Të gjithë kapitujt

Amosi · Kapitulli 7

III. VEGIMET, Vegimi i parë: karkalecat, etj.

17 vargje

III. VEGIMET

Vegimi i parë: karkalecat

1Ja çka më bëri të shoh Zoti Hyj: ja, Ai po i krijonte karkalecat në fillim kur nisi të mbijë bari i dytë, ai që del pas kosës së mbretit.

2Kur ata po e mbaronin krejt barin e vendit, unë thashë: “Ki dhimbje, po të lutem, o Zot Hyj! Si do të mund të mbesë gjallë Jakobi? Është aq i vogël!”

3Zotit i erdhi keq për këtë gjë. “Jo, kjo s’do të ndodhë” - tha Zoti Hyj.

Vegimi i dytë: thatësia

4Ja çfarë më bëri të shoh Zoti Hyj: Ja, Zoti Hyj ftoi zjarrin për të ndëshkuar. Zjarri e përpiu Humnerën e madhe e nisi të përpijë edhe fushën.

5Unë thashë: “Pusho, po të lutem, o Zot, Hyj! Si do të mund të mbesë gjallë Jakobi? Është aq i vogël!”

6Zotit i erdhi keq për këtë gjë. “Jo, as kjo s’do të ndodhë - tha Zoti Hyj.

Vegimi i tretë: mistria

7Ja çfarë më bëri të shoh Zoti Hyj: ja, një njeri po qëndronte mbi mur për ti dhënë lugë e në dorë mbante mistrinë e muratorit.

8Atëherë Zoti më tha: “Çka po sheh, Amos?” Unë iu përgjigja: “Mistrinë e muratorit”. Atëherë Zoti më tha: “Ja, unë do ta qes mistrinë në mes të Izraelit, popullit tim, e nuk do të vazhdoj më ta fal.

9Do të shemben lartësirat e Izakut e do të shkatërrohen shenjtëroret e Izraelit dhe me shpatë do të ngritem kundër shtëpisë së Jeroboamit”.

Ngatërresa me Amasinë: Amosi dëbohet nga Beteli

10Atëherë Amasia, prifti i Betelit, dërgoi njeriun te Jeroboami, mbreti i Izraelit, me këto fjalë: “Amosi po bën përbetim kundër teje në mes të shtëpisë së Izraelit. Vendi nuk do të mund ti durojë fjalët e tij.

11Sepse kështu thotë Amosi: Jeroboami do të vdesë prej shpatës e Izraeli do të shpërngulet prej vendit të vet në skllavëri“.

12E Amasia i tha Amosit: “Shporru, o vegimtar! Ik në dheun e Judës. Atje ha bukë e atje profetizo!

13Sa për në Betel mos guxo më të profetizosh, sepse kjo është shenjtërorja e mbretit e tempulli i mbretërisë!”

14Atëherë Amosi iu përgjigj Amasisë: “Nuk jam profet as s’jam bir profeti, por jam tubanik e vjelës fiqsh.

15Por vetë Zoti më mori prej pas deleve e më tha Zotynë: Shko e profetizoji popullit tim, Izraelit!

16Tani dëgjoje fjalën e Zotit: Ti po thua: Mos profetizo kundër Izraelit e mos prediko kundër shtëpisë së Izakut!

17Po për këtë arsye kështu thotë Zoti: Gruaja jote do të bëhet lavire në qytet, prej shpatës do të bien bijtë e bijat e tua, toka jote me konop do të ndahet, kurse ti do të vdesësh në vend të papastër dhe Izraeli do të shkojë nga vendi i vet në skllavëri. “