Të gjithë kapitujt

2 e Korintasve · Kapitulli 4

Visari në enë argjile, Jeta me fe

18 vargje

Visari në enë argjile

1E mbasi Hyji, prej mirësisë së vet, na pajisi me këtë shërbesë hyjnore, këndej edhe nuk na lëshon zemra.

2Përkundrazi, duke mos përdorur mënyrë shtiarake turpëruese, duke mos jetuar me dinakëri, ne nuk e shtrembërojmë fjalën e Hyjit, por, përkundrazi, duke shfaqur të vërtetën, i porositemi çdo ndërgjegjeje të njerëzve para Hyjit.

3E nëse, megjithatë, Ungjilli ynë mbetet i mbuluar, është i mbuluar vetëm për ata që dënohen,

4për ata që nuk besojnë, të cilëve hyji i kësaj bote ua mori mendtë që të mos i ndriçojë drita e Ungjillit të lavdisë së Krishtit që është figura e Hyjit.

5Sepse ne nuk predikojmë vetveten, por Jezu Krishtin Zot, ndërsa vetveten e shpallim shërbëtorë tuaj për dashuri të Jezusit.

6Sepse, Hyji që tha: »Prej errësirës le të shndrisë drita!«, ai ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit.

7Por ne e mbarim këtë visar në enë argjile, që kjo fuqi e pakrahasueshme të shihet se është e Hyjit e jo prej nesh.

8Po, nga çdo anë jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar,

9të salvuar po, por jo të lënë, të hedhur andej-këndej po, por jo të rrëzuar,

10gjithmonë i mbarim në trupin tonë grahmat e vdekjes së Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë.

11Sepse, gjithmonë të gjallë, jemi gati të vdesim për dashurinë e Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm.

12Kështu në ne vepron vdekja, kurse në ju jeta.

13E pasi kemi të njëjtin shpirt feje, sikurse është në Shkrim shenjt: ‘Besova, prandaj edhe fola’, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim,

14sepse e dimë se Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes.

15E të gjitha këto ngjajnë për ju: që hiri - i shumëzuar - të bëjë sa më të begatshëm falënderimin e bashkësisë së shtuar, në lavdi të Hyjit.

Jeta me fe

16Prandaj, nuk e humbim guximin, por, edhe nëse njeriu ynë i jashtëm shkon duke u shkatërruar, njeriu i brendshëm dita-ditës përtërihet.

17Sepse vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme na sjell një lavdi të përjetshme, pa krahasim më të madhe.

18Ne nuk kemi për qëllim të fitojmë gjërat e dukshme, por ato që nuk shihen; sepse sendet e dukshme janë të përkohshme, kurse sendet që nuk shihen janë të përjetshme.