Të gjithë kapitujt

Efesianëve · Kapitulli 1

Përshëndetje, Bekimi shpirtëror në Krishtin, etj.

23 vargje

Përshëndetje

1Pali, apostulli i Jezu Krishtit për vullnet të Hyjit: shenjtërve që janë (në Efes), besimtarëve në Jezu Krishtin.

2Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot!

Bekimi shpirtëror në Krishtin

3Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin.

4Në Të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri.

5Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet

6për nderë të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:

7në Të, në saje të gjakut të tij, e fituam shpërblimin; në Të na u falën fajet me anë të begatisë së hirit të tij,

8të cilin Hyji e ndikoi në ne bashkë me çdo urti e kuptim.

9Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet - synim që lirisht kishte vendosur qysh më parë ta kryente në Të -

10kur të plotësohej koha: d.m.th. të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit, të gjithë qenësit që janë në qiell e në tokë.

11Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë - të paracaktuar me vendim të Atij që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet -

12të jemi në nderë të lavdisë së tij - ne që qysh më parë e vuam shpresën në Krishtin.

13Po në Të edhe ju që e dëgjuat fjalën e së vërtetës - Ungjillin e shëlbimit tuaj - mbasi besuat në Të, u vulosët me Shpirtin Shenjt - të Premtuarin-

14që është pengu i trashëgimit tonë: për shpërblimin e plotë të atyre që u bënë pronë e Hyjit - në nderë të Lavdisë së tij.

Lutja e Palit

15Prandaj edhe vetë, qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve,

16nuk pushoj të falënderohem për ju e t’ju kujtoj në urata të mia,

17që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë;

18t’ju japë syve të zemrës (tuaj) dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër,

19dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë, të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së Tij,

20të cilën e tregoi me vepër në Krishtin duke e ngjallur nga të vdekurit dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell,

21mbi çdo Principatë, Pushtet, Fuqi, Zotërim dhe mbi çdo emër që mund të përmendet jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme.

22Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë - për Krye të Kishës,

23e cila është Trupi i tij, plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë.