Të gjithë kapitujt

Amosi · Kapitulli 9

Vegimi i pestë: rrënimi i Shenjtërores, Këngë lavdi, etj.

15 vargje

Vegimi i pestë: rrënimi i Shenjtërores

1E pashë Zotin: mbi lter rrinte e tha: “Godite majën e shtyllës, pragjet le të dridhen; thërmojua të gjithëve kokat, nshpatë do ta pres atë që do të të shpëtojë! Asnjë prej tyre s’do t’ia dalë të ikë, kurrnjë prej tyre s’do të shpëtojë!

2Në depërtofshin edhe në fund të ferrit, prej andej do t’i nxjerrë dora ime! Po edhe në qiell në qoftë se ngjiten, prej andej do t’i plandos!

3E në u fshehshin në majën e Karmelit, do t’i gjej e do t’i kap; e nëse prej syve të mi do të fshihen në fund të detit, do ti urdhëroj Gjarprit atje t’i hajë!

4Nëse në skllavëri shkojnë para armiqve të vet, do t’i urdhëroj shpatës t’i presë, sytë e mi nuk do t’ua ndaj jo për të mirë, por për të keqe të tyre.”

Këngë lavdi

5Edhe Zoti Hyji i Ushtrive... E prek tokën e ajo lëkundet, e gjithë gjindja mbulohet në zi; toka ngrihet mbarë porsi lumi, bie porsi lumi i Egjiptit.

6Ndenjësen e vet në qiell e ndërton, si kupë qiellin e vë mbi tokë, u urdhëron ujërave të detit e i shpërndan mbi sipërfaqe të tokës, - Zot Ai emrin e ka!

S’ka tagër të veçantë Izraeli

7“Pse a sjeni për mua, bij të Izraelit, porsi bijtë e etiopasve?”, - thotë Zoti! Pse, a s’bëra të dalë Izraeli nga dheu i Egjiptit, porsi filistenjtë nga Kaftori dhe syrianët nga dheu Cir?

8Ja, sytë e Zotit Hyj janë të drejtuar mbi mbretërinë e mëkatit! Do ta zhdukë prej faqes së dheut.

Do të sharrojnë vetëm mëkatarët

“Megjithatë, s’do ta zhdukë

shtëpinë e Jakobit krejtësisht

- është fjala e Zotit.

9Ja, pra, unë do të urdhëroj të tundet, mes kombesh, Izraeli, sikur gruri tundet në shoshë, një guralec për tokë nuk bie.

10Prej shpatës do të bien të gjithë mëkatarët e pop’llit tim, të gjithë që thonë: “E keqja s’do të na afrohet, s’do të bjerë mbi ne!”

PERSPEKTIVË RIPËRTËRITJEJE E FRYTSHMËRI PARAJSORE

11“ Po atë ditë, do ta ngre kasollën e Davidit që u rrëzua, do ti ndreq plasjet e saj, e çka u rrëzua në të, do ta ndërtoj, do ta ndreq si në ditë të dikurshme,

12me qëllim që të pushtojnë tepricën e Edomit dhe të gjitha kombet mbi të cilat u thirr emri im - thotë Zoti që i zbaton këto. -

13Ja, po vijnë ditët, - thotë Zoti, kur lavërtari do ta zërë korrtarin e shtrydhësi i rrushit farëhedhësin: musht do të pikojnë malet e do të rrjedhin të gjitha kodrat!

14Do ti kthej të treturit në skllavëri të popullit tim Izraelit; do t’i rindërtojnë qytetet e rrënuara e në to do të banojnë, do të mbëltojnë vreshta e do ta pijnë verën e tyre, do të punojnë kopshtet e do t’i hanë prodhimet e tyre.

15Do ti ngulit në truallin e tyre, e s’do të shpërngulen më nga toka e tyre që ua dhurova!”, - është fjala e Zotit.