Të gjithë kapitujt

2 e Korintasve · Kapitulli 5

Shërbesa e pajtimit

21 vargje

1Sepse e dimë se, nëse shtëpia jonë tokësore - kjo tendë, shkatërrohet, kemi godinën prej Hyjit banesë të përjetshme, qiellore, që nuk është e punuar nga duart e njeriut.

2Ne në këtë banesë dënesim e dëshirojmë përmbi të ta veshim banesën tonë qiellore,

3merret vesh, nëse do të gjendemi të veshur e jo të zhveshur.

4Sepse ne që gjendemi në këtë tendë dënesim porsi nën barrë të rëndë meqë nuk dëshirojmë të zhveshemi, por të veshemi mbi të me një tjetër që kështu jeta ta përpijë atë që është e vdekshme.

5E Ai që na krijoi për këtë qëllim është Hyji, i cili na dha kaparin - Shpirtin Shenjt.

6Kështu, pra, jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se deri të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit;

7sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit.

8Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti.

9Prandaj, edhe mundohemi me gjithë shpirt t’i pëlqejmë Zotit, qoftë duke qëndruar në banesën tonë, qoftë edhe duke e lëshuar atë,

10sepse të gjithëve na duhet të dalim në gjyq para Krishtit, që secili të marrë shpërblimin për veprat që ka bërë gjatë jetës së vet në trup, qoftë për të mira, qoftë për të këqija.

Shërbesa e pajtimit

11Pra, duke e njohur frikën e Zotit, bëjmë çmosin për t’i bindur njerëzit. Plotësisht na njeh Hyji e shpresojmë se na njohin edhe ndërgjegjet tuaja.

12Nuk po e porosisim përsëri vetveten te ju, por duam t’ju japim rast të mburreni me ne, në mënyrë që të keni çka t’u përgjigjni atyre që mburren me bukurinë e fytyrës e jo të zemrës.

13Dhe njëmend, nëse jemi »jashtë mendsh« - jemi për Hyjin, e nëse jemi »ndër mend« - jemi për ju.

14Sepse dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, prandaj, të gjithë vdiqën;

15e Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.

16Kështu, pra, qysh tani nuk njohim më askënd në mënyrën thjesht njerëzore; po edhe nëse e kemi njohur Krishtin në mënyrën thjesht njerëzore, nuk e njohim më ashtu.

17Pra, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja!

18Të gjitha e kanë burimin në Hyjin, i cili na pajtoi me vetvete me anë të Krishtit dhe neve na e besoi shërbesën e pajtimit.

19Sepse Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre e duke na e besuar neve fjalën e pajtimit.

20Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin!

21Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit.