Të gjithë kapitujt

2 e Timoteut · Kapitulli 1

Përshëndetje, Falënderim Hyjit

18 vargje

Përshëndetje

1Pali, apostulli i Krishtit Jezus për vullnet të Hyjit i dërguar për të shpallur jetën e premtuar që është në Krishtin Jezus:

2Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë, paqe prej Hyjit Atë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.

Falënderim Hyjit

3E falënderoj Hyjin, të cilit i shërbej, sikurse edhe të parët e mi, me ndërgjegje të pastër, ndërsa pa pushim të kujtoj në lutjet e mia natë e ditë.

4Dhe, kur më bien në mend lotët e tu, më kap një dëshirë e madhe të të shoh ty që të mbushem me gëzim.

5Kujtoj fenë e çiltër që është në ty, që më parë ishte në gjyshen tënde Loidën dhe në nënën tënde Eunikën dhe jam i bindur se banon edhe në ty.

6Këndej të përkujtoj, ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia.

7Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi, shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë.

8Prandaj mos të të vijë turp ta dëshmosh Zotin tonë, as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit,

9i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha që prej amshimit në Jezu Krishtin

10dhe u dëftua tani me Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit,

11për të cilin Hyji më caktoi të jem predikatar, apostull dhe mësues.

12Ja, pra, përse unë edhe i duroj këto vuajtje! Por nuk më vjen turp sepse e di se kujt i kam besuar dhe jam i sigurt se Ai është i zoti ta ruajë thesarin që mu besua deri në atë Ditë.

13Ki për normë fjalët e shenjta që i ke dëgjuar prej meje në fe e në dashuri që është në Krishtin Jezus.

14Ruaje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt që banon në ne, thesarin e paçmueshëm të fesë që tu besua.

15Do të kesh marrë vesh se në Azi të gjithë ikën e më lanë. Ndër ta janë edhe Figeli dhe Hermogeni.

16Hyji e pajistë me mëshirën e vet familjen e Oneziforit sepse shpeshherë ma ka freskuar shpirtin dhe nuk ka pasur turp për prangat e mia.

17Përkundrazi, kur erdhi në Romë, më kërkoi me kujdes dhe më gjeti

18ia dhëntë Zoti fatin të gjejë mëshirën hyjnore në Ditën e Gjyqit! Por edhe sa shërbimet mi bëri në Efes, ti i di më mirë se askush!