Të gjithë kapitujt

2 i Samuelit · Kapitulli 18

Shpartallimi i partisë së Absalomit, Vdekja e Absalomit, etj.

32 vargje

Shpartallimi i partisë së Absalomit

1Pastaj Davidi e njehu popullin që ishte me të dhe caktoi mbi të mijëtarë e urdhërqindës.

2Mandej Davidi e ndau ushtrinë në tri pjesë: një të tretën e ushtrisë nën udhëheqjen e Joabit, një të tretën nën udhëheqjen e Abisait, birit të Sarvisë, vëllait të Joabit, një të tretën nën udhëheqjen e Etait, që ishte nga Geti. Mbreti i tha popullit: »Edhe vetë po vij në luftë me ju.«

3Mbarë ushtria iu përgjigj: »Jo, ti s’do të vish në luftë. Sepse, nëse do të na duhet të ikim, askush nuk do t’i japë rëndësi; po edhe nëse mbetemi të vrarë gjysma prej nesh, askush nuk do t’i japë rëndësi, kurse ti vetëm çmohesh sa dhjetë mijë vetë. Prandaj është më mirë që të jesh i gatshëm të na gjendesh në ndihmë prej qytetit.«

4Atëherë mbreti u tha: »Si t’ju duket se është më mirë, ashtu do të bëj.« Kështu edhe mbreti qëndroi pranë derës së qytetit. Ushtria dilte në grupe nga njëqind e nga një mijë.

5Mbreti u urdhëroi Joabit, Abisait dhe Etait e u tha: »Për hatrin tim, mos e çartni djaloshin Absalom!« Mbarë ushtria dëgjoi se mbreti u urdhëroi kështu krerëve lidhur me Absalomin.

6Kështu ushtria doli në fushim e gatshme për t’u përleshur me Izraelin dhe përleshja u nis në pyllin e Efraimit.

7Dhe aty ushtria e Davidit e preu ushtrinë e Izraelit. Qe një humbje e rëndë atë ditë: mbetën njëzet mijë vetë.

8Përleshja u shtri nëpër mbarë krahinën dhe më shumë qenë asish që i përpiu pylli sesa asish që i preu shpata atë ditë.

Vdekja e Absalomit

9Por ndodhi që Absalomi të takohej me ushtarët e Davidit. Ishte në majë të mushkut. Kur mushku hyri nën një qarr të madh me gema, iu ngatërrua kryet Absalomit në gema dhe mbeti i varur mes qiellit e tokës, kurse mushku, në të cilin ishte, kaloi.

10E pa dikush dhe i lajmëroi Joabit: »E pashë Absalomin të varur në qarr.«

11Joabi i tha atij burri që i lajmëroi: »Nëse e pe, pse nuk e mbërtheve për tokë? Unë do të të jepja dhjetë sikla të argjendtë dhe një brez.«

12Ai iu përgjigj Joabit: »Po edhe sikur të m’i qitje këtu në shuplakë të dorës një mijë sikla të argjendtë, unë assesi nuk do të çoja dorë mbi djalin e mbretit. Sepse me veshët tanë e kemi dëgjuar kur mbreti të urdhëroi ty, Abisait dhe Etait: ‘Ma ruani, kushdo që ta takojë, djaloshin Absalom!’

13Po ta kisha bërë një punë të tillë me pabesnikëri kundër ndërgjegjes sime, kjo gjë assesi nuk do të mbetej e fshehtë për mbretin, e ti atëherë s’do të më kishe mbrojtur.«

14Joabi tha: »Kot po humb kohë pranë teje!« I mori pra, tri heshta në dorë dhe ia nguli në zemër Absalomit që ishte ende gjallë në gemat e qarrit.

15Vrapuan dhjetë djelmosha, armëmbajtës të Joabit, e goditën dhe e vranë.

16Atëherë Joabi i ra borisë dhe ushtria pushoi të ndjekë më tutje Izraelin, sepse Joabi e ndali popullin.

17Atëherë e morën Absalomin, e hodhën në një shpellë të thellë në pyll dhe mbi të qitën një mogilë të madhe gurësh. Atëherë mbarë Izraeli shkoi në çadrat e veta.

18Absalomi, qysh sa ishte gjallë, kishte ngritur për vete një përmendore në luginën e Mbretit; sepse thoshte: »S’kam djalë që të ma ruajë kujtimin e emrit tim.« Dhe atë përmendore e quajti me emrin e vet dhe ajo quhet deri më sot Përmendorja e Absalomit.

Davidit i tregojnë për vdekjen e Absalomit

19Akimaasi, biri i Sadokut, tha: »Po vrapoj e po i tregoj mbretit sihariqin se Zoti i ka bërë drejtësi duke e shpëtuar prej armiqve të tij.«

20Joabi i tha: »Nuk je sot sihariqtar, por lajmëroje një ditë tjetër. Sot nuk i çon lajme të mira, sepse ka mbetur djali i mbretit.«

21Por Joabi i tha etiopasit: »Shko e tregoji mbretit ç’ke parë!« Etiopasi i bëri nderim Joabit dhe u nis vrap.

22Por Akimaasi, biri i Sadokut, përsëri i tha Joabit: »Çkado që të më ndodhë, edhe vetë po shkoj pas etiopasit!« Por Joabi i tha: »Pse po nxiton, biri im? S’do ta marrësh dhuratën e sihariqtarit!«

23E ai iu përgjigj: »Të ndodhë ç’të ndodhë, unë do të shkoj!« I tha: »Vrapo!« Akimaasi vrapoi udhës së rrafshtë dhe e kaloi etiopasin.

24Davidi rrinte ndërmjet dy dyerve. Rojtari vrojtues kishte dalë mbi tarracë përmbi derë në mur dhe, kur ngriti sytë, pa se një njeri po vraponte

25dhe thirri e i tregoi mbretit. Mbreti i tha: »Nëse është vetëm, sjell lajm të mirë.« Pasi ai po shpejtonte e po afrohej gjithnjë,

26vrojtuesi pa se po afrohej edhe një tjetër dhe i thirri vrojtuesi dertarit: »Po shoh se po vrapon një njeri vetëm.« Mbreti tha: »Edhe ky është lajmëtar i mirë.«

27Atëherë vrojtuesi tha: »E njoh vrapimin e të parit: më duket se është Akimaasi, biri i Sadokut.« Mbreti tha: »Është njeri i mirë dhe sjell sihariq.«

28Akimaasi e përshëndeti mbretin me zë të lartë: »Gjithçka mirë!« Dhe u përkul me fytyrë përdhe e tha: »Qoftë bekuar Zoti, Hyji yt, që u dha fund njerëzve, të cilët u ngritën kundër zotërisë tim mbretit!«

29Mbreti e pyeti: »A është gjallë djaloshi Absalom?« Akimaasi iu përgjigj: »Pashë një përleshje të madhe kur Joabi e dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua shërbëtorin tënd, por nuk di si mori fund puna.«

30Atëherë mbreti i tha: »Kalo e qëndro atje!« Pasi u largua ai dhe qëndroi m’ane,

31ia behu etiopasi dhe, kur arriti, tha: »Ju sjell sihariq, imzot mbret! Zoti sot të ka dhënë të drejtën dhe të ka shpëtuar prej duarve të të gjithë armiqve që u ngritën kundër teje.«

32Por mbreti i tha etiopasit: »A është mirë djaloshi Absalom?« Etiopasi u përgjigj: »I gjettë porsi djaloshin të gjithë armiqtë e mbretit, zotërisë tim, që u ngritën për t’i bërë të keqen mbretit.«