Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 1

Hyrje, Vegimi i »qerres së Zotit«

28 vargje

Hyrje

1Të tridhjetin vit, të katërtit muaj, të pestën ditë të muajit, kur isha ndër të tretur në brigjet e lumit Kobar, u hapën qiejt dhe unë pata vegime hyjnore.

2Të pestën ditë të muajit të vitit të pestë të mërgimit të Joakinit mbret,

3fjala e Zotit i qe drejtuar priftit Ezekiel, birit të Buziut, në tokën e kaldenjve, përgjat lumit Kobar. Aty u ul mbi të dora e Zotit.

Vegimi i »qerres së Zotit«

4Shikova dhe, ja, një erë shtjelle po vinte nga veriu, re e madhe, zjarr i mbledhur lëmsh, që ndriçonte përreth tij e brenda tij, brenda zjarrit, shkëlqente diçka në gjasë të qelibarit.

5Në qendër, diçka në përngjasim të katër gjallorëve; dhe, ja, pamja e tyre: kishin pamjen e njeriut!

6Secili kishte katër faqe e katër krahë.

7Këmbët i kishin të drejta, kurse shputat e këmbëve të tyre ishin porsi thundërzat e këmbëve të viçit e shkëlqenin porsi bronzi i skuqur flakë.

8Kishin në të katër anët, nën krahë, duar njeriu. Kishin katër fytyra e katër krahë secili.

9Krahët e tyre ishin të bashkuar njëri me tjetrin. Kur ecnin, nuk ktheheshin prapazi, por secili ecte vetëm përpara.

10Fytyrat e tyre i përngjanin fytyrës së njeriut; të katërtit, në anë të djathtë kishin edhe fytyrën e luanit, në e majtë fytyrën e kaut, e të katërtit kishin fytyrën e shqiponjës.

11Krahët e tyre ishin të shtrirë përpjetë. Secili kishte dy krahë që ndesheshin e dy që ua mbulonin trupin.

12Secili ecte përpara vetes: ecnin në atë drejtim kah i shtynte shpirti. Kur lëviznin, ecnin vetëm në atë drejtim e nuk ktheheshin prapa.

13Në midis të gjallorëve dukej diçka si gaca të ndezura, porsi vravashka që ecnin në midis të gjallorëve. Shkëlqente porsi flaka e zjarrit e nga zjarri dilte rrufeja.

14Gjallorët shkonin e vinin në përngjasimin e vetëtimës llamparitëse.

15Ndërsa po i shikoja gjallorët, pashë nga një rrotë mbi tokë përbri secilit gjallor.

16Duka dhe përmbajtja e rrotave është në përngjasim të krisolitit dhe të gjitha ishin të ngjashme. Me trajtë e me punim dukeshin si të ishte njëra rrotë në tjetrën.

17Mundnin të ecnin në katër drejtime pa pasur nevojë të ktheheshin derisa ecnin.

18Gavejtë e rrethi i tyre kishin lartësi tmerruese; gavejë e rreth ishin plot me sy gjithkund përreth të katërtave.

19Kur gjallorët ecnin, ecnin edhe rrotat përbri tyre; kur gjallorët ngriteshin nga toka, gjithashtu ngriteshin edhe rrotat.

20Kahdo që i shtynte shpirti të ecnin, ecnin, gjithashtu ngriteshin në ajr me urdhrin e tij: sepse shpirti i gjallorëve ishte në rrota.

21Kur ata ecnin, ecnin edhe ato, kur ata ndaleshin, ndaleshin edhe ato, kur ata lartësoheshin nga toka, gjithashtu lartësoheshin ato duke i ndjekur ata, sepse shpirti i gjallorëve ishte në rrota.

22Përmbi koka të gjallorëve ishte diçka në përngjasim të kupës qiellore, vezulluese porsi kristali dhe shtrihej përmbi kokat e tyre.

23Nën kupën qiellore krahët e tyre të shtrirë njëri kundrejt tjetrit: secili me dy krahë e mbulonte trupin e vet.

24E dëgjoja rrahjen e krahëve të tyre: thua se ushtonin ujërat e mëdha, porsi zëri i të Gjithpushtetshmit. Kur lëviznin, ushtimë e fortë si ushtimë ushtrie. Kur ndaleshin, krahët i lëshonin poshtë.

25E njëmend, kur dëgjohej një zë mbi kupën qiellore, që ishte përmbi kokat e tyre, zinin vend dhe i lëshonin krahët poshtë.

26Përmbi kupën qiellore që ishte mbi kokat e tyre, ishte porsi guri i çmueshëm safiri një send porsi fron, përmbi këtij sendi që i përngjante fronit, ishte dikush në përngjasim të njeriut, mbi të.

27Mandej pashë diçka të ndritshme porsi qelibari, thua se ishte zjarr nga aty që dukej se kishte ijët e përpjetë gjithkund përreth; kurse nga aty që dukej se kishte ijët e poshtë, dukej si zjarr ndriçues gjithkund përreth.

28Porsi duka e vajeuthullës kur duket në re ditën e shiut: e rrethonte një pamje e tillë! E tillë m’u paraqit duka e lavdisë së Zotit. E pashë e rashë me fytyrë përdhe dhe dëgjova një zë që më fliste.