Të gjithë kapitujt

2 i Kronikave · Kapitulli 10

IV. REFORMAT E PARA TË MONARKISË, 1. ROBOAMI DHE RIORGANIZIMI I LEVITËVE, etj.

19 vargje

IV. REFORMAT E PARA TË MONARKISË

1. ROBOAMI DHE RIORGANIZIMI I LEVITËVE

Ndarja

1Roboami shkoi në Sikem, sepse atje ishte mbledhur mbarë Izraeli për ta bërë mbret.

2Kur Jeroboami, biri i Nabatit, e kuptoi këtë - ai ndodhej në Egjipit, ku kishte ikur atje prej frikës së Salomonit - menjëherë u kthye.

3E thirrën dhe ai shkoi bashkë me mbarë Izraelin. Populli i tubuar foli me Roboamin dhe i thanë:

4“Yt atë na ka shtypur me një zgjedhë shumë të rëndë. Ti tani na e lehtëso barrën e shërbimit që na e ngarkoi yt atë dhe zgjedhën e rëndë që na e mbërtheu e ne do të të shërbejmë”.

5Ai u përgjigj: “Ejani tek unë pas tri ditësh”. Pasi u largua populli,

6mbreti Roboam u këshillua me pleqtë, me të cilët këshillohej i ati i tij Salomoni kur ishte gjallë. I pyeti: “Çkëshillë më jepni që ti përgjigjem popullit”?

7Ata i përgjigjën: “Nëse i pëlqen këtij populli dhe nëse i flet me fjalë të buta, do të të shërbejnë gjithmonë”.

8Por ai e hodhi këshillën e pleqve dhe filloi të këshillohet me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin përcjellja e tij.

9Edhe atyre u tha: “Si e mendoni ju dhe çfarë përgjigje duhet ti japim këtij populli që më tha: Na e lehtëso zgjedhën që na e ngarkoi yt atë”!

10Të rinjtë që kishin qenë rritur me të i përgjigjën e i thanë: “Kështu thuaji popullit që të tha: Yt atë na ngarkoi zgjedhë të rëndë, ti na e lehtëso, përgjigju e thuaju: Gishti im i vogli do të jetë më i trashë se ija e tim eti.

11Im atë ju ngarkoi zgjedhë të rëndë, por unë do t’jua shtoj barrën; im atë ju rrahi me frushkuj, kurse unë do t’ju rrah me frushkuj me plumba”.

12Kështu, pra, Jeroboami dhe mbarë Izraeli dolën para Roboamit të tretën ditë siç u kishte urdhëruar mbreti kur u tha: “Ejani tek unë të tretën ditë”.

13Mbreti u përgjigj me fjalë të rënda duke mos e përfillur këshillën e pleqve.

14U foli sipas dëshirës së të rinjve: “Im atë ju ngarkoi zgjedhë të rëndë e unë atë do ta bëjë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahi me frushkuj, kurse unë do t’ju rrah me frushkuj me krera gallomësh”.

15Mbreti nuk i pranoi lutjet e popullit, sepse kështu ishte vullneti i Hyjit me qëllim që të plotësohej fjala e tij, të cilën ia tha me gojë të Ahisë nga Siloja Jeroboamit, birit të Nabatit.

16Atëherë mbarë Izraeli, duke parë se mbreti sdonte ti dëgjonte, i thanë mbretit: “S kemi pjesë në Davidin as farë trashëgimi në birin e Isait! Kthehu, Izrael, në çadrat e tua! Tani ti, David, kujdesu për shtëpinë tënde”! Dhe Izraeli shkoi në çadrat e veta.

17Roboami mbretëroi vetëm mbi ata bij të Izraelit që jetonin në qytetet e Judës.

18Atëherë mbreti Roboam e dërgoi Aduramin, mbikëqyrësin e angarisë, por bijtë e Izraelit e vranë me gurë dhe vdiq, kurse mbreti Roboam me të shpejtë kërceu në karrocë dhe iku në Jerusalem.

19Kështu Izraeli u nda nga Shtëpia e Davidit deri në ditën e sotme.