Të gjithë kapitujt

Baruku · Kapitulli 2

Lutja

35 vargje

1E kështu Zoti e çoi në vend fjalën e vet që e tha kundër nesh e kundër gjyqtarëve tanë që e gjykonin Izraelin, kundër mbretërve tanë, kundër princave tanë e kundër çdo njeriu izraelit e judeas,

2se do të sjellë mbi ne të këqija të mëdha që s’kanë ndodhur askund nën qiell, siç bëri në Jerusalem, siç shkruan në Ligjin e Moisiut,

3sa që të mbërrijmë të hamë dikush mishin e djalit të vet e një tjetër mishin e vajzës së vet!

4E Zoti i vuri nën sundim të të gjithë mbretërive përreth nesh, i bëri turp e mallkim për të gjithë popujt që janë përreth nesh, në mesin e të cilëve i shpërndau.

5I bëri të jenë skllevër në vend që të zotëronin, sepse mëkatuam kundër Hyjit tonë duke mos e dëgjuar zërin e tij.

6Zotit, Hyjit tonë, i përket drejtësia, kurse neve e etërve tanë, siç është sot, faqja e zezë!

7Të gjitha áto të zeza që Zoti i kishte parakallëzuar kundër nesh, erdhën e ranë mbi ne.

8E ne nuk e pajtuam fytyrën e Zotit duke u kthyer secili nga mendimet e zemrës sonë tejet të mbrapshtë:

9atëherë Zoti ndenji gati të ndëshkojë dhe i çoi mbi ne këto të këqija sepse Zoti është i drejtë në të gjitha veprat e veta që na i ka urdhëruar.

10Por ne nuk e dëgjuam zërin e tij, që të ecnim në urdhërimet e Zotit, që i vuri para fytyrës sonë.

Lutja

11E tani, o Zot, Hyji i Izraelit, ti që e nxore popullin tënd nga toka e Egjiptit me dorë të fuqishme, me shenja e mrekulli, me fuqi të madhe e me krah të shtrirë, dhe e nxorre në pah emrin tënd, siç është edhe sot:

12ne mëkatuam, u sollëm si të patenzonë, vepruam paudhësisht, o Zot, Hyji ynë, në lidhje me të gjitha urdhërimet e tua!

13Deh, le të largohet zemërimi yt prej nesh, sepse s’kemi mbetur përveçse një pakicë ndër paganë, mes të cilëve na shpërndave!

14Dëgjoje, o Zot, lutjen e përlutjen tonë: na shpëto për nderin tënd e bëj të gjejmë hir para syve të atyre që na shpërngulën nga atdheu,

15që ta marrë vesh mbarë dheu se ti je Zoti, Hyji ynë, pasi Izraeli e pasardhësit e tij e mbartin emrin tënd.

16Na shiko, o Zot, nga Banesa jote e shenjtë e mendo për ne; prire veshin tënd, o Zot, e dëgjo!

17Priri sytë e tu, o Zot, e shih: sepse jo të vdekurit që janë në Nëntokë, të cilëve u ka dalë shpirti prej trupit, i japin lavdi e nder Zotit,

18por ai që gjëmon nën barrë, ai që ecën gërmuq e i këputur, ai që i ka sytë e përlotur, ai që është i uritur, këta, o Zot, janë ata që të japin lavdi e nder!

19Ne nuk mbështetemi në meritat e etërve tanë e të mbretërve tanë, për ti shtruar përpara fytyrës sate përlutjet tona, o Zot, Hyji ynë;

20por pse e ke dërguar mbi ne zjarrin e zemërimin tënd pikërisht ashtu si na ke pasë përkujtuar me anë të shërbesës së profetëve të tu, kur the:

21Kështu thotë Zoti: Ulni zverkun tuaj e shërbejini mbretit të Babilonit që të jetoni në tokën që ua dhashë etërve tuaj.

22Por, në qoftë se s’do ta dëgjoni zërin e Zotit për ti shërbyer mbretit të Babilonit, do të bëj të mos dëgjohet më në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit

23zë hareje e zë gëzimi, zë dhëndri e zë nuseje dhe mbarë vendi do të bëhet shkretëtirë pa banorë.

24Por ne nuk e dëgjuam zërin tënd, për ti shërbyer mbretit të Babilonit, atëherë ti i çove në vend fjalët, me të cilat kërcënove nëpërmjet gojës së shërbëtorëve të tu profetë: eshtrat e mbretërve tanë e të etërve tanë do të nxirren jashtë vendit të tyre.

25Dhe, ja, u flakën në të nxehtë të ditës e në ngricë të natës. Vdiqën në dhembje të tmerrshme nga uria, nga shpata e nga murtaja!

26Bëre që Shtëpia, e cila mban Emrin tënd, të jetë në gjendjen që është sot për shkak të paudhësisë së shtëpisë së Izraelit e të shtëpisë së Judës.

27Megjithatë, ti, o Zot, Hyji ynë, u solle ndaj nesh sipas mirësisë sate të madhe e sipas mëshirës sate të dhimbshme,

28siç the me anë të shërbëtorit tënd Moisiut atë ditë, kur e urdhërove ta shkruajë Ligjin tënd ndër sy të bijve të Izraelit.

29Ti the: Nëse s’do ta dëgjoni zërin tim, kjo mori, që tani është kaq e madhe, do të kthehet në një pakicë të vogël në mes të popujve, ndër të cilët do ta shpërndaj.

30E di se me siguri nuk do të më dëgjojnë, sepse janë popull kokëfortë. Por në vendin ku do të jenë të humbur, ata do të vijnë në vete

31e do ta kuptojnë se unë jam Zoti, Hyji i tyre. Unë do tu jap një zemër që “kupton” e veshë që dëgjojnë.

32Do të më lavdërojnë në tokën e mërgimit e do tu bjerë ndër mend Emri im.

33Kur ta kenë menduar fatin e etërve të vet, që mëkatuan ndër sy të Zotit, do të kthehen nga kryeneçësia e tyre e nga veprat e tyre të këqija.

34Atëherë unë do ti kthej në tokën që me përbetim ua premtova etërve të tyre, Abrahamit, Izakut e Jakobit. Ata do ta ripronësojnë. Do ti shtoj e nuk do ti pakësoj.

35Me ta do të bëj një besëlidhje të përhershme: unë do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. Më nuk do ta tres popullin tim Izraelin nga toka që ua kam dhënë.