Të gjithë kapitujt

Galatasve · Kapitulli 6

Mbartni barrën e njëri-tjetrit, Qortimet e fundit dhe bekimi

18 vargje

Mbartni barrën e njëri-tjetrit

1Vëllezër, nëse ndokush bie në faj, ju që jeni njerëz shpirtërorë, forcojeni të tillin me shpirt butësie. Ruaje veten që edhe ti të mos biesh në tundim.

2Mbartjani njëri-tjetrit barrën e kështu do ta plotësoni Ligjin e Krishtit.

3Sepse, po mendoi ndokush se është diçka - e nuk është asgjë - ai gënjen vetveten.

4Secili le ta shqyrtojë vetë veprën e vet e atëherë, po gjeti arsye mburrjeje, le të jetë në krahasim me vetveten - e jo me të tjerët.

5Sepse, secili do ta mbartë barrën e vet.

6Kush merr mësim në Fjalën e Hyjit prej ndokujt, le ta bëjë mësuesin e vet pjesëtar në të gjitha të mirat e veta.

7Mos u gënjeni: Hyji nuk lejon të vihet në lojë! Atë që njeriu mbjell, atë edhe do të korrë!

8Kush mbjell në trup të vet, nga trupi do të korrë shkatërrimin, e kush mbjell në Shpirt, nga Shpirti do të korrë jetën e pasosur.

9Mos të lodhemi kurrë duke bërë mirë; për të vërtetë, nëse nuk do të mejmë, patjetër në kohën e duhur, do të korrim.

10Prandaj, derisa të kemi kohë, ti bëjmë mirë gjithkujt, sidomos vëllezërve në fe.

Qortimet e fundit dhe bekimi

11Shikoni se me çgerma të mëdha po ju shkruaj me dorën time!

12Të gjithë ata që duan të mbahen të rëndësishëm sipas parimeve të mishit e të gjakut, të tillët ju shtyjnë të rrethpriteni me qëllim që të mos jenë të salvuar për shkak të kryqit të Krishtit.

13E pra, as vetë të rrethprerët nuk e mbajnë Ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që të mund të mburren me trupin tuaj.

14Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër gjë, përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën.

15Sepse svlen asgjë as rrethprerja as parrethprerja - por krijesa e re.

16Të gjithë ata që do ta mbajnë këtë rregull si edhe mbarë Izraeli i Hyjit, paçin paqe e mëshirë!

17Që tani askush më të mos më trazojë, sepse unë mbart në trupin tim shenjat e Jezusit.

18Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen.