Të gjithë kapitujt

Judita · Kapitulli 16

Pleqëria dhe vdekja e Juditës

25 vargje

1Judita tha: »Lëvdojeni Hyjin tim me zë tupanash, këndoni Zotit tim me tinguj cimbalësh, psalme e këngë të jehojnë në nder të tij: lartësojeni dhe thirreni Emrin e tij!

2Ti je Hyji luftërashqimës, fushimin ti e vendose në mes të popullit tënd për të më shpëtuar nga armiqtë e mi.

3Zbriti Asuri nga malet veriore, erdhi me ushtri të tmerrshme moria e tyre i zuri përrenjtë, kalorësia e tyre kodrat i mbuloi.

4U lëvdua se do të ma djegë vendin, se me shpatë do të m’i presë të rinjtë, se për tokë do t’m’i përplasë foshnjat, fëmijët e mi do t’i bëjë pre, virgjërat do t’i grabisë.

5I përbuzi i Gjithpushtetshmi, i theu me dorë të një gruaje!

6Prijësi i tyre s’ra prej dorës së të rinjve, nuk e prenë bijtë e Titanit, nuk e vranë viganët e lartë, por Judita e Merariut me bukurinë e fytyrës së vet e vrau dhe ia shkurtoi kryet!

7Ajo i zhveshi petkat e vejnisë, për t’i ngritur bijtë e shtypur të Izraelit. F’tyrën lyu me erëra të mira,

8bishtaleca flokët nën rreze petka të linta për ta ngashnjyer.

9Këpuca e saj ia rrëmbeu syrin, bukuria ia këputi shpirtin: atëherë shpata ia shkurtoi qafën!

10Guximi i saj i tmerroi persianët, prej trimërisë së saj u hutuan medët.

11Atëherë britën: të mposhturit e mi; ata u tmerruan, të ligshtët e mi lëshuan kushtrimin urra! britën të sëmurët, ata u përfrikuan, ata e ngritën zërin, por këta ikën!

12I therën si bij vajzukesh, i vrisnin si bij tradhtarësh: ranë nga lufta e Zotit tim!

13Hyjit tim dua t’i këndoj një këngë të re: Je i madh e i madhërishëm, o Zot, i mrekullueshëm, në fuqi i pakalueshëm!

14Të shërbeftë krijesa jote pse ti the e ato u bënë, çove frymën tënde e ato u formuan. Askush s’i qëndron përballë fjalës sate!

15Malet me themelet e veta dhe ujërat do të tunden, qetat para teje si dylli do të shkrihen, por për ata që ty të druan gjithnjë i mëshirshëm do të jesh.

16Punë e vogël është flia në erëkëndshmëri, edhe më i vogël dhjami i flisë së shkrumbimit: i madh është për gjithmonë ai që Zotin e ka frikë.

17Mjerë popujt që çohen kundër popullit tim! Zoti Hyj i gjithpushtetshëm, do t’i dënojë Ditën e gjyqit, zjarr e krimba në mish të tyre ai do të çojë: e do të qajnë e do të gjëmojnë për amshim.«

18Kur arritën në Jerusalem, e adhuruan Hyjin, e, pasi populli qe pastruar, i kushtuan Hyjit flinë e shkrumbimit, flitë vullnetare dhe dhuratat e kushtimit.

19Judita i kushtoi të gjitha sendet e Olofernit që ia kishte dhënë populli si dhe mbulojësin që e kishte marrë nga dhoma e tij dhe i dha si kusht në nder të Zotit.

20Populli festoi tre muaj para Shenjtërores në Jerusalem. Edhe Judita qëndroi me ta.

Pleqëria dhe vdekja e Juditës

21Pas këtyre ditëve gjithkush u kthye në pronën e vet. Edhe Judita shkoi në Betuli dhe jetoi në pronën e vet. Gjatë jetës së vet u bë njeri me zë të madh në mbarë dheun.

22Shumë e kërkuan dorën e saj, por ajo s’pranoi ta prishë vejninë e vet dhe s’njohi njeri gjatë krejt jetës së vet qysh se burri Manaseu i vdiq e u bashkua me të parët e vet.

23Zëri i mirë i saj shkonte duke u rritur përherë e më fort, u plak në shtëpinë e burrit të vet Manaseut dhe i mbushi njëqind e pesë vjet. E la të lirë shërbëtoren e vet e pastaj vdiq në Betuli. Qe varrosur në shpellën varresore të burrit të saj Manaseut.

24Mbarë Izraeli e vajtoi për shtatë ditë. Para se të vdiste ua ndau pasurinë të gjithë të afërmve të burrit të vet dhe të afërmve të gjinisë së vet.

25Në kohën e Juditës po edhe gjatë kohë pas vdekjes së saj s’qe askush që pati guxim t’i trembte bijtë e Izraelit.