Të gjithë kapitujt

1 i Samuelit · Kapitulli 5

Arka u sjell vështirësi filistenjve

12 vargje

Arka u sjell vështirësi filistenjve

1Filistenjtë e morën Arkën e Hyjit dhe e çuan prej Abenezerit në Azot.

2Filistenjtë e morën Arkën e Hyjit, e futën në tempullin e Dagonit dhe e vendosën përkrah Dagonit.

3Të nesërmen kur u ngritën azotianët, kur, ç’të shohësh?- ja Dagoni përmbys me fytyrë përdhe para Arkës së Zotit! E kapën Dagonin dhe e vendosën prapë në vendin e vet.

4Por përsëri të nesërmen në mëngjes shkuan dhe e gjetën Dagonin të shtrirë përtokë me fytyrë përdhe para Arkës së Zotit. Por koka e Dagonit dhe të dy duart e tija, të prera, ishin në prak të derës:

5në vend ishte vetëm trupi i Dagonit. Për këtë arsye priftërinjtë e Dagonit dhe të gjithë ata që hyjnë në tempullin e tij, nuk e shkelin pragun e Dagonit në Azot atë ditë e sot.

6Atëherë erdhi e u rëndua dora e Zotit mbi azotianë, i dërrmoi dhe i goditi me çibanë Azotin e rrethet e tija.

7Me të parë këtë plagë, azotianët thanë: “Të mos qëndrojë ndër ne Arka e Hyjit të Izraelit, sepse është e rëndë dora e tij mbi ne dhe mbi Dagonin, zotin tonë”.

8Ata çuan e thirrën të gjithë princat filistenj e thanë: “Çfarë do të bëjmë me Arkën e Hyjit të Izraelit”? Ata u përgjigjën: “Le të çohet në Get Arka e Hyjit të Izraelit”. Dhe e shpunë Arkën e Hyjit të Izraelit.

9Por, pasi e çuan Arkën atje, dora e Zotit u rëndua mbi qytet. Ata i kapi frikë tejet e madhe; i goditi njerëzit e qytetit, prej të voglit e deri në të madhin dhe u mbuluan nga çibanët.

10Këta e çuan Arkën e Hyjit në Akaron. Por kur arriti Arka e Hyjit në Akaron, bërtitën akaronasit e thanë: “E sollën tek ne Arkën e Hyjit të Izraelit që të na mbysë ne dhe popullin tonë”!

11Prandaj i bashkuan të gjithë princat e filistenjve e u thanë: “Lëshojeni Arkën e Hyjit të Izraelit e të shkojë në vendin e vet që të mos na vrasë ne dhe popullin tonë”.

12Sepse në mbarë qytetin mbretëronte frika e vdekjes, aq fort ishte rënduar aty dora e Hyjit. Njerëzit që ende nuk kishin vdekur, ngarkoheshin me çibanë dhe dënesja e ulurima e qytetit arrinte në qiell.