Të gjithë kapitujt

1 i Samuelit · Kapitulli 1

1. Fëmijëria e Samuelit, Shtegtimi në Silo, etj.

28 vargje

1. Fëmijëria e Samuelit

Shtegtimi në Silo

1Ishte një njeri prej Ramataimit, një Sufaj, prej Malësisë së Efraimit. Quhej Elkanë. Ishte i biri i Jerohamit, të birit të Eliuhut, të birit të Trohuit, të birit të Sufit, nga Efrata.

2Ky kishte dy gra. Njëra quhej Anë, e tjetra Fenenë. Fenena kishte fëmijë, kurse Ana nuk kishte.

3Ky njeri shkonte për çdo vit prej qytetit të vet në Silo për të adhuruar e për ti kushtuar fli Zotit të gjithëpushtetshëm. Atje ishin priftërinj të Zotit dy bijtë e Heliut, Ofniu dhe Fineesi.

4Erdhi, pra, dita dhe Elkana kushtoi flinë. E kishte zakon tu jepte pjesë gruas së vet Fenenës dhe bijve e bijave e të saja,

5kurse Anës i jepte vetëm një pjesë, por të zgjedhur, sepse Anën e donte, megjithëse Zoti e kishte bërë beronjë.

6Në anën tjetër, edhe ja e saj nuk pushonte së ngacmuari e ia zinte shpirtin ngjak dhe ia kishte prurë punën shumë ngushtë duke e trazuar sepse Zoti e kishte lënë beronjë.

7Kështu bënte për çdo vit kur vinte koha që të shkonin në tempullin e Zotit: Fenena e lëndonte me fjalë. Kështu Ana nisi të qajë e s’deshi të hante.

8Atëherë Elkana, burri i saj, i tha: “Anë, pse po qan e nuk ha? Përse po vuan në zemrën tënde? Pse, a nuk jam unë më i mirë për ty se ti kishe dhjetë djem”.

Lutja e Anës

9Ana, pasi hëngrën e pinë në Silo, u ngrit. Prifti Heli po rrinte në ndenjësen e vet në derë të Tempullit të Zotit.

10Ana, ashtu me shpirt plotë dhembje, iu lut Zotit duke derdhur shumë lot

11dhe iu kushtua Zotit me këto fjalë: “O Zot i gjithësisë, nëse priresh prej shërbëtores sate e shikon vuajtjen time dhe nëse të bie ndër mend për mua, mos e harro shërbëtoren tënde e fali shërbëtores sate një djalë. Unë atë do t’ia kushtoj Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisk rroje nuk do të kalojë përmbi kokën e tij”.

12Ndërsa ajo po e zgjaste lutjen e vet para Zotit, Heliu e shikonte gojën e saj.

13Porse Ana fliste në zemrën e vet, luante vetëm buzët e zëri nuk i dëgjohej fare. Kështu Heliu mendoi se ishte e dehur

14dhe i tha: “Deri kur do të mbetesh e dehur? Bluaje pak verën me të cilën je ngopur”!

15Ana iu përgjigj: “Jo, imzot, s’është ashtu fare! Unë jam një grua tejet e mjerë! Verë as kurrfarë pijeje që mund të dehë, nuk kam pirë, por zbraza zemrën time para Zotit.

16Mos e mba shërbëtoren tënde për grua të keqe, sepse u luta kaq gjatë për shkak të mjerimit të madh e trishtimit që kam”.

17Atëherë Heliu i tha: “Shko në paqe dhe Hyji i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre”.

18E ajo tha: “Oh, sikur shërbëtorja jote të gjente hir para syve të tu”! Gruaja shkoi në punë të vet, hëngri dhe fytyra e saj nuk qe më si më parë.

Lindja dhe shugurimi i Samuelit

19Të nesërmen në mëngjes u ngritën e, pasi bënë adhurimin para Zotit, u kthyen e erdhën në shtëpinë e vet në Ramë. Elkana e njohu Anën, gruan e vet, e Zotit i ra ndër mend për të.

20Kështu brenda vitit Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë dhe ia ngjiti emrin Samuel, sepse ia kishte lypur me lutje Zotit.

21Elkana me mbarë familjen e vet shkoi për ti kushtuar Zotit flinë vjetore dhe për ta kryer kushtin e vet.

22Ana nuk shkoi. Ajo i tha burrit të vet: “Unë nuk do të vij derisa të vijë koha ta ndaj djalin prej gjiri. Atëherë do ta paraqes te Zoti dhe do ta lë aty përgjithmonë”.

23Elkana, burri i saj, i tha: “Bëj si të ta marrë mendja se është mirë. Mos eja derisa ta ndash djalin prej gjiri. Unë i lutem Zotit që ta çojë në vend fjalën e vet”. Gruaja qëndroi, pra, në shtëpi derisa e ndau djalin prej gjiri.

24Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë.

25E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu.

26Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit.

27U luta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi lutjen time për çka iu luta.

28Prandaj edhe unë po e jap në shërbim të Zotit; për sa të jetë gjallë, i dhurohet Zotit”. Dhe adhuruan Zotin.