Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 17

Shëmbëlltyra e shqiponjës

24 vargje

Shëmbëlltyra e shqiponjës

1Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2»Biri i njeriut, gjeje një gjëegjëzë e tregoja shtëpisë së Izraelit një shëmbëlltyrë.

3Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Një shqiponjë e madhe, me krahë të mëdhenj, me pupla të gjata me pendla të dendura e të ngjyrëngjyrta ia behi në Liban dhe ia mori majën cedrit,

4ia këputi gemin më të lartin dhe e çoi në tokën Kanaan, e vendosi në qytetin e tregtarëve.

5Mori një pinjoll nga toka dhe e qiti në tokë të punuar përbri ujërave të shumta e mbëltoi si shelgun

6që të bulëzojë e të rritet në hardhi që merr haptas, jo shumë të lartë që drejt shqiponjës gemat t’i shtrijë e rrënjët t’i rriten nën të. U bë trung i fortë, i qiti pipat gjatë i lëshoi pinjollat.

7Ishte edhe një shqiponjë tjetër, me krahë të mëdhenj, me pupla të dendura: dhe, ja, trungu drejt saj i lëshoi rrënjët, pipat drejt saj i lëshoi që ta ujitë më mirë se dheu ku ishte mbëltuar.

8Në tokën e mirë, bri ujërave të shumta është e mbëltuar që të lëshojë shermende që të japë fruta e të jetë hardhi madhështore.

9Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: A thua do të përparojë? A thua shqiponja rrënjët s’do t’ia nxjerrë frutat s’do t’ia këpusë? A s’do t’i thahen posa t’i dalin pipat? S’do të lypset një mund i madh as popull i shumtë rrënjët për t’ia nxjerrë!

10Ja, e mbëltuar është: a do të përparojë? Vallë, a nuk do të thahet posa ta ketë prekur era përvluese e lindjes? Shi në tokën ku mbiu do të thahet!«

11Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

12»Thuaj, pra, shtëpisë kryekëcyer: A nuk e kuptoni se ç’do të thotë kjo? Ja, erdhi mbreti i Babilonit në Jerusalem; e mori mbretin e princat e tij dhe i çoi te vetja në Babilon.

13Mori njërin nga pinjollat e mbretit e lidhi me të besëlidhje, mori prej tij përbetimin pasi i mori të gjithë të vyerit e vendit,

14me qëllim që mbretëria të jetë e ligshtë e të mos mund të çohet në kryengritje, por ta ruajë e ta mbajë besëlidhjen me të.

15Porse ky u çua kundër tij, dërgoi lajmëtarë në Egjipt që t’i jepeshin kuaj e shumë ushtarë. A do të mund të përparojë ose të shpëtojë kush bën kështu? Kush e thyen besën, a thua mund të shpëtojë?

16Pasha jetën time - thotë Zoti Hyj - pse e theu përbetimin dhe e prishi besëlidhjen me mbretin që e vuri në fron, do të vdesë në vendin e mbretit, shi në midis të Babilonit.

17E faraoni, me gjithë ushtri të madhe e me popull të shumtë, s’do të mund t’i ndihmojë gjë në luftë, kur ai të lartësojë brigje e të punojë llogore për të vrarë njerëz të shumtë.

18E bëri në asgjë përbetimin për ta zhbërë besëlidhjen. Po edhe pse e kishte dhënë besën, veproi kështu. Jo, assesi s’do të shpëtojë!

19Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasha jetën time: përbetimin që e përbuzi, besëlidhjen që e theu do t’i kthej mbi kokën e tij,

20do ta ngreh kundër tij rrjetën time e do të zihet në rrjetën time dhe do ta çoj në Babilon, atje do ta gjykoj për pabesi me të cilën më doli i pabesë.

21Të gjithë më të zgjedhurit e aradhave të tija do të bien prej shpatës, kurse teprica do të shpërndahet në të gjitha erërat. Do ta dini se unë Zoti fola.

22Kështu thotë Zoti Hyj: Edhe unë do ta marr prej majës së cedrit të madh prej majës së gemave të tij do ta këpus një gemëz e do ta mbëltoj mbi një mal të lartë e të madhërishëm.

23Do ta mbëltoj në mal të lartë të Izraelit: do të shpërthejë në pinjolla e do të bëjë fruta: cedër do të jetë i madhërueshëm. Nën të do të banojnë të gjithë shpendët, çdo shpend nën hijen e gemave të tij çerdhën do ta bëjë.

24Të gjitha lëndët e fushës do ta dinë se unë jam Zoti që e zvogëlon lëndën e madhe e e lartëson të voglën, e thaj lëndën e njomë e e bëj të bulëzojë të thatën. Unë Zoti thashë dhe do të bëj ashtu.