Të gjithë kapitujt

2 i Samuelit · Kapitulli 21

V. SHTOJCAT, Uria e madhe dhe vrasja e pasardhësve të Saulit, etj.

22 vargje

V. SHTOJCAT

Uria e madhe dhe vrasja e pasardhësve të Saulit

1Në kohën e Davidit ndodhi një uri që zgjati tri vjet. Davidi iu drejtua për këshillë Zotit e Zoti iu përgjigj: »Mbi Saulin dhe mbi familjen e tij rëndon gjaku, sepse i vrau gabaonasit.«

2Atëherë mbreti i thirri gabaonasit dhe u tha - duhet ditur se gabaonasit nuk janë izraelitë, por mbeturinë e amorrenjve e izraelitët u kishin dhënë besën se s’do t’i vritnin, por Sauli, prej zellit të tepruar për bijtë e Izraelit e të Judës, vetë deshi t’i vrasë -;

3u tha pra Davidi gabaonasve: »Çfarë të bëj për ju? Ç’doni t’ju jap për shpagim që t’i bekoni trashëgimtarët e Zotit?«

4Gabaonasit i thanë: »Ne nuk kërkojmë prej Saulit as prej shtëpisë së tij as argjend as ar. Nuk kërkojmë as që të vritet ndokush prej Izraelit.« Mbreti u tha: »Ç’të kërkoni, unë do ta bëj për ju.«

5Ata i thanë mbretit: »Prej pasardhësve të atij njeriu që na ka vrarë dhe ka dashur të na e shuajë farën kështu që të mos mbetej askush prej nesh brenda kufijve të Izraelit,

6na i jep shtatë burra t’i varim para Zotit në Gabaon, në malin e Zotit.« Mbreti u përgjigj: »Do t’jua jap.«

7Mbreti e fali Meribaalin, birin e Jonatanit, të birit të Saulit, për shkak të besës së Zotit që ishte lidhur ndërmjet Davidit e Jonatanit, të birit të Saulit.

8Kështu, pra, mbreti i mori dy bijtë e Resfës, së bijës së Ajës, që ia lindi Saulit, Armoniun e Meribaalin, dhe pesë bijtë e Merabës, së bijës së Saulit, që ia kishte lindur Hadrielit, birit të Berzelait, që ishte nga Mehola,

9dhe ua dorëzoi gabaonasve, të cilët i varën në mal para Zotit. Kështu u vranë të shtatët së bashku në ditët e para të korrjes, në fillim të korrjes së elbit.

10Atëherë Resfa, bija e Ajës, mori një thes, e shtroi mbi qetë për vete qysh prej fillimit të korrjes derisa ra shiu nga qielli mbi kufomat e tyre. Nuk i la shpendët të binin mbi trupin e tyre ditën as egërsirat e malit natën.

11I lajmëruan Davidit ç’kishte bërë Resfa, bija e Ajës, shemra e Saulit.

12Atëherë Davidi shkoi e i mori eshtrat e Saulit dhe eshtrat e Jonatanit, birit të tij, prej qytetarëve të Jabesit të Galaadit, që i kishin vjedhur nga tregu i Betsanit, ku i kishin varur filistenjtë pasi i patën vrarë në Gjelboe.

13Davidi, pra, i pruri eshtrat e Saulit e të birit të tij, Jonatanit. I mblodhën edhe eshtrat e të varurve

14dhe i varrosën bashkë me eshtrat e Saulit e të birit të tij, Jonatanit, në tokën e Beniaminit, në Selë, në varrezën e Cisit, babait të tij. Bënë gjithçka u urdhëroi mbreti e atëherë Zoti u dëftua i mëshirshëm me vendin.

Trimëritë e lavdishme kundër filistenjve

15Prapë u bë një luftë ndërmjet filistenjve e izraelitëve. Davidi zbriti me ushtarët e vet e po luftonin kundër filistenjve. Por Davidi u lodh.

16Jesbibenobi, një nga pasardhësit e Rafës - heshta e të cilit ishte e rëndë treqind sikla bronzi - me shpatë të re të ngjeshur në ijë, lëvdohej se do ta vriste Davidin.

17Por Davidit i erdhi në ndihmë Abisai, biri i Sarvisë, e goditi filistiun dhe e vrau. Atëherë u përbetuan njerëzit e Davidit dhe i thanë: »Ti s’do të dalësh më me ne në luftë, që të mos na e ndalësh dritëzën e Izraelit.«

18Përsëri u bë edhe një luftë në Gob kundër filistenjve: asohere Sobokai i Husës e, vrau Safin pasardhësin e Rafës.

19Përsëri u bë edhe një luftë tjetër në Gob kundër filistenjve: asohere Elkanani, biri i Jairit, nga Betlehemi, vrau Goliat Geteun, dorëza e heshtës së të cilit ishte porsi shuli i tezgjahut.

20Prapë plasi një luftë në Get, ku ishte një njeri shumë i lartë: kishte nga gjashtë gishtërinj në duar e në këmbë, d.m.th. njëzet e katër; edhe ky ishte prej rodit të Rafës.

21Edhe ky deshi të poshtëronte Izraelin, por e vrau Jonatani, biri i Samës, vëllait të Davidit.

22Të katërtit ishin prej rodit të Rafës nga Geti dhe u vranë prej dorës së Davidit e të ushtarëve të tij.