Të gjithë kapitujt

2 i Kronikave · Kapitulli 12

Pabesnikëria e Roboamit

16 vargje

Pabesnikëria e Roboamit

1Kur Roboami e forcoi dhe e përforcoi mbretërinë e vet, e la Ligjin e Zotit e me të edhe mbarë Izraeli.

2Në vitin e pestë të mbretërimit të Roboamit, Sesaku, mbreti i Egjiptit, e sulmoi Jerusalemin - sepse mëkatuan kundër Zotit -

3me një mijë e dyqind karroca lufte e me gjashtëdhjetë mijë kalorës, kurse numri i popullit që kishte ardhur me të nga Egjipti ishte jashtëzakonisht i madh e ishin libianë, sociitë dhe etiopianë.

4I pushtoi qytezat e fortifikuara që ishin në Judë dhe arriti deri në Jerusalem.

5Atëherë profeti Semeja hyri te Roboami dhe prijësit e Judesë që ishin bashkuar në Jerusalem prej frikës së Sesakut e u tha: “Kështu thotë Zoti: Ju më latë mua dhe unë ju lëshova në duar të Sesakut”.

6Atëherë prijësit e Izraelit edhe mbreti u përvujtëruan e thanë: “Zoti është i drejtë”!

7Kur Zoti pa se ishin përulur i tha Semejës: “Pasi u përvujtëruan, unë nuk do ti shfaros. Menjëherë do ti shpëtoj dhe nuk do ta zbraz zemërimin tim mbi Jerusalem me anë të Sesakut.

8Megjithatë do të bëhen skllevërit e tij e kështu do ta kuptojnë se çdo të thotë të më shërbejnë mua e çfarë tu shërbejnë mbretërve të dheut”.

9Kështu, pra, Sesaku, mbreti i Egjiptit, hyri në Jerusalem, i plaçkiti thesaret e Shtëpisë së Zotit e të pallatit të mbretit; i mori të gjitha me vete. Mori edhe mburojat e arta që i kishte punuar Salomoni.

10Në vend të tyre mbreti Roboam i punoi prej bronzi dhe ua dha në kujdesje prijësve të rojës së pallatit mbretëror që e ruanin hyrjen e pallatit.

11Kur mbreti hynte në Shtëpinë e Zotit, vinin rojet e i merrnin ato, pastaj përsëri i kthenin në armatoren e vet.

12Për shkak se u përvujtërua, hidhërimi i Zotit u largua prej tij dhe nuk qe zhdukur krejtësisht. Pastaj edhe në Judë u gjet ndonjë gjë e mirë.

13Pastaj mbreti Roboam u mëkëmb përsëri në Jerusalem dhe vazhdoi të mbretërojë. Ishte dyzetenjëvjeçar kur hipi në fron dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në qytetin e Jerusalemit, të cilin Zoti e zgjodhi ndër të gjitha fiset e Izraelit për ta vendosur në të Emrin e vet. Nëna e tij quhej Naamë. Ishte me fis Amanite.

14Bëri keq, sepse nuk e lodhi mendjen ta kërkojë Zotin.

15Veprat e para e të sprasmet të Roboamit janë të shkruara në historinë e profetit Semeja dhe në shënimet e breznive të vegimtarit Ido, si dhe të luftërave të vazhdueshme ndërmjet Roboamit e Jeroboamit.

16Roboami pushoi me etërit e vet. Qe varrosur në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Abia, i biri.