Të gjithë kapitujt

Ezekieli · Kapitulli 20

Historia e pabesisë së Izraelit

44 vargje

Historia e pabesisë së Izraelit

1Ndodhi që në të shtatin vit, në të pestin muaj, më dhjetë të muajit, erdhën disa nga pleqtë e Izraelit, për të kërkuar këshillë prej Zotit e u ulën tek unë.

2Aso here më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

3»Biri i njeriut, fol me pleqtë e Izraelit e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Vallë, a erdhët për të më pyetur? Pasha jetën time - thotë Zoti Hyj - unë nuk do t’ju jap përgjigje.

4A do t’i gjykosh? A do t’i gjykosh, biri i njeriut? Dëftoju poshtërsitë e etërve të tyre!

5Thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Ditën kur e zgjodha Izraelin, iu përbetova me dorë të lartësuar për farën e shtëpisë së Jakobit dhe iu dëftova në tokën e Egjiptit dhe atyre u përbetova me dorë të lartësuar e u thashë: Unë jam Zoti, Hyji juaj.

6Atë ditë edhe iu përbetova me dorë të lartësuar se do t’i nxjerr nga toka e Egjiptit në vendin që e kisha paraparë për ta, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë, që është më i bukuri ndër të gjitha vendet.

7Atëherë u thashë: Secili le t’i flakë idhujt që i mban para sysh dhe mos u ndotni me idhujt e Egjiptit: unë jam Zoti Hyji juaj.

8Por ata më hidhëruan e nuk deshën të më dëgjojnë: askush nuk i hoqi neveritë që i mbante para syve të vet as s’i lanë idhujt e Egjiptit. Atëherë thashë: do ta zbraz mbi ta zemërimin tim e do ta çoj në vend hidhërimin tim në tokën e Egjiptit.

9Por, për shkak të emrit tim - që të mos poshtërohej ndër sy të paganëve, në mesin e të cilëve banonin, ndër të cilët edhe iu dëftova se do t’i nxjerr nga toka e Egjiptit.

10Kështu, pra, i nxora nga toka e Egjiptit dhe i çova në shkretëtirë.

11U dhashë Ligjin tim dhe ua tregova rregulloret e mia që njeriu duhet t’i mbajë për të pasur jetën.

12Për më tepër, ua dhashë edhe të shtunat e mia që të jenë shenjë ndërmjet meje e tyre e që ta dinë se unë jam Zoti që i shenjtëroj.

13Por shtëpia e Izraelit u çua kundër meje në shkretëtirë: nuk ecën urdhërimeve të mia, rregulloret e mia që njeriu, nëse do të jetojë, duhet t’i mbajë, i flakën e të shtunat e mia i prishën vazhdimisht. Atëherë mendova ta zbraz në shkretëtirë mbi ta furinë time e t’i zhbij,

14por veprova ndryshe për shkak të emrit tim që të mos poshtërohej ndër paganë prej të cilëve i nxora para syve të tyre.

15Mandej unë u përbetova me dorë të lartësuar në shkretëtirë se s’do t’i shtie në tokën që ua dhurova, tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë, më i bukuri ndër të gjitha vendet,

16sepse ata i kishin përbuzur gjyqet e mia e nuk kishin ecur urdhërimeve të mia, i kishin prishur të shtunat e mia, sepse zemra e tyre ecte pas idhujve.

17Por, syri im pati dhimbë për ta, nuk i vrava as nuk ua treta farën në shkretëtirë.

18Atëherë u thashë fëmijëve të tyre në shkretëtirë: Mos i ndiqni urdhërimet e etërve tuaj, mos i mbani doket e tyre as mos u ndotni me idhujt e tyre.

19Unë jam Zoti Hyji juaj. Ecni urdhërimeve të mia, mbani e zbatoni gjyqet e mia,

20shenjtëroni të shtunat e mia që të dihet se unë jam Zoti, Hyji juaj!

21Por edhe të bijtë u çuan kundër meje: nuk ecën urdhërimeve të mia, nuk i mbajtën rregulloret e mia, që duhet të mbahen po qe se njeriu do të jetojë, e i prishën të shtunat e mia. Iu kërcënova se do ta zbrazja zemërimin tim mbi ta dhe se do ta çoja në vend në shkretëtirë hidhërimin tim kundër tyre.

22Por, prapë e ndala dorën time, e këtë e bëra për nder të emrit tim që të mos poshtërohet para paganëve, prej të cilëve i nxora ndër sy të tyre.

23Përsëri u përbetova me dorë të lartësuar në shkretëtirë se do t’i shpërndaj ndër paganë e do t’i tres nëpër vende të ndryshme,

24për arsye se s’i zbatonin ligjet e mia, pse i përbuznin urdhërimet e mia e pse i prishnin të shtunat e mia e sytë e tyre rrinin të ngulur në idhujt e etërve të tyre.

