Të gjithë kapitujt

Amosi · Kapitulli 2

Moabi, Juda, etj.

16 vargje

Moabi

1Kështu thotë Zoti: ”Për tri keqbërjet e Moabit e për katër s’do ta kthej prapa vendimin: Pse i dogji eshtrat e mbretit të Edomit derisa ia bëri hi,

2do ta çoj zjarrin në Moab, do t’ia përpijë Kariotit pallatet, do të mbarojë në kryengritje Moabi, në britma lufte, në zë të borisë!

3Do të bëj të zhduket prej tij gjyqtari, do ti vras me të të gjithë të parët e tij!”, - është fjala e Zotit.

Juda

4Kështu thotë Zoti: “Për tri keqbërjet e Judës e për katër s’do ta kthej prapa vendimin: pse e lanë Ligjin e Zotit e s’ia mbajtën urdhërimet - mendjen ua morën idhujt e tyre - pas të cilëve u shkuan etërit:

5do ta çoj zjarrin në Jude, Jerusalemit t’ia përpijë pallatet!”

Izraeli

6Kështu thotë Zoti: “Për tri keqbërje të Izraelit e për katër s’do ta kthej prapa vendimin: pse e shitën për argjend të drejtin e skamnorin për një palë sandale,

7pse shkelin mbi kokë të skamnorëve porsi mbi pluhurin e tokës, e bëjnë të lënë udhën njerëzit e vegjël, pse djalë e babë flejnë me të njëjtën vajzë, për ta dhunuar emrin tim të shenjtë;

8pse mbi petka peng të marra shtrihen përbri të çdo lteri, e pinë verën marrë për dënim në shtëpinë e Hyjit të vet.

9Para tyre unë e kisha shfarosur Amorreun të gjatë si cedrat për lartësi të fortë si lisat për fuqi: ua zhduka në ta frutat edhe rrënjët për nën ta.

10Unë ju nxora nga dheu i Egjiptit u priva nëpër shkretëtirë gjatë dyzet vjetëve për të pronësuar dheun e Amorreut.

11Ngrita profetë prej bijve tuaj e nazirenj prej të rinjve tuaj. Pse a s’është kështu, bij të Izraelit?”, - është fjala e Zotit.

12I bëtë përdhunë verë të pinë nazirenjtë e profetëve u urdhëruat: Mos profetizoni!

13Mirë, pra, përtokë do t’ju shtrydh siç shtrydh qerrja me sanë e ngarkuar;

14i shpejti s’do të mund të ikë, të fortit gjë s’do t’i vlejë fuqia, s’do ta shpëtojë veten i fuqishmi;

15shigjetari s’do të mund të qëndrojë, këmbëshpejti nuk do të shpëtojë, kalorësi s’do të shpëtojë jetën

16më zemraku ndër trima trimash lakuriq atë ditë do të ikë!” - thotë Zoti ynë.