Të gjithë kapitujt

1 i Samuelit · Kapitulli 20

Jonatani i ndihmon Davidit të ikë

42 vargje

Jonatani i ndihmon Davidit të ikë

1Davidi iku prej Najotit që është në Ramë, erdhi te Jonatani dhe i tha: “Çkam bërë? Cili është faji im dhe ç’të keqe kam bërë ndaj tët eti që kërkon të ma marrë jetën”?

2Jonatani iu përgjigj: “Assesi! Jo, nuk do të të vrasë! Shiko: im atë nuk bën asgjë, as të madhe as të vogël, pa ma pasë treguar mua më parë. A thua vetëm këtë gjë të fshehë im atë para meje? Assesi s’do të ndodhë kjo!”

3Por Davidi përsëri e mori fjalën e tha: “Mirë fort e di yt atë se unë e kam përkrahjen tënde e mendon: Mos ta dijë këtë Jonatani që të mos të trazohet nga trishtimi. Pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, vetëm një hap na ndan mua dhe vdekjen”.

4Jonatani i tha atëherë Davidit: “Çdëshiron të bëj për ty”?

5Davidi iu përgjigj Jonatanit: “ Ja, nesër është hëna e re e mua më duhet të ulem përbri mbretit për të ngrënë. Më lejo të fshihem deri në mbrëmje të së tretës ditë në fushë.

6Nëse më kërkon yt atë, i thuaj: Davidi më bëri lutje që të shkonte shpejt në Betlehem, qytetin e tij, sepse atje kanë theroret vjetore njerëzit e fisit të tij që të gjithë.

7Nëse thotë: Mirë, atëherë shërbëtori yt mund të jetë i qetë, por nëse do të zemërohet, dije se ka vendosur të më vrasë.

8Më bëj, pra, këtë nder, sepse vetë e bëre shërbëtorin tënd që të lidhë besën e Zotit me ty. Nëse kam ndonjëfarë faji, më vra ti vetë e mos më shpjer tek yt atë”.

9Jonatani i tha: “Larg qoftë! Po ta dija me të vërtetë se im atë ka vendosur të të vrasë, unë s’do ta lija assesi pa ta treguar”.

10Davidi iu përgjigj Jonatanit: “Kush do të më njoftojë nëse yt atë do të përgjigjet me ashpërsi”?

11Atëherë Jonatani i tha Davidit: “Eja e të dalim bashkë në fushë”. Kur dolën të dy në fushë,

12Jonatani i tha Davidit: “Pasha Zotin, Hyjin e Izraelit, do të bëj hetime që ta di mendimin e tim eti në këtë kohë, nesër ose pasnesër. Nëse do të jetë mirë për Davidin dhe nëse unë nuk do të dërgoj dikë për të të njoftuar,

13kështu ia bëftë Zoti Jonatanit e madje edhe më zi! Po edhe nëse do të zotërojë mendja e keqe e tim eti kundër teje, po edhe për këtë do të të njoftoj dhe do të të lë të shkosh në paqe. Dhe Zoti qoftë me ty siç pati qenë me babain tim.

14Në qoftë se unë do të jem gjallë, ti do të sillesh me mua siç e kërkon besnikëria e Zotit, e në qoftë se do të jem i vdekur,

15ti s’do t’ia mohosh mëshirën tënde familjes sime për amshim, as atëherë kur Zoti ti çrrënjosë prej dheut një nga një të gjithë armiqtë e Davidit.

16Sepse Jonatani lidhi besën me shtëpinë e Davidit kur tha: Zoti ia kërkoftë Davidit prej duarve të armiqve të tij”!

17Jonatani shtoi për ta bërë Davidin të përbetohet për dashurinë e tij që kishte për të: në të vërtetë e donte porsi jetën e vet.

18Atëherë Jonatani i tha: “Nesër është hëna e re, e do të kërkohesh,

19sepse vendi yt në tryezë do të jetë i zbrazët. Pasnesër zbrit ti e eja në atë vend, ku u fshehe ditën e asaj ngjarjeje. Ti qëndro përbri atij grumbulli.

20Unë do ti qes tri shigjeta në drejtim të tij dhe do ti qes sikurse të ushtroja për të gjuajtur në shenjë.

