Të gjithë kapitujt

2 e Korintasve · Kapitulli 10

Pali e mbron misionin e vet

18 vargje

Pali e mbron misionin e vet

1Personalisht unë Pali ju përbej me butësinë e me mirësinë e Krishtit - unë që, kur jam para syve tuaj, jam »i butë«, por, kur jam larg jush, jam »plot guxim«,

2ju bëj lutje, që kur të vij te ju të mos jem i ashpër me atë guxim, me të cilin dua të tregohem kundër atyre që mendojnë se ne jetojmë mbas parimeve të mishit.

3Në të vërtetë, edhe pse jetojmë në trup, nuk luftojmë simbas parimeve të trupit,

4- sepse, armët e luftimit tonë, nuk janë armë lëndore, por armë të fuqisë së Hyjit të afta të shkatërrojnë kështjellat - ne rrëzojmë e hedhin përdhe sofizmet e njerëzve

5si edhe çdo kreni që ngritet kundër pranimit të Hyjit e përkulim çdo njeri të arsyeshëm në dëgjesë ndaj Krishtit

6dhe jemi të gatshëm të ndëshkojmë çdo padëgjesë kur të përsoset dëgjesa juaj.

7Vëreni gjërat ashtu si janë: nëse ndokush është i mbushur mendjeje se është i Krishtit, edhe një herë le ta mendojë në vete këtë gjë: sikurse ai është i »Krishtit« - ashtu edhe ne jemi.

8Po edhe nëse do t’u lëvdoja pak tepër, për pushtetin që Zoti na e ka dhënë për ndërtimin tuaj - e jo për rrënimin - nuk do të kisha përse të skuqem.

9Megjithatë, nuk dëshiroj të duket kinse u shtie frikë me letrat e mia!

10Sepse: »Letrat e e tija - thuhet - janë plot rrebtësi e fuqi, kurse prania e tij me trup e dobët e fjalët e pavlerë.«

11Le ta dijë mirë ai njeri se, sikurse jemi në fjalë me letra prej së largu, ashtu do të jemi të fuqishëm edhe me vepra, kur të vijmë atje.

12Ne njëmend, nuk kemi guxim të barazohemi ose të krahasohemi me disa, të cilët e porosisin vetveten, porse, pasi ata vetveten e masin me vetvete dhe e krahasojnë vetveten me vete - nuk duket se janë të mençur.

13Ne, përkundrazi, nuk do të lëvdohemi përtej masës, por me kufi, simbas masës me të cilën na e mati Hyji porsi masë, duke na mundësuar që të arrijmë te ju.

14Sepse, ne nuk kërkojmë përtej se na përket, thuajse nuk kemi arritur deri te ju. Pra, në të vërtetë, ne kemi mbërritur me Ungjillin e Krishtit më të parët te ju!

15Nuk po lëvdohemi përtej masës, me frytet e huaja, por shpresojmë se, me rritjen e fesë suaj në ju - sipas rregullës sonë do të na rritet përherë fusha e veprimtarisë:

16madje edhe përtej kufijve tuaj do ta shpallim Ungjillin, e jo të lëvdohemi me atë që u krye në fushën e veprimtarisë së tjerëve.

17‘Ai që lëvdohet, le të lëvdohet në Zotin!’

18Sepse nuk është i sprovuar ai që e porosit vetveten, por ai të cilin e porosit Zoti.