Të gjithë kapitujt

1 i Samuelit · Kapitulli 21

Qëndrimi në Nob, Davidi te filistenjtë

16 vargje

1Atëherë Davidi u çua e shkoi. U ngrit edhe Jonatani e hyri në qytet.

Qëndrimi në Nob

2Davidi shkoi te prifti Akimelek në Nob. Akimeleku, i shqetësuar, i doli para Davidit dhe i tha: “Pse erdhe ti vetëm dhe s’është askush me ty”?

3Davidi iu përgjigj Akimelekut prift: “Mbreti më ka dhënë një punë për ta kryer e më ka thënë: Askush të mos e dijë për çfarë të kam dërguar dhe çurdhra të kam dhënë. Djelmoshave u kam thënë të më presin në një vend të caktuar.

4Tashti, nëse të kanë qëlluar pesë bukë, mi jep; ose ç’të ka qëlluar tjetër”.

5Prifti iu përgjigj Davidit: “S më ka qëlluar bukë e rëndomtë, por vetëm bukë e kushtuar. A do të jenë të pastër djelmoshat, veçanërisht prej grave”?

6Davidi iu përgjigj priftit e i tha: “Pa farë dyshimi! Për sa u përket grave, jemi përmbajtur dje e pardje. Kur u nisa për udhë vetja e djelmoshave ishte në gjendje të pastër. Edhe pse ky është një udhëtim i rëndomtë, aq më tepër sot djelmoshat janë në gjendje të pastër për nga trupi”.

7Atëherë prifti i dha bukët e kushtuara. Vërtet, nuk i ndodhi tjetër bukë aty, përveç bukëve të paraqitjes që i kishte hequr prej pranisë së Zotit për të vënë bukë të nxehta.

8Qëlloi aty atë ditë një prej shërbëtorëve të Saulit. Ishte ndalur para Zotit. Quhej Doeg Idumeu. Ishte kryetari i barinjve të Saulit.

9Davidi i tha Akimelekut: “A mos të gjendet këtu për doresh ndonjë heshtë ose shpatë? Sepse, puna e mbretit duhej kryer me ngut e nuk mora me vete shpatën time as armët e mia”.

10Prifti iu përgjigj: “Këtu kam shpatën e Goliatit, të atij filisteu që e preve ti në luginën e Terebintit. Është e mbështjellë në një pëlhurë pas shpinorit. Nëse do ta marrësh atë, merre, tjetër përveç saj këtu nuk ka”. Davidi i tha: “S’ka tjetër si ajo, ma jep”!

Davidi te filistenjtë

11U ngrit, pra, Davidi e iku atë ditë larg prej Saulit. Shkoi tek Akisi, mbreti i Getit.

12Oborrtarët e tij i thanë Akisit: “A nuk është ky Davidi, mbreti i tokës? A nuk i këndonin këtij në valle e i thoshin: ‘Sauli vrau me mijëra, kurse Davidi me dhjetëra mijëra”?

13Davidi i nguli mirë në mend këto fjalë dhe ia kishte fort frikën Akisit, mbretit të Getit.

14Atëherë Davidi u shtir si i marrë para tyre. Sillej si i dalë mendsh ndër sy të tyre: i binte derës sikur po i bie tupanit, linte ti rridhte jarga nëpër mjekërr.

15Atëherë Akisi u tha oborrtarëve të vet: “A po shihni se është njeri i marrë. Pse e prutë këtu tek unë?

16A s’kemi mjaft të marrë që ma sollët këtu këtë që të më mërzisë me marrinë e vet? Një si ky duhet të hyjë në shtëpinë time”?