Të gjithë kapitujt

2 e Korintasve · Kapitulli 12

Vegime dhe zbulesa që pati Pali, Kujdesi i Palit për kishën e Korintit

21 vargje

Vegime dhe zbulesa që pati Pali

1Duhet të krenohem!? Punë kote! Pra, po ia nisi me vegime e zbulesa të Zotit.

2E njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh - a ishte në trupin e vet: nuk e di; a ishte jashtë trupit, nuk e di - e di Hyji - ky njeri qe ngritur në të tretin qiell.

3Dhe e di se ky njeri - a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di - e di Hyji -

4ka qenë ngritur në parriz dhe ka dëgjuar fjalë të patregueshme, të cilat njeriu nuk guxon t’i përsëritë.

5Për atë njeri të tillë do të krenohem e jo për vetvete nuk do të lëvdohem, përveç me ligështi (të mia).

6Vërtet, po edhe të m’u mbushte mendja të lëvdohem, nuk do të isha i marrë, sepse do të flisja të vërtetën. Por nuk e bëj që ndokush të mos mendojë për mua më shumë se ç’sheh në mua ose ç’dëgjon prej meje.

7Dhe që, të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë - engjëlli i djallit - për të më rrahur që të mos krenohem.

8Për këtë gjë tri herë iu luta Zotit të largohet prej meje.

9Por Ai m’u përgjigj: »Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.« Për këtë arsye me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit.

10Prandaj kënaqem në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë - atëherë jam i fortë.

Kujdesi i Palit për kishën e Korintit

11U bëra i marrë! Por ju më ngucët! E pra, u desh që ju të më porositni, sepse në asgjë nuk jam më i vogël se »kryeapostujt«, edhe pse nuk jam asgjë.

12E pra, shenjat dalluese të apostullit u vërtetuan ndër ju: duresë e vazhdueshme në çdo provë, shenja të mrekullueshme, vepra të bindshme.

13Dhe, njëmend, në çka mbetët pas kishave të tjera, përveç se unë nuk u bëra barrë për ju? Ma falni këtë »padrejtësi!«

14Dhe, ja, tani jam gati të vij te ju për të tretën herë dhe nuk do t’ju bëhem barrë, sepse unë nuk e kërkoj pasurinë tuaj, por ju. Sepse fëmijët nuk janë të detyruar të fitojnë për prindër, por, përkundrazi, prindërit për fëmijët.

15E unë me gëzim do të shpenzoj e do të shpenzohem për shpirtrat tuaj. Por, a thua se, nëse ju dua më fort, do të duhem prej jush më pak?

16Ani, në dashtë! Unë nuk u bëra barrë për ju, por kështu si jam »dinak«, ju zura ju me »dredhi«.

17A thua ndoshta ju shfrytëzova me anë të atyre që i dërgova te ju?

18Unë iu luta Titit dhe e dërgova bashkë me një vëlla. A mos ju shfrytëzoi Titi? A thua nuk ecëm të njëjtës udhë? A thua jo të njëjtave gjurmë?

19Ndoshta kaherë mendoni se po mbrohemi para jush? Jo, por po flasim para Hyjit në Krishtin: të gjitha këto i thamë për ndërtimin tuaj, o fort të dashur!

20Sepse trembem të mos ju gjej ndoshta, kur të vij, ashtu si dëshiroj t’ju gjej dhe se ju do të më gjeni ashtu sikurse ju nuk do të dëshiroshit: që rastësisht të mos ketë grindje, smirë, zemërime, rivalitete, të përfolura, spijunime, kreni, kryengritje;

21që, përsëri, kur të vij ndër ju, Hyji im të mos më përvujtërojë e të më duhet të qaj për shumë asish që mëkatuan që përpara e nuk iu shporrën fëlligështisë, ndyrsisë e shfrenisë që bënë.