Të gjithë kapitujt

Dalja · Kapitulli 25

4.Udhëzime lidhur me ndërtimin e Shenjtërores e me shërbestarët e saj, Ndihmat për shenjtëroren, etj.

40 vargje

4.Udhëzime lidhur me ndërtimin e Shenjtërores e me shërbestarët e saj

Ndihmat për shenjtëroren

1Zoti i tha Moisiut:

2»Thuaju bijve të Izraelit të më sjellin dhurata. Pranoni prej secilit njeri që i jep vullnetarisht.

3Merrni këto dhurata: ar, argjend dhe bronz,

4pëlhurë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur, li të tjerrë dhe lesh dhie,

5lëkura të regjura deshësh të ngjyrosura kuq, lëkura delfini e dru akacie,

6vaj për ndriçim, erëra të mira për vajra lyerjeje e kemimi të erëndshëm,

7gurë oniksi dhe të tjerë gurë të paçmueshëm për të stolisur shpinoren dhe parzmoren.

8Le të ma punojnë Shenjtëroren që të mund të banoj në mesin e tyre.

9Në ndërtimin e Banesës dhe të të gjitha sendeve që i përkasin kultit, duhet t’i ndërtoni pikë për pikë sipas gjedhes që do ta tregoj ty.«

Tenda dhe orenditë e saja: Arka

10»Le ta punojnë Arkën prej drurit të akacies: dy kutë e gjysmë të gjatë, të gjerë një kut e gjysmë, të lartë po ashtu një kut e gjysmë.

11Praroje me ari të pastër përbrenda e përjashta; sipër bëji përreth një brez ari.

12Shkrij për të katër rrathë ari dhe mbërthej në katër këmbët e arkës: dy rrathë në njërin krah e dy të tjerë në krahun tjetër.

13Punoj gjithashtu edhe shtagat druri të akacies dhe veshi me ar;

14atëherë shtjeri në rrathë që janë në krahët e Arkës që të mbaret në to.

15Shtagat le të jenë gjithmonë në rrathë dhe të mos hiqen askurrë prej tyre.

16Në Arkë brenda vendoje Dëshminë që do ta jap.

17Punoje kapakun - Pajtimoren prej arit të pastër: le të jetë e gjatë dy kutë e gjysmë, e e gjerë një kut e gjysmë.

18Punoj edhe dy kerubinë të artë: farkoj në dy skajet e Pajtimores;

19njëri kerubin të jetë në njërin skaj, e tjetri në tjetrin: mbërthej në dy skajet e Pajtimores, kështu që të përftojnë një tërësi.

20Le t’i shtrijnë krahët përmbi që me krahët e tyre ta mbulojnë Pajtimoren; le të jenë fytyrë për fytyrë, me fytyrë mbi Pajtimoren,

21me të cilën mbulohet Arka, në të cilën vendose Dëshminë që do ta jap ty.

22Aty do të takohem me ty, e përmbi Pajtimoren ndërmjet dy kerubinëve që do të jenë mbi Arkën e Dëshmisë, do t’i jap të gjitha urdhërimet lidhur me izraelitët.«

Tryeza e bukëve të kushtimit

23»Punoje edhe një tryezë prej drurit të akacies të gjatë dy kutë, të gjerë një kut e të lartë një kut e gjysmë.

24Praroje me ari krejtësisht të pastër e përreth punoje një brez ari.

25Bëje pastaj buzën të gjerë katër gishta rreth e rreth e mbi të rreth e rreth një brez ari.

26Punoj edhe katër rrathë të artë e vëri në katër këndet e tryezës te secila këmbë.

27Përbri buzës do të jenë rrathët e artë për t’i futur nëpër ta shtagat për ta mbartur tryezën.

28Edhe shtagat punoj prej drurit të akacies dhe veshi me ari. Me anë të tyre do të mbaret tryeza.

29Puno edhe mashtka, gota, enë e kupa për t’i njomur kushtet; le të jenë prej arit të pastër.

30Mbi tryezë vendoi bukët e kushtimit që të jenë në praninë time përgjithmonë.«

Shandani

31»Punoje edhe një shandan ari të kulluar. Shandani të jetë i farkuar. Baza e shtiza e tij, gotat e burbuqet dhe fletët le të jenë të shkrira një me të.

32Të ketë gjashtë krahë: tre nga njëra anë e shtizës e tre nga ana tjetër.

33Në njërin krah le të jenë tri gota në trajtë të lules së bajames si dhe burbuqet e fletët; po ashtu edhe tri gota në trajtë të lules së bajames si dhe burbuqet e gotat në krahun tjetër: kështu duhet të jenë të gjashtë krahët që dalin nga shtiza e shandanit.

34Në vetë shtizën e shandanit të jenë katër gota në trajtë të lules së bajames po edhe burbuqet e fletët.

35Çdo burbuqe nën dy krahët në tri vende e që janë gjashtë krahë që dalin nga e njëjta shtizë.

36Burbuqet e krahët duhet të jenë një me shandanin që duhet të jetë i punuar prej arit të pastër, të farkuar.

37Punoj edhe shtatë dritëza dhe vendosi mbi të ashtu që të ndriçojnë para tij.

38Lot-heqësit dhe lotpritësit e tyre le të jenë prej arit të kulluar.

39Shandani me të gjitha pjesët përkatëse të tija le të jetë i rëndë një talent ari të kulluar.

40Pra, kujdes, e punoje sipas gjedhes që të është dëftuar në mal.«