Të gjithë kapitujt

Ester · Kapitulli 1

HYRJE, Banketi i Asuerit, etj.

30 vargje

HYRJE

Banketi i Asuerit

Ëndrra e Mardokeut

1Në vitin e dytë të sundimit të mbretit, Artakserksit të Madh, ditën e parë të muajit Nisan, Mardokeu, biri i Jairit të Semejit të Cisit, nga fisi i Beniaminit,

1njeri me rëndësi që shërbente në oborrin mbretëror, pa një ëndërr.

1Dhe ëndrra qe kjo: dëgjoi britma e zhurmë, gjëmim moti, termete dhe një pështjellim i madh mbi tokë.

1Dhe ja, dy dragonj të mëdhenj dalin të përgatitur për dyluftim.

1Atëherë plasi lufta mes tyre. Kacafyteshin dhe u bashkuan kombe në kacafytjen e tyre.

1Ishte ditë e errët dhe e tmerrshme. U bë trazirë e madhe përmbi tokë!

1Njerëzit i pushtoi një frikë e madhe nga vdekja dhe bërtitnin drejt Hyjit. Nga zëri i britmave të tyre, buroi një krua i vogël që shkoi duke u rritur e u bë lumë i madh me ujë të shumtë.

1Kur zbardhi drita e lindi dielli, të përvujturit u lartësuan dhe i përpinë të mëdhenjtë.

1Mardokeu pas ëndrrës, u ngrit nga shtrati dhe filloi të bluante me mend: çfarë donte të bënte Hyji. Ëndrra nuk i dilte nga mendja dhe priste çfarë do ti zbulohej.

I. ASUERI E VASTI

1Ndodhi në kohën e Asuerit, që sundoi nga India në Etiopi, mbi njëqind e njëzet e shtatë krahina.

2Në këtë kohë, derisa qëndronte në fronin e mbretërisë së vet në qytezën Suzë,

3në vitin e tretë të mbretërimit të vet, përgatiti një gosti të madhe për të gjithë zyrtarët e lartë, shërbëtorët, oficerët e ushtrisë së persianëve e të medëve, për bujarët e qeveritarët e krahinave,

4për tua dëftuar pasurinë e madhe dhe madhështinë e lavdisë së vet, gjatë një kohe të gjatë, domethënë njëqind e tetëdhjetë ditëve.

5Kur kaloi kjo kohë, mbreti përgatiti në tremen e kopshtit të vet një gosti tjetër dhe e thirri mbarë popullin e qytetit të Suzës, të madh e të vogël, dhe urdhëroi që gostia të bëhej shtatë ditë rresht.

6Dhe në çdo anë vareshin gjithfarë pëlhurash liri, të bardha, të purpurta, leshi, ngjyrë vjollce, të lidhura me litarë bezeje e grimizi të kuq, të kaluar në rrathë të argjendtë e të lidhur në shtylla mermeri. Shtrojet, pastaj, ishin ari e argjendi, të hedhura mbi truallin e shtruar me smerald e me margaritarë dhe me gurë të ngjyrave të ndryshme.

7Të ftuarit pinin me gota të arta formash të ndryshme, ndërsa vera, për të qenë ashtu si e kërkon denjësia e madhërisë mbretërore, ishte me shumicë dhe jepej kush sa donte.

8Askush nuk shtyhej të pinte përdhunë, sepse mbreti kështu u kishte urdhëruar mëkëmbësve të vet, të vepronin sipas dëshirës së secilit të ftuar.

Rasti i Vastit

9Po ashtu edhe mbretëresha Vasti bëri një gosti për gra në pallatin e mbretit, aty ku mbreti zakonisht banonte.

10Në ditën e shtatë, mbreti, plot qejf nga vera e shumtë që kishte pirë, i urdhëroi Maumanit, Bazatës, Harbonës, Bagatës, Abgatës, Zetarit e Harhasit, shtatë eunukëve që ishin në shërbim të tij personal,

11ta sillnin para tij mbretëreshën Vasti, me kurorën e mbretëreshës në kokë, sepse donte tua tregonte të gjithë popujve e të gjithë prijësve bukurinë e saj: sepse vërtetë ishte shumë e bukur.

12Por ajo nuk pranoi dhe, duke e përbuzur urdhrin e mbretit, të dërguar me anë të eunukëve, kundërshtoi të vijë. Mbreti, prandaj, i hidhëruar aq shumë,

13i pyeti të diturit, ata që i njohin kohërat - gjithçka bënte sipas këshillave të njohësve të ligjit e të zakoneve të të parëve -

14e këta ishin më të afërmit e tij: Karsena, Setari, Admata, Tarsisi, Maresi, Marsana e Mamukani, shtatë prijësit e persianëve e të medëve. Këta ishin ata që rrinin pranë mbretit dhe ishin njerëz të vendeve të para të mbretërisë.

15Mbreti i pyeti: “Sipas ligjit çfarë duhet të bëhet me mbretëreshën Vasti, e cila nuk e dëgjoi urdhrin e mbretit Asuer që ia çoi me anë të eunukëve”?

16Mamukani u përgjigj në praninë e mbretit e të princërve: “Mbretëresha Vasti kështu nuk e ka fyer vetëm mbretin, por edhe të gjithë princërit dhe popujt e të gjitha krahinave të mbretit Asuer”.

17Fjala e mbretëreshës do tu shkojë në veshë të gjitha grave, e do ti përbuzin burrat e vet, e do të thonë: “Mbreti Asuer dha urdhër që mbretëresha Vasti të shkonte tek ai e ajo se përfilli”.

18Dhe që prejsot, gratë e princave persianë e medë, po sa të dëgjojnë për sjelljen e mbretëreshës, do tua thonë princave. Kështu do të krijohet një çrregullim dhe padëgjesë e madhe.

19Nëse, ty, o mbret të pëlqen, nxirre një ligj që do të ishte një nga ligjet e persianëve e të medëve, nga ato që nuk mund të ndryshohen, që Vasti kurrë më të mos dalë pranë mbretit dhe mbretëreshë le të bëhet një tjetër që është më e mirë se ajo. Ky urdhër le të shpallet në mbarë perandorinë tënde që është tejet e madhe, pra në të gjitha krahinat. Kështu të gjitha gratë do ti nderojnë burrat e vet qofshin ata të mëdhenj apo të vegjël”.

21Mbretit dhe princave të tij u pëlqeu këshilla e Mamukanit, prandaj edhe veproi kështu.

22Dërgoi letra në të gjitha krahinat e mbretërisë së vet, të shkruara në gjuhë të ndryshme dhe me shkronja të ndryshme, që çdo komb të mund ti lexonte e ti merrte vesh: kështu që çdo burrë të jetë prijës e zot në shtëpinë e vet e të gjitha gratë tu binden burrave të vet.