Të gjithë kapitujt

1 i Samuelit · Kapitulli 4

2. ARKA E BESËLIDHJES NDËR FILISTENJ, Humbja e luftës së izraelitëve dhe grabitja e Arkës, etj.

22 vargje

2. ARKA E BESËLIDHJES NDËR FILISTENJ

Humbja e luftës së izraelitëve dhe grabitja e Arkës

1Ndër ato ditë u bashkuan filistenjtë për të luftuar. Edhe izraelitët u dolën para filistenjve për tu ndeshur në luftë. E ngulën fushimin përgjatë Abeneserit, kurse filistenjtë në Afek

2dhe e renditën rreshtin e luftës kundër Izraelit. Por, kur u ndez lufta, izraelitët u sollën shpinën filistenjve. Mbetën të vrarë atë ditë nëpër ara rreth katër mijë burra.

3Populli u kthye në fushim e pleqtë e Izraelit thanë: “Pse na goditi sot Zoti me anë të filistenjve? Të shkojmë në Silo e ta marrim Arkën e Besëlidhjes së Zotit dhe ta çojmë në mesin tonë që të na shpëtojë prej dorës së armiqve tanë”.

4Populli dërgoi disa njerëz në Silo dhe morën prej andej Arkën e Besëlidhjes së Zotit të ushtrive që rri përmbi kerubinë. Me Arkën e Besëlidhjes së Hyjit ishin të dy bijtë e Heliut, Ofniu dhe Fineesi.

5Posa arriti në fushim Arka e Besëlidhjes së Zotit, mbarë Izraeli lëshoi një britmë kushtrimi aq të fortë, saqë ushtoi toka.

6Filistenjtë dëgjuan brohoritjen e thanë: “Çdo të jetë kjo britmë kushtrimi në fushimin e hebrenjve”? E morën vesh se kishte ardhur në fushim Arka e Zotit.

7Filistenjtë u trembën e thanë: “Hyji i erdhi në fushim!” Dhe britën e thanë:

8“Të mjerët ne! Nuk kishte një gëzim të tillë më parë! Të mjerët ne! Kush do të na shpëtojë prej duarve të zotave të tillë të madhërishëm? Këto janë hyjnitë që i goditën egjiptianët me të gjitha ato shuplaka në shkretëtirë!

9Merrni zemër e bëhuni trima, o filistenj, që të mos u shërbeni hebrenjve, sikurse ata ju shërbyen juve. Jini trima e luftoni”!

10Atëherë filistenjtë e filluan betejën, izraelitët u thyen dhe secili u fut në çadrën e vet. Qe kjo një humbje e madhe fort: ranë në luftim izraelitët tridhjetë mijë këmbësorë.

11U zu edhe Arka e Hyjit, po edhe të dy bijtë e Heliut mbetën të vrarë: Ofniu e Fineesi.

Vdekja e Heliut

12Po atë ditë erdhi me vrap në Silo një burrë prej fisit të Beniaminit nga fronti i luftës me petka të shqyera e me kokë të përhitur nga pluhuri.

13Kur arriti ky, Heliu rrinte në ndenjësen e vet në hyrje, me fytyrë nga rruga: e kishte zemrën të shqetësuar lidhur me Arkën e Hyjit. Ky njeri si arriti e dha lajmin e zi. Mbarë qyteti lëshoi një britmë të madhe.

14Heliu e dëgjoi britmën e pyeti: “Çdo të thotë kjo britmë kryengritjeje”? Ndërkaq ai njeri vrapoi e i tregoi Heliut.

15Heliu kishte nëntëdhjetë e tetë vjet, sytë i ishin errësuar e më nuk shihte.

16Ky i tha Heliut: “Jam unë që po vij nga fronti i luftës dhe sot ika nga lufta”. E ai e pyeti: “Çfarë ka ndodhur, biri im”?

17Lajmëtari iu përgjigj: “Iku para filistenjve Izraeli e u bë kërdi e madhe në popull. Për më tepër, mbetën edhe të dy djemtë e tu, Ofniu dhe Fineesi dhe ata e morën edhe Arkën e Hyjit”.

18Kur dëgjoi të përmendet Arka e Hyjit, u rrëzua përmbrapa nga ndenjësja, ra në prak të derës, theu arrçin e qafës e vdiq. Sepse ishte njeri i moçëm e i rëndë. Qe gjyqtar në Izrael për dyzet vjet.

Vdekja e gruas së Fineesit

19Reja e tij, gruaja e Fineesit, ishte shtatzënë dhe afër për të lindur. Kur dëgjoi se është marrë Arka e Hyjit, se i vdiq vjehrri dhe se i kishte mbetur burri, ra e lindi: papritmas e kapën dhembjet e të lindurit.

20Ndërsa ajo ishte duke dhënë shpirt, ato që e rrethonin, i thoshin: “Mos u tremb se ke lindur djalë”. Por ajo nuk u përgjigj as që i dëgjoi.

21Ajo e quajti djalin Ikabod, domethënë “I shkoi nderi Izraelit”, sepse u mor Arka e Hyjit, e vdiq vjehrri dhe iu vra burri.

22Tha: “Shkoi nderi i Izraelit, pasi u mor Arka e Hyjit”!