Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 11

Vazhdim mbi mëkatet e Jerusalemit, Mërgimtarëve u premtohet një besëlidhje e re, etj.

25 vargje

Vazhdim mbi mëkatet e Jerusalemit

1Shpirti më ngriti e më çoi te dera lindore e Tempullit të Zotit, tek ajo që shikon kah len dielli. Kur qe, në hyrje të derës njëzet e pesë burra, e në mes tyre, pashë Jehoninë, birin e Azurit, e Feltinë, birin e Banajës, princat e popullit.

2Më tha: »Biri i njeriut, këta janë njerëzit që përsiatin të keqen dhe japin këshilla të këqija në këtë qytet

3dhe thonë: ‘Pse a nuk u ndërtuan pak më përpara shtëpitë? Ky qytet është kusia e ne jemi mishi.’

4Prandaj profetizo kundër tyre! Profetizo, biri i njeriut!«

5Dhe shpirti i Zotit, zbriti tek unë e më tha: »Fol! Kështu thotë Zoti: Kështu thatë, shtëpia e Izraelit, e mendimet e zemrës suaj unë i njoh.

6Shumicë njerëzish vratë në këtë qytet dhe i mbushët rrugët e tija me të vrarë.

7Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Ata që ju i vratë, që i hodhët nëpër të, ata janë mishi e ky qytet është kusia; kurse ju do t’ju nxjerr nga ky qytet!

8Shpatën e dreshët, shpatën do ta çoj mbi ju - është fjala e Zotit Hyj.

9Unë do t’ju hedh jashtë tij, do t’ju lëshoj në dorë të armikut dhe do të bëj gjyq në ju.

10Prej shpatës do të bini. Në kufi të Izraelit do t’ju gjykoj dhe do ta kuptoni se unë jam Zoti.

11Ky qytet s’do të jetë më kusia juaj e ju s’do të jeni mish në të: në kufijtë e Izraelit do t’ju gjykoj!

12Do ta dini se unë jam Zoti: ju që nuk ecët në urdhërimet e mia e nuk i zbatuat ligjet e mia, por vepruat sipas ligjeve të paganëve që janë rreth e rreth jush.«

13Derisa unë po profetizoja, vdiq Feltia, biri i Banajës. Unë rashë me fytyrë përdhe e bërtita gjithësa munda e thashë: »Heu! O Zot, Hyj! Farën po ia tret Tepricave të Izraelit!«

Mërgimtarëve u premtohet një besëlidhje e re

14Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

15»Biri i njeriut, janë vëllezërit e tu, farefisi yt, të afërmit e tu edhe mbarë shtëpia e Izraelit, të cilëve u thanë banorët e Jerusalemit: ‘Ata janë larg Zotit; toka na është dhënë neve për pronë.’

16Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi i treta larg ndër paganë, pasi i shpërndava nëpër vende të ndryshme, unë për pak kohë do të bëhem Shenjtërorja e tyre në vende ku arritën.

17Prandaj thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Do t’ju bashkoj prej popujve e do t’ju mbledh nga tokat, në të cilat keni qenë tretur dhe do t’ju jap tokën e Izraelit.

18Kur këta të kthehen në të, do t’i zhdukin prej saj të gjitha neveritë e turpësitë.

19Unë do t’u jap një zemër tjetër, në ta do të fus një shpirt të ri, nga trupi i tyre do të nxjerr zemrën e gurtë e do t’u jap zemër të mishtë,

20kështu që të ecin urdhërimeve të mia e t’i zbatojnë gjyqet e mia: që të jenë populli im e unë të jem Hyji i tyre.

21Por prej atyre që me zemër i ndjekin neveritë e turpësitë idhujtare do të kërkoj përgjegjësi« - është fjala e Zotit Hyj.

Lavdia e Zotit e lë Jerusalemin

22Atëherë kerubinët i lartësuan krahët, me ta u nisën edhe rrotat mbi të cilat ishte Lavdia e Zotit të Izraelit.

23Lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit e shkoi e zuri vend mbi malin që është në lindje të qytetit.

24Shpirti më kapi edhe mua e më solli ndër kaldenj, në mes të mërguarve, në vegim, në shpirtin e Hyjit; atëherë m’u zhduk vegimi që pata.

25Unë pastaj u tregova mërgimtarëve të gjitha fjalët që Zoti m’i kishte thënë.