Të gjithë kapitujt

2 i Samuelit · Kapitulli 22

Psalmi i Davidit

51 vargje

Psalmi i Davidit

1Davidi ia drejtoi Zotit fjalët e kësaj kënge ditën kur Zoti e shpëtoi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit.

2Ai tha: »Zoti është qeta ime, qyteza ime, shpëtimtari im!

3Hyji im, shkëmbi im, në të cilin strehohem, shqyti im, shpëtimi im, mburoja ime dhe strehimi im! shpëtimtari im, ti më liron nga dhuna.

4E thërras Zotin që është i denjë për çdo lëvdatë dhe ai më shpëton prej armiqve të mi.

5Më rrethuan valët e vdekjes, më befasuan përrenj bakëqijsh,

6rashë në leqet e vdekjes.

7Në ngushtimin tim e thirra Zotin, klitha drejt Hyjit tim. Prej Tempullit të vet e dëgjoi zërin tim, dhe britma ime arriti në veshët e tij.

8Toka u trand dhe u lëkund, luajtën themelet e qiejve, u tronditën sepse ai u hidhërua.

9Nga vrima e hundëve tymi ngufoi, nga goja zjarr e flakë buçiti, prush i gjallë prej tij flakëroi!

10I uli qiejt e zbriti, nën këmbët e tija një re e murrme.

11Kaluar mbi kerubin fluturoi, lundroi mbi krahët e erës.

12Si me vela nga errësira u mbështoll, tenda e tij - ujët e murrmë, re përmbi re!

13Nga bredhja e shkëlqimit në praninë e tij flakë prushi u ndez!

14Nga qielli Zoti gjëmoi, i Tejetlarti bëri t’i dëgjohet zëri!

15I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau armiqtë, i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi.

16Atëherë u pa fundi i deteve, jashtë dolën themelet e botës, prej britmës së Zotit, prej erës së frymës së felgrimit të tij.

17Prej së larti çoi e më mori, më nxori nga ujërat e mëdha.

18Më shpëtoi nga armiku im tejet i fortë, prej atyre që më urrejnë e që janë më të fortë se unë!

19Më sulmuan në ditën kur isha ngushtë, por Zoti më mori në ndore.

20Ai më qiti në vend të shpëtimit, më shpëtoi sepse ai më ka për zemër.

21Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia.

22Sepse unë i ndoqa udhët e Zotit, nuk u largova prej Hyjit tim.

23Para sysh i kam të gjitha rregulloret e tija, dhe nuk iu shmanga urdhërimeve të tija.

24Jam i pastër para syve të tij, sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.

25Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, sepse e pa pastrinë e duarve të mia.

26Me shenjtin je i shenjtë, me të pafajshmin je i pafajshëm.

27Me të zgjedhurin ti je i zgjedhur kurse dinakut huq ia shkon planet.

28Ti e shpëton popullin e përvujtë, kurse sytë e krenarëve i përul.

29Ti je dritëza ime, o Zot, Hyji im i davarit errësirat e mia.

30Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.

31Udha e Zotit është krejtësisht e pastër, fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr. Është shqyt për të gjithë ata që shpresojnë në të.

32Pse a ka ndonjë hyjni tjetër përveç Zotit? A ka Qetë shpëtimi ndonjë tjetër përveç Hyjit tonë?

33Ai është Hyji që më ngjesh me fuqi, e bën të sigurt udhën time.

34Të lehta m’i bën këmbët porsi të kaprollit, ai më vendosi në lartësi të sigurta.

35Ai m’i ushtron duart për luftim, e krahët e mi për të përdorur harkun e bronzit.

36Ti ma jep shqytin që më shpëton, më madhëron kujdesi yt.

37Ti u jep guxim hapave të mi më nuk më merren këmbët e mia.

38Në shpinë u rashë armiqve të mi dhe i zura, prapa s’u ktheva derisa i shova.

39Përdhe i rrëzoj e më nuk mund të ngrihen, bien përdhe, nën shqelma i vë.

40Me fuqi më ngjeshe për të luftuar, nën mua i shtrove kundërshtarët e mi.

41Të armiqve të mi shpinën ma tregon urryesit e mi unë i shpartallova!

42Lëshuan kushtrimin - askush s’u vjen në ndihmë, thërrasin në ndihmë Zotin - ai nuk u përgjigjet.

43I ndrydha porsi pluhurin e dheut, i shkela porsi llomin në rrugë.

44Ti më shpëtove nga kryengritja e popullit tim, Krye më bëre mbi popujt paganë. Më shërbeu populli që as nuk e njihja,

45bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin, posa e ndiejnë zërin tim, dëgjojnë me gatishmëri.

46Para meje të huajve ora u liget, duke u dridhur dalin prej qytezave!

47Rroftë Zoti dhe qoftë bekuar Qeta e shpëtimit tim, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

48Hyji që ma mundëson të hakmerrem, që i shtron popujt nën mua.

49Ti më shpëton nga armiqtë e mi, ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi, ti më liron prej njeriut mujshar.

50Prandaj, o Zot, do të të lëvdoj mes paganëve, himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd!

51Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet, e përkrah Davidin, të shuguruarin e vet, dhe pasardhësit e tij për amshim.«