Të gjithë kapitujt

Efesianëve · Kapitulli 6

Fëmijët e prindërit, Skllevërit dhe zotërinjtë, etj.

24 vargje

Fëmijët e prindërit

1Fëmijë, dëgjoni prindërit tuaj në Zotin, sepse është e drejtë.

2»Ndero babën tënd dhe nënën« - është urdhri i parë me premtim:

3»që të jesh mirë e të jetosh gjatë mbi dhe!«

4Ju, o prindër, mos i hidhëroni fëmijët tuaj, por edukoni me disiplinë e me këshilla që vijnë prej Zotit.

Skllevërit dhe zotërinjtë

5Skllevër, dëgjoni zotërinjtë tuaj tokësorë me nderim e bindje në thjeshtësinë e zemrës - porsi Krishtin.

6Jo për sy e faqe, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por si skllevërit e Krishtit, të cilët me vetëdije e kryejnë vullnetin e Hyjit,

7dhe me ëndje shërbejnë, porsi Zotit e jo njerëzve,

8duke ditur se ai që bën mirë, qoftë skllav qoftë i lirë, do ta marrë për këtë pagën prej Zotit.

9Por edhe ju, zotërinj, silluni edhe ju ashtu kundrejt tyre: larg jush mendimi t’i ndëshkoni! Dinie se Zotëruesi i tyre dhe juaji është në qiell! Te Ai nuk ka krahambajtje!

Luftoni të keqen

10Kështu këndej forcohuni në Zotin dhe në fuqinë e pakufishme të tijën!

11Ngjeshuni me armët e Hyjit që të mund t’ u qëndroni përballë pritave të djallit.

12Sepse, nuk kemi luftë vetëm kundër njeriut, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij të hapësirës qiellore.

13Prandaj ngjeshni të gjitha armët e Hyjit që të mund të qëndroni përballë në ditën e ligë e, pasi të ngadhënjeni mbi të gjitha, të qëndroni zotërues të fushës.

14Në këmbë, pra! Ngjeshni ijët me të vërtetën dhe veshni drejtësinë në vend të pancirës,

15mbathni këmbët me zellin e kumtimit të Ungjillit të paqes!

16Në çdo gjë mbani në dorë shqytin e fesë: me të do të mund t’i fikni shigjetat e zjarrta të të Keqit!

17Merrni përkrenaren e shëlbimit dhe shpatën e Shpirtit Shenjt, d.m.th. Fjalën e Hyjit!

18Lutuni në bashkim me Shpirtin Shenjt me çdo uratë e lutje në çdo rast! Prandaj edhe rrini zgjuar me shumë qendresë dhe në lutje për të gjithë shenjtërit.

19Lutuni edhe për mua, që Hyji të ma zhdrivillojë gjuhën dhe të më japë fjalë të përshtatshme për ta kumtuar plot guxim misterin e Ungjillit,

20i dërguari i të cilit jam në pranga, që të mund të flas me guxim të duhur.

Përshëndetjet e fundit

21Dhe që ju të dini si jam dhe çka bëj, për çdo gjë do t’ju vërë në dijeni Tihiku, vëllai i dashur dhe ndihmësi besnik në Zotin.

22Atë po e dërgoj te ju shi për këtë punë që të dini si jemi dhe që t’i ngushëllojë zemrat tuaja.

23Hyji Atë dhe Zotëria Jezu Krisht u dhënçin të gjithë vëllezërve paqe, dashuri bashkë me fenë!

24Paçin hir të gjithë ata që e duan Jezu Krishtin, Zotërinë tonë me dashuri që nuk mbaron.