Të gjithë kapitujt

2 i Mbretërve · Kapitulli 5

Shërimi i Naamanit

27 vargje

Shërimi i Naamanit

1Naamani, prijësi i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte njeri me rëndësi të madhe në sytë e zotërisë së vet dhe i nderuar shumë, sepse me anë të tij Zoti e kishte shpëtuar Sirinë; porse ky trim i mirë ishte i gërbulur.

2Në një çetim që bënë disa prej Sirisë, grabitën edhe një vajzë të re nga dheu i Izraelit dhe kësaj i takoi të bëhej shërbëtore e gruas së Naamanit.

3Kjo po i thotë zonjës së vet: “Oh, sikur ti drejtohej imzot profetit që është në Samari! Me siguri do ta shëronte nga gërbula e tij”!

4Naamani shkoi dhe i tha zotërisë së vet: “Kështu e kështu ka thënë një vajzë prej Izraelit”.

5Mbreti i tha: “Ti nisu për rrugë! Unë do ti shkruaj mbretit të Izraelit një letër.” Naamani u nis. Me vete mori dhjetë talenta argjend, gjashtë mijë sikla ari dhe dhjetë palë petka ndërrimi.

6Ia dorëzoi letrën mbretit të Izraelit. Në të thuhej: “Posa ta marrësh këtë letër, dije se e kam dërguar shërbëtorin tim Naamanin që ta shërosh prej gërbulës së tij”.

7Kur e lexoi letrën mbreti i Izraelit, i shqeu petkat e veta dhe tha: “A mos jam unë Perëndi që të mund të vras e të ngjall, që të dërgojë ky tek unë për t’ia shëruar njeriun prej gërbulës? A po shihni se skërkon tjetër pos rast për të mu ngatërruar”!

8Por kur Elizeu, njeriu i Hyjit, mori vesh se mbreti i Izraelit i kishte shqyer petkat e veta, dërgoi ti thoshin mbretit: “Pse i shqeve petkat e tua? Le të vijë tek unë e le ta dijë se ka profet në Izrael”!

9Naamani shkoi me kuaj e me karroca dhe zuri vend te dera e shtëpisë së Elizeut.

10Elizeu i dërgoi një lajmëtar me këto fjalë: “Shko e lahu shtatë herë në Jordan: trupi yt do të shërohet e do të pastrohesh”.

11Naamani u hidhërua dhe u nis duke turfulluar: “Unë mendoja se do të dilte tek unë, do të qëndronte para meje e do ta thërriste Emrin e Zotit, Hyjit të tij, mbi mua, do të ma prekte me dorën e vet vendin e gërbulës e do të më shëronte!

12Pse a nuk janë më të mira Abana e Farfari, lumenjtë e Damaskut, se të gjitha ujërat e Izraelit për tu larë në to e për tu shëruar”?, dhe u kthye duke shfryrë i hidhëruar.

13Por iu afruan shërbëtorët e tij e i thanë: “Po të të kishte urdhëruar profeti një punë të vështirë, patjetër se do ta kishe kryer; aq më tepër pasi tani të tha: Lahu e do të pastrohesh”.

14Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua.

15Atëherë me mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: “Tani po e di se s’ka Perëndi në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael! Po të lutem, pra, prano një dhuratë prej anës së shërbëtorit tënd”.

16Por ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit, kujt i shërbej, assesi si marr”. Megjithëse iu vu për së tepërmi, Elizeu nuk pranoi assesi.

17I tha Naamani: “Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do ti kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.

18Por Zoti le t’ia falë këtë sjellje shërbëtorit tënd: kur do të shkojë zotëria im në tempullin e Remonit për të adhuruar atje e do të mbështetet në dorën time, edhe unë do të bie në adhurim në tempullin e Remonit ndërsa ai të adhurojë; të lutem për këtë gjë le të më falë Zoti mua, shërbëtorin tënd.”

19Elizeu iu përgjigj: “Shko në paqe”! Pasi Naamani qe larguar jo shumë larg Elizeut,

20Gjiezi, shërbëtori i njeriut të Hyjit, tha me vete: “Imzoti e nisi Naamanin, këtë sirian, e smori prej tij dhuratat që i solli. Pasha Zotin, po i vihem vetë prapa e s’po e lë pa i marrë ndonjë gjë”.

21Gjiezi iu vu pas Naamanit. Ky, kur e vuri re se po vraponte pas tij, zbriti prej karroce dhe u kthye ta takojë. I tha: “A është gjithçka mirë”?

22Gjiezi iu përgjigj: “Mirë! Por imzoti më dërgoi të të them: Posa më erdhën dy djelmosha prej malit të Efraimit, dy prej bijve të profetëve. Po të lutem më jep për ta një talent argjendi dhe dy palë petka ndërrimi”.

23Naamani i tha: “Më mirë merri dy talenta”. Dhe iu vu ti merrte. I lidhi në dy qese dy telentat, dha dy palë petka dhe ua dha dy shërbëtorëve të vet e këta i sollën para tij.

24Kur arritën në kodër, Gjiezi i mori prej tyre dhe i vendosi në shtëpi: djelmoshat i nisi dhe ata u kthyen.

25Gjiezi hyri te zotëria i vet e qëndroi para tij. Elizeu e pyeti: “Gjiezi, prej nga po vjen?” Iu përgjigj: “Shërbëtori yt nuk shkoi askund”.

26Elizeu i tha: “Pse a nuk qeshë në shpirt aty unë kur një njeri zbriti nga karroca për të ardhur në takim me ty? A thua ishte koha të merrje argjend, petka, ullishta, vreshta, dele, lopë, shërbëtorë e shërbëtore?

27Ama edhe gërbula e Naamanit do të kalojë mbi ty e mbi farën tënde për amshim”! Dhe doli prej tij i gërbulur bardhë si bora!