjigj: »Shko e t’u priftë e mbara! Zoti do ta lëshojë në dorë të mbretit!«

16Porse mbreti i tha: »Prapë e prapë po të përbej të mos më folësh tjetër përveç së vërtetës në emër të Zotit.«

17Atëherë ai i tha: »Po e shoh mbarë Izraelin të shpërndarë nëpër male porsi delet që s’kanë bari. E Zoti thotë: ‘Këta njerëz nuk kanë prijës; secili le të kthehet në paqe në shtëpinë e vet!’«

18Prandaj edhe mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: »A nuk të thashë se ky nuk ma parakallëzon të mirën, por gjithmonë të keqen?«

19Mikeja shtoi: »Për këtë arsye dëgjo fjalën e Zotit: E kam parë Zotin ndenjur mbi fronin e vet dhe mbarë ushtria qiellore qëndronte në këmbë në të djathtë e në të majtë të tij.

20E Zoti foli: ‘Kush do ta ngashnjejë Akabin që të shkojë e të mbesë i vrarë në Ramotin e Galaadit?’ Dikush fliste në një mënyrë e dikush në një tjetër.

21Atëherë hyri një shpirt, qëndroi para Zotit e tha: ‘Unë do ta gënjej!’ E Zoti e pyeti: ‘Në ç’mënyrë?’

22Ai tha: ‘Do të shkoj e do të bëhem shpirt rrenacak në gojën e të gjithë profetëve të tij.’ E Zoti i tha: ‘Do ta gënjesh e do t’ia dalësh! Shko e bëj ashtu!’

23Kështu, pra, Zoti e ka futur shpirtin rrenacak në gojën e të gjithë këtyre profetëve të tu, që janë këtu; por Zoti lidhur me ty lajmëron kob.«

24Atëherë u afrua Sedecia, biri i Kanaanës, dhe i ra Mikesë flakaresh e i tha: »Nga doli shpirti i Zotit prej meje për të folur me ty?«

25Mikeja iu përgjigj: »Do ta shohësh atë ditë, kur do të hysh nga një dhomë në tjetrën për t’u fshehur!«

26Foli mbreti i Izraelit: »Kape Mikenë dhe çoje te Amoni, kryetari i qytetit, dhe te Joasi, djali i mbretit

27dhe thuaju: ‘Kështu urdhëron mbreti: Futeni këtë njeri në burg dhe mbajeni vetëm me bukë e ujë sa t’i mbahet fryma derisa të kthehem unë shëndoshë e mirë.’«

28Mikeja tha: »Nëse ti do të kthehesh shëndoshë e mirë, atëherë Zoti nuk ka folur përmes meje.« E shtoi: »Dëgjoni, o popuj, të gjithë!«

Vdekja e Akabit në Ramot të Galaadit

29Shkuan, pra, mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbreti i Judës, në Ramotin e Galaadit.

30Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: »Për të hyrë në luftë vetë do t’i ndërroj petkat, kurse ti mos i ndërro petkat e tua.« Mbreti i Izraelit i ndërroi petkat e ra në luftë.

31Mbreti i Sirisë u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy prijësve të karrocave të luftës: »Mos sulmoni as të voglin as të madhin, por vetëm mbretin e Izraelit.«

32Kur prijësit e karrocave të luftës e panë Jozafatin, e morën për mbretin e Izraelit dhe u versulën në luftë kundër tij. Jozafati bërtiti.

33Prijësit e karrocave të luftës e morën vesh se s’ishte mbreti i Izraelit, dhe u tërhoqën prej tij.

34Një njeri e tendosi harkun dhe pa shënuar e lëshoi shigjetën dhe i ra mbretit të Izraelit ndërmjet brezit e pancirit. Ai atëherë i tha karrocëtarit të vet: »Kthehu e më nxirr nga lufta se jam i plagosur rëndë.«

35Atë ditë lufta u ashpërsua shumë; megjithatë mbreti qëndronte në këmbë në karrocën e tij ballë për ballë me sirianët. Vdiq në mbrëmje. Prej plagës gjaku i ishte derdhur në karrocë.

36Në perëndimin e diellit nëpër mbarë ushtrinë u hap zëri: »Secili le të kthehet në qytetin e vet e në vendin e vet!«

37Mbreti, pra, vdiq dhe qe bartur në Samari. Mbretin e varrosën në Samari.

38Karrocën e tij e lanë në peshkoren e Samarisë dhe qentë e llapën gjakun e tij, po edhe laviret u lanë sipas fjalës së Zotit, që e kishte pasë thënë.

6. Pas vdekjes së Akabit

Përfundimi i mbretërisë së Akabit

39Veprat e tjera të Akabit dhe gjithçka bëri ai, si dhe shtëpia prej fildishit, të gjitha qytetet që i ndërtoi, pse a nuk janë këto të gjitha të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

40Akabi pushoi pranë të parëve të vet. Në vend të tij u bë mbret Okozia, i biri.

Mbretërimi i Jozafatit në Jude /870-848/

41Kurse Jozafati, biri i Asës, u bë mbret i Judës në vitin e katërt të Akabit, mbretit të Izraelit.

42Ishte tridhjetepesëvjeçar kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi në Jerusalem njëzet e pesë vjet. Nëna e tij quhej Azubë. Ishte bija e Selahut.

43Eci udhës së babait të vet, Asës, dhe nuk iu shmang asaj. Bëri çka ishte e drejtë para syve të Zotit.

44Megjithatë lartësirat nuk i zhduku; sepse populli gjithnjë flijonte dhe digjte kem në lartësira.

45Porse Jozafati bëri paqe me mbretërit e Izraelit.

46Veprat e tjera të Jozafatit dhe trimëritë si dhe luftërat që i bëri, a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës?

47Ai i dëboi prej vendit edhe laviret e kushtuara që kishin mbetur në kohën e Asës, babës së tij.

48Asohere nuk kishte mbret në Edom, por qeveritar të mbretit.

49Mbreti Jozafat ndërtoi edhe flotën e Tarsit për të lundruar në Ofir e për të sjellë ar; por nuk shkuan, sepse u thyen në Asiongaber.

50Atëherë Okozia, biri i Akabit, i tha Jozafatit: »Le të shkojnë shërbëtorët e mi me shërbëtorët e tu në anije«, por Jozafati nuk deshi.

51Jozafati pushoi me të parët e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit, stërgjyshit të vet. Në vend të tij u bë mbret Jorami, i biri.

Mbreti Okozia i Izraelit /853-852/ dhe Elia profet

52Okozia, biri i Akabit, kishte filluar të mbretëronte në Samari mbi Izraelin në vitin e shtatëmbëdhjet të mbretërimit të Jozafatit, mbretit të Judës. Mbretëroi mbi Izrael dy vjet.

53Bëri të keqen ndër sytë e Zotit dhe eci udhës së babës së vet e të nënës së vet dhe udhës së Jeroboamit, birit të Nabatit, i cili e ngashnjeu Izraelin të mëkatonte.

54I shërbeu Baalit dhe e adhuronte. Kështu e hidhëroi Zotin, Hyjin e Izraelit, pikërisht siç kishte vepruar i ati i tij.