21Do ta dërgoj edhe djaloshin e do ti them: Shko e mi sill shigjetat!

22Nëse do ti them djaloshit: Ja, shigjetat janë këtej teje, mi sill, ti eja tek unë, sepse puna është mirë e s’ka, për Zotin, farë të keqeje për ty. Por, në qoftë se do ti them kështu djaloshit: Shiko! Shigjetat janë përtej teje!, atëherë shko, sepse Zoti të largon prej këtej.

23Për fjalën që kemi folur bashkë, unë e ti, Zoti qoftë dëshmitar ndërmjet meje e teje për amshim”.

24Kështu, pra, u fsheh Davidi në fushë. Erdhi hëna e re dhe mbreti u ul në tryezë për të ngrënë.

25Mbreti u ul në vendin e vet të rëndomtë - përbri murit -, përballë tij u ul Jonatani, në njërën anë të Saulit ndenji Abneri, kurse vendi i Davidit mbeti i zbrazët.

26Sauli atë ditë sfoli kurrgjë; sepse mendonte se ndoshta do ti ketë ndodhur diçka e nuk është i pastër dhe s’ka mundur të pastrohet.

27Por, kur erdhi e dyta ditë pas hënës së re, prapë qe i zbrazët vendi i Davidit. Atëherë Sauli i tha Jonatanit, të birit: “Pse nuk vjen djali i Isait as dje as sot për të ngrënë bukë”?

28Jonatani iu përgjigj Saulit: “Më ka bërë shumë lutje që të shkonte në Betlehem,

29e më tha: Më lejo të shkoj, se kemi theroren e familjes në qytet, dhe erdhi vetë vëllai im e më thirri; Tani pra, nëse kam gjetur hir para syve të tu, më lër të shkoj për pak kohë ti shoh vëllezërit e mi. Kjo është arsyeja që nuk ka ardhur në tryezën e mbretit”.

30Sauli u hidhërua kundër Jonatanit e i tha: “Zog shake! A kujton se nuk e di që je miku i birit të Isait për turpin tënd e për turpin e nënës sate!?

31Për sa kohë të jetë gjallë mbi tokë biri i Isait, nuk do të jesh i sigurt as ti as mbretëria jote. Pra, që tani dërgo e bjere këtu tek unë, sepse ai duhet të vdesë”!

32Jonatani iu përgjigj Saulit, tet, e i tha: “Përse do të vdesë? Çka bërë”?

33Sauli kapi heshtën për ta goditur. E mori vesh Jonatani se Sauli kishte vendosur ta vriste Davidin,

34u ngrit, pra, Jonatani nga tryeza, plot hidhërim, e nuk hëngri bukë të dytën ditë të hënës së re, sepse ishte shumë i shqetësuar për punë të Davidit, pse i ati i kishte mbetur në qafë.

35Kur zbardhi drita, Jonatani shkoi në fushë, në vendin e caktuar prej Davidit dhe me të ishte një djalosh i vogël.

36Jonatani i tha shërbëtorit të vet: “Shko e mi mblidh shigjetat që po i hedh”. Djaloshi u lëshua vrap e Jonatani e qiti shigjetën përtej tij.

37Djaloshi mbërriti në vendin ku e kishte hedhur Jonatani, Jonatani bërtiti pas djaloshit e tha: “Ja, ku është shigjeta! Shiko përtej teje”!

38Jonatani i thirri djaloshit e tha: “Jepu këmbëve më shpejt, e mos ndalo”! Djaloshi e mori shigjetën e Jonatanit dhe ia solli zotërisë së vet

39e smori gjë vesh për sa u veprua: vetëm Jonatani e Davidi e dinin se çdo të thoshte ajo gjë.

40Atëherë Jonatani ia dha djaloshit armët e veta e i tha: “Shko e mi ço në qytet”!

41Kur u nis djaloshi, u çua Davidi prej pas grumbullit, ra me fytyrë përdhe e u përkul tri herë. U përqafuan dhe qanë të dy, Davidi më shumë.

42Atëherë Jonatani i tha Davidit: “Shko në paqe! E për sa u lidhëm të dy me besën e Zotit: Zoti qoftë dëshmitar ndërmjet meje e teje, ndërmjet farës sime e farës sate përgjithmonë”.