Të gjithë kapitujt

Ester · Kapitulli 7

IV. HUAMARRJA E JUDENJVE, Zhgënjimi i Amanit, etj. (2)

10 vargje

1Hynë, pra, Mbreti e Amani për të pirë me mbretëreshën.

2Mbreti edhe kësaj herë, ditën e dytë, pasi u nxeh me verë, i tha Esterës: “Cila është kërkesa jote, Ester, që ta plotësoj? Çfarë dëshiron të të bëj? Nëse do të ma kërkosh edhe gjysmën e mbretërisë sime, do ta fitosh”.

3Estera iu përgjigj: “Nëse, o mbret, kam gjetur hir para syve të tu e nëse ty të pëlqen, ma fal jetën mua që po ta lyp e ma fal popullin tim për të cilin po të lutem.

4Sepse unë dhe populli im jemi të dënuar për tu zhdukur, për tu therur e për tu zhdukur. Oh, sikur të kishim qenë dënuar të shiteshim për skllevër e skllave, do të kisha heshtur sepse vuajtja jonë nuk do të kishte qenë e denjë ta shqetësojë mbretin”.

5Mbreti Asuer ia ndërpreu fjalën dhe e pyeti: “Kush është ai dhe ku është që guxon ta bëjë një gjë të tillë”!

6Estera iu përgjigj: “Salvuesi dhe armiku ynë i qitur është ja ky mbrapshtan, Amani”! Posa dëgjoi, Amanin e kapën të dridhurat para mbretit e mbretëreshës.

7Mbreti i zemëruar u ngrit nga gostia dhe kaloi në kopshtin e pallatit. U ngrit në këmbë edhe Amani për të kërkuar ndjesë nga Estera dhe për t’ia falur jetën: ia mori mendja se mbreti e kishte vendosur vdekjen e tij.

8Si u kthye mbreti nga kopshti, hyri në sallën e gostisë, e gjeti Amanin të shtrirë me fytyrë për dhe në shtrojën e mbretëreshës Ester dhe bërtiti: “Po dashka ta dhunojë edhe mbretëreshën ndër sytë e mi e në pallatin tim”! Porsa doli fjala prej gojës së mbretit, Amanit ia mbuluan fytyrën.

9Harbona, njëri nga eunukët që qëndron në praninë e mbretit, ndodhi aty. Ai tha: “Ja, në shtëpinë e Amanit është i ngulur një tra i lartë pesëdhjetë kute e që Amani e ka bërë gati për ta varur Mardokeun, i cili foli për të mirën e mbretit”! - “Vareni në të”! klithi mbreti.

10Kështu qe varur Amani në litarin që e kishte përgatitur për Mardokeun dhe zemërimi i mbretit u qetësua.