Të gjithë kapitujt

2 i Samuelit · Kapitulli 24

Regjistrimi i popullit, Murtaja dhe falja e Zotit, etj.

25 vargje

Regjistrimi i popullit

1Felgrimi i Zotit u ndez edhe një herë kundër Izraelit. E nxiti Davidin kundër popullit duke i thënë: »Shko e numëroje Izraelin e Judën!«

2Atëherë mbreti i tha Joabit e prijësve të ushtrisë së vet që ishte me të: »Përshko të gjitha fiset e Izraelit prej Danit e deri në Bersabee, dhe njehni popullin që ta di numrin e tij.«

3Joabi i tha mbretit: »Zoti, Hyji yt, e shtoftë popullin sa është tani edhe njëqind herë aq para syve të zotërisë tim mbretit! Por çfarë i duhet zotërisë tim mbretit kjo gjë?«

4Porse fjala e mbretit ishte më e fortë se fjala e Joabit dhe e prijësve të ushtrisë. Kështu pra, doli Joabi dhe prijësit e ushtrisë prej pranisë së mbretit dhe shkuan për të numëruar popullin e Izraelit.

5Si e kaluan Jordanin, ia filluan prej Aroerit dhe prej qytetit që është në mes të luginës dhe kaluan prej andej drejt Gadit e Jazerit.

6Arritën në Galaad dhe në tokën e hetenjve në Kades dhe shkuan në Dan. Prej Danit u drodhën në Sidon

7e arritën në qytezën e Tirit dhe në të gjitha qytetet e Heveut e të Kananeut dhe dolën në Nagebin e Judës në Bersabee.

8Pasi kaluan mbarë tokën, u kthyen në Jerusalem pas nëntë muajsh e njëzet ditësh.

9Joabi ia dha mbretit numrin e regjistrimit të popullit: Izraeli kishte tetëqind mijë burra të aftë për shpatë, kurse prej Judës ishin pesëqind mijë luftëtarë.

Murtaja dhe falja e Zotit

10Por pasi kreu Davidi regjistrimin, filloi ta brejë ndërgjegjja e Davidi i tha Zotit: »Me këtë veprim kam bërë mëkat të madh, por tani po të lutem, o Zot, falja shërbëtorit tënd fajin, sepse kam vepruar tepër marrëzisht.«

11Kur u ngrit Davidi në mëngjes, fjala e Zotit i kishte ardhur Gadit profet, vëguesit të Davidit. I kishte thënë:

12»Shko e thuaj Davidit: Kështu thotë Zoti: Po t’i parashtrojë tri gjëra, zgjidh njërën ndër to dhe atë do ta bëj.«

13Gadi erdhi te Davidi dhe e lajmëroi. I tha: »A do të vijnë tre vjet urie në tokën tënde, ose të ikësh tre muaj para armiqve të tu e ata të të ndjekin, ose të ketë tri ditë murtajë në tokën tënde? Tani pleqëro dhe vendos çfarë më duhet t’i përgjigjem atij që më ka dërguar?«

14Atëherë Davidi i tha Gadit: »Jam tepër ngushtë! Por më mirë le të biem në duar të Zotit - sepse e madhe është mëshira e tij - se sa në duar të njerëzve.«

15Dhe Davidi zgjodhi murtajën. Ishte koha e korrjes së grurit. Dhe Zoti e çoi murtajën në Izrael prej mëngjesit e deri në kohën e caktuar dhe vdiqën prej popullit që nga Dani e deri në Bersabee shtatëdhjetë mijë vetë.

16Kur engjëlli i Zotit e shtriu dorën e vet përmbi Jerusalem për ta asgjësuar, iu dhimb Zotit për shkak të asaj së keqeje e i tha engjëllit shuplakues të popullit: »Mjaft! Ndale tani dorën tënde!« Atëherë engjëlli ndodhi te lëma e Areunë Jebuseut.

17Davidi, kur e pa engjëllin, vrasësin e popullit, i tha Zotit: »Unë mëkatova, unë e kam bërë këtë të keqe, e këto dele ç’të keqe kanë bërë? Le të bjerë dora jote mbi mua e mbi familjen e tim eti!«

Ndërtimi i një lteri

18Po atë ditë Gadi shkoi te Davidi dhe i tha: »Ngrihu dhe ndërto për nder të Zotit një lter në lëmin e Areunë Jebuseut.«

19Dhe Davidi shkoi me fjalën e Gadit si i kishte urdhëruar Zoti.

20Kur shikoi Areuna, pa se mbreti dhe oborrtarët e tij po shkonin tek ai.

21Areuna doli përpara, u përkul me fytyrë përdhe në shenjë nderimi e tha: »Ç’e mirë ka ndodhur që të vijë imzot mbreti te shërbëtori i tij?« Davidi iu përgjigj: »Për ta blerë prej teje këtë lëmë e për të ndërtuar një lter për nder të Zotit që të mejë mordja që po rëndon mbi popull.«

22Areuna i tha Davidit: »Le ta marrë dhe le të flijojë imzot mbreti si t’i pëlqejë. Ja, gjedhi për fli shkrumbimi, qerri dhe pendët e qeve për dru.

23Areuna ia jep mbretit të gjitha, o mbret!« Edhe këto i tha Areuna mbretit: »E pranoftë Zoti, Hyji yt, kushtin tënd!«

24Porse mbreti iu përgjigj: »Assesi! Por do t’i blej prej teje e do t’i paguaj sa të kushtojnë se nuk dua t’i kushtoj Zotit, Hyjit tim, fli të dhuruara.« Kështu Davidi e bleu atë lëmë dhe gjedhin pesëdhjetë sikla të argjendtë.

25Aty ndërtoi Davidi lterin për nder të Zotit dhe i kushtoi flitë e shkrumbimit dhe të pajtimit. Atëherë Zoti pati dhimbje për vendin dhe pushoi mordja në Izrael.