Të gjithë kapitujt

2 i Kronikave · Kapitulli 9

Vdekja e Salomonit

31 vargje

1Po edhe mbretëresha e Sabës, kur dëgjoi për zërin e madh të Salomonit, erdhi për ta sprovuar atë me anë të gjëegjëzave. Erdhi në Jerusalem me një përcjellje të madhe e me gamile të ngarkuara me erëra të mira, me ar të shumtë e me gurë të paçmueshëm. Kur arriti te Salomoni, foli me të për gjithçka kishte në zemër të vet.

2Salomoni i shtjelloi gjithçka që ajo ia kishte parashtruar dhe si mbeti asgjë që ai nuk ia sqaroi.

3E kjo, pasi pa, domethënë urtësinë e Salomonit, shtëpinë që kishte ndërtuar,

4ushqimet në tryezën e tij, banesat e oborrtarëve dhe shërbimin e mëkëmbësve të tij, veshjet e tyre, kuptarët dhe petkat e tyre, flitë që i kushtonte në Shtëpinë e Zotit, prej habisë, mbeti fare pa frymë!

5Atëherë i tha mbretit: “Paska qenë e vërtetë fjala që kam dëgjuar në dheun tim për pasurinë dhe urtësinë tënde:

6unë nuk u besoja fjalëve që thuheshin deri që erdha vetë e pashë me sytë e mi e po shoh se më paska qenë treguar a po a jo gjysma e urtësisë sate: ia tejkalove zërit të madh që kam dëgjuar!

7Lum trimat e tu e lum shërbëtorët e tu që të rrinë pranë tërë kohën dhe e dëgjojnë urtësinë tënde!

8Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që i pëlqeu të të caktojë ty mbi fronin e vet për mbret në emër të Zotit, Hyjit tënd! Pse Hyji yt e do Izraelin e pse do ta ruajë për amshim, për këtë arsye edhe të vuri ty mbret mbi të për ta ushtruar të drejtën dhe drejtësinë”.

9Atëherë ajo i dha mbretit njëqind e njëzet talenta ar, erëra të mira pa masë shumë dhe gurë të paçmueshëm. Kurrë më nuk pat aq erëra të mira si ato që mbretëresha e Sabës ia dhuroi mbretit Salomon!

10Po ashtu edhe shërbëtorët e Hiramit dhe shërbëtorët e Salomonit i sollën ar prej Ofirit dhe dru sandali e gurë të çmueshëm.

11Prej lëndës së sandalit mbreti i punoi shkallët në Shtëpinë e Zotit dhe në pallatin mbretëror si edhe cetra e harpa për këngëtarë. Kurrë nuk ishte parë lëndë e tillë në dheun e Judës!

12Po ashtu edhe mbreti Salomon i dhuroi mbretëreshës së Sabës gjithçka dëshiroi dhe kërkoi, madje shumë më shumë se sa i kishte sjellë atij. Atëherë ajo u kthye me shërbëtorët e vet në vendin e vet.

13Pesha e arit që i sillej Salomonit për çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari,

14pa marrë parasysh sasinë që i vinte nga tregtarët dhe shitësit si tatim dhe sasinë e të gjithë mbretërve të Arabisë e të prijësve të vendit, të cilët i sillnin Salomonit ar e argjend.

15Mbreti Salomon punoi dyqind mburoja ari: për secilën u përdor pesha e gjashtëqind siklave të artë.

16Punoi gjithashtu edhe treqind mburojëza të arta: për secilën mburojëz shpenzoi nga treqind sikla të artë. Këto mbreti i vendosi në pallatin që quhet Pylli i Libanit.

17Gjithashtu mbreti e punoi një fron të fildishtë të madh dhe e veshi me ar të kulluar.

18I punoi edhe gjashtë shkallë, nëpër të cilat hipej në fron, mëkëmbëzën e artë dhe në të dy anët nga një bërrylëz si dhe dy luanë në këmbë afër bërrylzave.

19Gjithashtu edhe dymbëdhjetë luanë të tjerë të vegjël në këmbë përmbi shkallë në të dy anët: një fron i tillë nuk qe në asnjë mbretëri!

20Të gjitha enët e tryezës së mbretit ishin të arta si dhe enët e pallatit të Pyllit të Libanit ishin prej arit të kulluar. Në kohën e Salomonit argjendi nuk çmohej si i vlershëm.

21E njëmend anijet e mbretit shkonin me shërbëtorët e Hiramit në Tarsis dhe njëherë në tri vjet anijet ktheheshin prej Tarsisit të ngarkuar me ar, me argjend, me fildish, me majmunë e me pallonj.

22Mbreti Salomon i tejkaloi të gjithë mbretërit e botës me pasuri e me urtësi.

23Të gjithë mbretërit e botës dëshironin ta shihnin Salomonin për t’ia dëgjuar urtinë që ia kishte dhuruar Hyji zemrës së tij.

24Vit për vit i dhuronin enë të argjendta e të arta, petka, armë e erëra të mira, kuaj e mushka.

25Salomoni kishte katër mijë stalla kuajsh, kurse kuaj e kalorës dymbëdhjetë mijë. Ato i vendosi në qytete karrocash lufte si dhe në Jerusalem, ku qëndronte mbreti.

26Ai sundonte mbi të gjithë mbretërit prej lumit Eufrat deri në tokën e filistinëve e deri në kufinj të Egjiptit.

27Në Jerusalem solli një sasi të madhe argjendi thua se gurë, një sasi lënde cedri si manat që rriten në Sefelë.

28Tek ai sillnin kuaj prej Egjiptit e prej çdo krahine.

Vdekja e Salomonit

29Veprat e tjera të Salomonit, të parat e të mëpasmet, janë të shkruara në historinë e profetit Natan si dhe në Librin e profecisë së Ahisë nga Siloja si edhe në vëgimin e Ados, vegimtarit të Roboamit, birit të Nabatit.

30Salomoni mbretëroi në Jerusalem mbi mbarë Izraelin dyzet vjet

31e pastaj pushoi me etërit e vet. E varrosën në Qytetin e Davidit, babait të vet. Në vend të tij u bë mbret Roboami, i biri.