25Atëherë, unë vetë, ua dhashë ligje jo të mira e doke që kush i mban, nuk jeton;

26e bëra të bëhen të papastër në kushtet e tyre, i bëra të flijojnë të gjithë të parëlindurit e tyre, për t’i tmerruar e që ta dinë se unë jam Zoti.

27Për këtë arsye, foli shtëpisë së Izraelit, biri i njeriut, e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Madje edhe në këtë hyjshmuan kundër meje etërit tuaj, sepse duke më përbuzur, më urryen.

28Megjithatë, unë i shtiva në tokën, të cilën ua kisha premtuar me përbetim se do t’ua dhuroja. Ata panë çdo kodër të lartësuar e çdo lëndë të gjelbër: aty kushtuan flitë e veta e paraqitën kushtet e veta ngacmuese; vinin erëra të erëndshme e njomnin njomjet e veta.

29Atëherë u thashë: ‘Çka është kjo lartësirë në të cilën po ngjiteni?’ Kështu i mbeti emri ‘Lartësirë’ deri në ditën e sotme.

30Prandaj thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: E mirë, ju fëlliqeni sipas sjelljes së etërve tuaj, bëni lavirësi me turpësitë e tyre!

31Kur ju sillnit dhuratat tuaja, kur i kalonit fëmijët tuaj nëpër zjarr, ju jeni të ndotur me të gjithë idhujt tuaj deri në ditën e sotme! E unë të lejoj të këshilloheni me mua, shtëpia e Izraelit?! Pasha jetën time - është fjala e Zotit Hyj - assesi s’do t’ju përgjigj!

32E as çka djerroni në zemrat tuaja nuk do të ndodhë! Ju mendoni: ‘Duam të jemi porsi paganët, porsi fiset e të tjera vendeve: do të adhurojmë dru e gur.’

33Pasha jetën time - thotë Zoti Hyj - unë do të mbretëroj mbi ju me dorë të fortë, me krah të shtrirë me felgrim të ndezur flakë!

34Unë do t’ju mbledh nga popujt e do t’ju bashkoj nga vendet ku jeni të shpërndarë, me dorë të fuqishme, me krah të shtrirë e me felgrim të ndezur flakë.

35Do t’ju çoj në shkretëtirën e popujve dhe atje faqe-faqas do t’ju gjykoj!

36Sikurse i gjykova etërit tuaj në shkretëtirën e Egjiptit, po ashtu do t’ju gjykoj edhe ju - thotë Zoti Hyj.

37Do t’ju bëj të kaloni nën shkopin tim e do t’ju lidh në hekurat e besëlidhjes!

38Do t’i ndaj prej jush ata që iu shmangën ligjit e të paudhët: do t’i nxjerr nga vendi ku banojnë si të huaj, por në tokën e Izraelit s’do të hyjnë e do ta dini se unë jam Zoti.

39Sa për ju, o shtëpia e Izraelit, kështu thotë Zoti Hyj: Ani shkoni e shërbeni secili idhullit të vet! Por do të vijë dita kur do të shohim palè a do të më dëgjoni! Atëherë s’do ta përdhosni më emrin tim të shenjtë me dhurata tuaja e me idhujt tuaj!

40Vërtet, në malin tim të shenjtë, në malin e lartë të Izraelit - thotë Zoti Hyj - aty do të më shërbejë mbarë shtëpia e Izraelit: e tërë e bashkuar në vend, në të cilin do të më pëlqejnë, po them; aty do t’i marr e do t’i pranoj dhuratat tuaja dhe kushtimin e fryteve të para tuaja, të të gjitha sendeve që do të kushtoni.

41Do të më pëlqeni porsi era e erëndshme kur t’ju kem nxjerrë nga popujt e t’ju kem bashkuar nga vendet ku ju qetë shpërndarë. Përmes jush do t’ua dëftoj paganëve shenjtërinë time.

42Do ta dini se unë jam Zoti, kur t’ju kem kthyer në tokën e Izraelit, në tokën, për të cilën u përbetova se do t’ua jap etërve tuaj.

43Atje do t’ju bjerë ndërmend sjellja juaj e të gjitha veprat tuaja të këqia me të cilat e fëlliqët veten: vetvetja do t’ju ndyhet për shkak të të gjitha veprave tuaja të këqia që i keni bërë.

44E do ta dini se unë jam Zoti, kur t’ju bëj mirë për dashuri të emrit tim, e jo për shkak të sjelljes suaj të keqe as për shkak të veprave tuaja tejet të ulta, shtëpia e Izraelit!« - thotë Zoti Hyj.