Të gjithë kapitujt

2 i Kronikave · Kapitulli 11

Veprimtaria e Roboamit, Priftërinjtë marrin anën e Roboamit, etj.

23 vargje

Veprimtaria e Roboamit

1Me të arritur në Jerusalem, Roboami e bashkoi mbarë shtëpinë e Judës e të Beniaminit: njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur për të luftuar kundër Izraelit e për t’ia kthyer vetes mbretërinë.

2Porse i erdhi fjala e Zotit Semejës, njeriut të Hyjit, e i tha:

3“Fol me Roboamin birin e Salomonit, mbretin e Judës dhe me të gjithë Izraelin që është në Judë në Beniamin:

4Kështu thotë Zoti: Ruaj se dilni e luftoni kundër vëllezërve tuaj! Secili le të kthehet në shtëpinë e vet sepse kështu ka ndodhur pse unë ashtu kam dashur”. Këta, kur e dëgjuan fjalën e Zotit, u kthyen dhe nuk shkuan në luftë kundër Jeroboamit.

5Roboami banoi në Jerusalem dhe i rindërtoi qytetet e fortifikuara të Judës.

6E rindërtoi Betlehemin, Etamin, Tekuen,

7Betsurin, Sokon, Odolamin,

8Getin, Maresën, Zifin,

9Aduramin, Lakisin e Azekën,

10Saranë, Ajalonin dhe Hebronin që ishin qytete shumë të fortifikuara në Judë e në Beniamin.

11Pasi i rrethoi me mure, ua vuri udhëheqësit dhe shpuri në to nozulla drithërash, vaji e vere.

12Madje edhe në çdo qytet punoi armatore shqytash e heshtash dhe i forcoi me kujdesin më të madh. Kështu u bë sundimtar i Judës dhe Beniaminit.

Priftërinjtë marrin anën e Roboamit

13Priftërinjtë dhe levitët që ishin kudo në Izrael i lanë vendet e veta dhe erdhën te Roboami.

14Edhe levitët i lëshuan kullotat dhe pronat e veta dhe kaluan në Judë e në Jerusalem për arsye se Jeroboami dhe pasardhësit e tij i përjashtuan ata prej shërbesës priftërore të Zotit.

15Jeroboami themeloi priftërinj për lartësira, për djaj e për viça që ai vetë i kishte punuar.

16Por shumë vetë prej të gjitha fiseve të Izraelit, të gjithë ata që me zemër e kërkonin Zotin, Hyjin e Izraelit, i ndoqën ata dhe erdhën në Jerusalem për ti kushtuar fli Zotit, Hyjit të etërve të vet.

17Kështu e forcuan mbretërinë e Judës dhe e përkrahën Roboamin, birin e Salomonit, për tre vjet; sepse e ndoqën udhën e Davidit e të Salomonit vetëm për tre vjet.

Familja e Roboamit

18Roboami mori për grua Mahalatën, bijën e Jerimotit, të birit të Davidit dhe të Abihajlës, bijës së Eliabit, birit të Isait.

19Prej saj i lindën djemtë: Jehusi, Somoria dhe Zoomi.

20Pas kësaj mori edhe Maakën, bijën e Absalomit, prej të cilës i lindën Ablai, Etaji, Zizai e Salomiti.

21Por Roboami e deshi Maakën, bijën e Absalomit, më tepër se të gjitha gratë dhe konkubinat e veta, sepse kishte marrë tetëmbëdhjetë gra e gjashtëdhjetë konkubina. I lindën njëzet e tetë djem e gjashtëdhjetë vajza.

22Roboami e vuri për kryetar të vëllezërve të vet Abinë, birin e Maakës, sepse atë mendonte ta bënte mbret.

23Dhe urtësisht i shpërndau djemtë e vet nëpër të gjitha krahinat e Judesë e të Beniaminit, në të gjitha qytetet e fortifikuara. I nozulloi me shumë ushqime dhe i martoi me shumë gra.