Të gjithë kapitujt

2 e Korintasve · Kapitulli 11

Pali dhe apostujt e rrejshëm, Vuajtjet e Palit si apostull

33 vargje

Pali dhe apostujt e rrejshëm

1Oh, po të mund ta duroni pakëz marrinë time! Vërtet, më duroni!

2Juve jua kam smirë, por me smirë që vjen prej Hyjit. Sepse, ju fejova për një burrë të vetëm dhe, porsi virgjëreshë të pastër, ju solla para Krishtit.

3Porse, po kam frikë se - sikur gjarpri me dinakërinë e vet e gënjeu Evën - mendimet tuaja të mos gabohen e të mos largohen prej thjeshtësisë (dhe pastrisë) ndaj Krishtit.

4E njëmend, nëse vjen tjetërkush dhe ju shpall një Jezus tjetër - të cilin ne nuk jua kemi predikuar, ose, nëse merrni një tjetër Shpirt, të cilin nuk e keni marrë, ose, një Ungjill tjetër, të cilin nuk e keni marrë - atë e duroni fort mirë!

5E pra, unë mendoj se nuk jam në asgjë më i vogël se këta »kryeapostuj!«

6Sepse, edhe në qofsha i paaftë në gojtari, nuk jam në dije: këtë, përkundrazi, në çdo pikëpamje dhe para të gjithëve jua vërtetuam.

7A mos bëra ndoshta faj pse e përvujtërova veten për t’ju lartësuar ju, duke jua predikuar falas Ungjillin e Hyjit?

8I ropa kishat tjera duke marrë prej tyre sa më duhej për jetesë për t’ju shërbyer juve.

9Po edhe kur isha në mesin tuaj e isha në nevojë, askënd prej jush nuk rëndova, sepse vëllezërit që erdhën nga Maqedonia më ndihmuan për nevojat e mia. Në gjithçka jam ruajtur - e do të ruhem - që të mos ju bëhem barrë.

10Pasha të vërtetën e Krishtit që është në mua, s’ka lindur ai njeri që do të ma marrë këtë nder në Akajë!

11Përse? Ndoshta pse nuk ju dua? Vetëm një Hyj e di!

12E çka bëj, një e një do të vazhdoj ta bëj, që t’ua heq dore shkakun atyre që kërkojnë edhe vetëm një arsye të maten me ne në atë gjë, për të cilën lëvdohen.

13Këta farë burrash janë apostuj me rrena, punëtorë gënjyes, që shtihen si apostuj të Krishtit.

14Dhe nuk keni pse të çuditeni.

15S’keni, pra, pse të çuditeni në qoftë se edhe punëtorët e tij marrin dukjen e jashtme të punëtorëve të drejtësisë. Mbarimi i tyre do të jetë simbas veprave të tyre.

Vuajtjet e Palit si apostull

16Po e përsëris që askush të mos mendojë se jam i marrë. Por, ani më mbani për pak kohë edhe për të marrë, që edhe unë të mund të lëvdohem pakëz!

17- Çka po them tani, nuk po e them si e thotë Zoti, por sikurse të më kishte lënë mendja: në guximin e tepruar të krenarisë!

18Pasi shumëkush krenohet nga ndonjë pikëpamje njerëzore, po lëvdohem edhe unë.

19E, mbasi ju jeni të urtë, lehtë i duroni të marrët!

20Jo po, ju duroni nëse kush ju robëron, nëse ndokush ju shfrytëzon, nëse ndokush ju grabit, nëse ndokush ju flakareshon!

21Flas për turpin tonë: kemi qenë kinse të ligshtë! Megjithatë, për çkado që ndokush ka guxim të lëvdohet - po flas si i marrë - kam guxim edhe vetë!

22A janë hebrenj? - Jam edhe unë! A janë izraelitë? - Jam edhe unë! A janë pasardhës të Abrahamit? - Jam edhe unë!

23A janë mbarështues të Krishtit? - Si i dalë mendsh po flas: - unë edhe më tepër! Në lodhje - më tepër! Në burgje - më tepër! Në të rrahura - më tepër! Në rrezik të vdekjes - unë më shpesh!

24Prej judenjve mora pesë herë nga tridhjetë e nëntë frushkuj!

25Tri herë kam qenë rrahur me thupër, një herë vrarë me gurë, tri herë e kam përjetuar anijembytjen, një natë e një ditë e kam kaluar në valët e detit!

26Në udhëtime të shpeshta, në rreziqe lumenjsh, në rreziqe cubash, në rreziqe bashkatdhetarësh, në rreziqe paganësh, në rreziqe në qytet, në rreziqe në shkreti, në rreziqe në det, në rreziqe prej vëllezërve të rrejshëm!

27Në mundim e të lodhura, në net të kaluara shpesh pa gjumë, në uri e në etje, në agjërime të shpeshta, në të ftoftë dhe i zhveshur!

28Përveç këtyre: ngarendja e përditshme e njerëzve e kujdesi për të gjitha kishat.

29Kush është i dobët, e unë të mos bëhem i dobët? Kush shkandullohet, e unë të mos përvëlohem?

30Nëse duhet të lëvdohem - do të lëvdohem me ligshtitë e mia.

31Hyji, Ati i Zotit tonë Jezusit, - qoftë bekuar në amshim - Ai e di se nuk rrej.

32Në Damask, qeveritari i mbretit Aret, e ruante qytetin e Damaskut për të më zënë.

33Porse, nëpër dritare, në një shportë, më ulën nëpër mur dhe u shpëtova duarve të tija.